Rusia tha të mërkurën se disa pjesë të një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Ukrainën ishin afër arritjes pasi Kievi ra dakord të diskutonte neutralitetin.
"Statusi neutral tani po diskutohet seriozisht së bashku, natyrisht, me garancitë e sigurisë", tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për RBC news.
Ai tha se presidenti rus, Vladimir Putin, kishte folur për neutralitetin, së bashku me garancitë e sigurisë për Ukrainën pa zgjerimin e NATO-s, si një variant i mundshëm në shkurt.
Lavrovi shtoi se bisedimet për paqe ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës nuk janë “të lehta”, por ka “shpresë për kompromis”.
“Unë flas nga vlerësimet e bëra nga negociatorët tanë”, tha Lavrov.
Ai shtoi se problemet nuk kanë të bëjnë vetëm me neutralitetin dhe çmilitarizimin e Ukrainës, por edhe me sigurinë për njerëzit në Ukrainën lindore – ku janë zonat e Donjeckut dhe Luhanskut të kontrolluara nga rebelët.
Edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se ka progres në bisedimet e paqes, pas rundit të negociatave të së martës.
Gjatë një video-fjalimi, Zelensky tha se “pozicionet në negociata tashmë duken më realiste”, por shtoi se “duhet ende kohë që vendimet të jenë në interes të Ukrainës”.
Ndërkaq, sekretarja e Jashtme e Britanisë, Liz Truss, tha se është skeptike për bisedimet e paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. “Unë jam skeptike në lidhje me bisedimet e paqes, derisa Putini është ende duke bërë luftë në Ukrainë. Ai duhet të zbatojë një armëpushim dhe t'i tërheqë trupat e tij që bisedimet për paqe të merren seriozisht”, tha Truss për BBC-në. Ajo theksoi se Vladimir Putin ka “shkatërruar sigurinë evropiane” dhe ka përdorur “armë të tmerrshme dhe forcë të tmerrshme” në pushtimin e Ukrainës.
Bisedimet ndërmjet negociatorëve rusë dhe ukrainas do të vazhdojnë edhe të mërkurën.
Ndërkohë, në orët e mëngjesit, janë dëgjuar disa shpërthime në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. Autoritetet e Kievit njoftojnë se një ndërtesë banimi 12-katëshe në lagjen Shevchenko u godit nga bombardimet ruse rreth orës 6 të mëngjesit. Edhe një ndërtesë nëntëkatëshe u dëmtua, po ashtu. Nga këto shpërthime janë lënduar dy persona dhe 35 të tjerë janë evakuuar nga ndërtesa. Shpërthime janë dëgjuar edhe në Odesa dhe Zaporizhja.
Gati 3 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës.
Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
- Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.