Ndërlidhjet

Bideni i kërkon Izraelit t’u përmbahet rregullave të luftës, Iranit të ketë kujdes


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i bëri thirrje të mërkurën Izraelit t’u përmbahet rregullave të luftës, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua për ta shkatërruar Hamasin pas sulmit shkatërrues të grupit militant palestinez.

Biden, i cili urdhëroi zhvendosjen e aeroplanmbajtësit modern amerikan në Detin Mesdhe në shenjë përkrahjeje për Izraelin, e paralajmëroi edhe mbështetësin e Hamasit, Iranin, të jetë “i kujdesshëm”.

Ai tha gjatë një tubimi me liderët e komunitetit amerikano-hebre në Shtëpinë e Bardhë se sulmi ndaj Izraelit, si pasojë e të cilit u vranë 1.200 njerëz, ishte “dita më vdekjeprurëse për hebrenjtë që nga holokausti”.

Por, derisa Izraeli u hakmor duke e bombarduar Rripin e Gazës, duke i vrarë rreth 1.100 njerëz, Biden tha se bisedoi të mërkurën me Netanyahun, për të cilin tha se e njeh për më shumë se 40 vjet dhe se me të ka “marrëdhënie shumë të sinqerta. E njoh shumë mirë atë”.

“Një gjë që ia thashë është se për Izraelin është shumë e rëndësishme, pavarësisht zemërimit dhe tërbimit që ekziston, të veprojë sipas rregullave të luftës”, tha Biden.

“Dhe, rregulla të luftës ka”, shtoi ai.

Kjo është hera e parë që Biden bën thirrje për vetëpërmbajtje në lidhje me sulmet e Izraelit në Gaza, të cilat nisën të hënën, dy ditë pasi Izraeli u sulmua befasisht nga militantët që u futën nga Gaza në jug të vendit.

Paraprakisht, Netanyahu u zotua se do ta shkatërrojë plotësisht grupin militant.

“Çdo pjesëtar i Hamasit është i vdekur”, tha Netanyahu të mërkurën, duke e krahasuar këtë grup me grupin e Shtetit Islamik (ISIS).

Por, Biden e kishte edhe një paralajmërim të fortë për Iranin, i cili e mbështet Hamasin, dhe është armik i moçëm i Izraelit dhe i Shteteve të Bashkuara.

Presidenti amerikan kujtoi se Uashingtoni e ka dërguar aeroplanmbajtësin më të madh në botë, USS Gerald R. Ford, dhe flotën e tij, në rajon. Zyrtarët amerikanë thanë se edhe një aeroplanmbajtës tjetër do të dërgohej së shpejti, nëse është e nevojshme.

Biden tha se ua ka “bërë të qartë iranianëve. Keni kujdes”.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken u nis të mërkurën për Izrael në shenjë solidariteti me Izraelin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG