Një këshilltar i Qeverisë së Ukrainës tha se pret që lufta në vendin e tij të përfundojë më së voni deri në fillim të majit, kur Rusisë “t’i mbarojnë burimet” për të sulmuar fqinjin e saj.
“Unë mendoj se jo më vonë se në maj, në fillim të majit, do të duhet të kemi një marrëveshje paqeje”, tha Oleksiy Arestovich.
Në muajt në vazhdim, shtoi ai, mund të ndodhin dy skenarë:
“Ose do të arrihet një marrëveshje paqeje shumë shpejt, brenda një ose dy javësh, me tërheqjen e trupave [ruse] dhe gjithçka... ose do të bëhen përpjekje për t’i mbledhur - le të themi - disa sirianë për një rund të dytë [luftimesh]”.
“Kur t’i shkatërrojmë edhe ata, marrëveshja [do të arrihet] deri në mes të prillit ose në fund të prillit”, tha Arestovich.
Pentagoni ka pohuar më herët se rusët po përpiqen të rekrutojnë sirianë për të luftuar në Ukrainë - edhe pse kjo nuk është verifikuar.
Arestovich nuk është i përfshirë personalisht në bisedimet për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë.
- Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.
Presidenti rus, Vadimir Putin, ka dhënë urdhrin për pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më drejt lindjes.
Perëndimi e ka dënuar fuqishëm sulmin dhe ka ndërmarrë një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.