Ndërlidhjet

Biden lutet për “vendim të drejtë” në rastin e Floydit


Presidenti i SHBA-së, Joe Biden.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se lutet për “vendim të drejtë” në gjykimin e Derek Chauvinit – ish-policit të Mineapolisit, të akuzuar për vrasjen e afrikano-amerikanit, George Floyd, gjatë arrestimit të tij, vitin e kaluar.

Biden, i cili foli me familjen e Floydit të hënën, tha se provat janë “dërrmuese”.

Komentet vijnë derisa juria e gjykatës po takohet për të dytën ditë me radhë, për të shqyrtuar verdiktin e saj.

Chauvin, 45 vjeç, është filmuar duke shtypur Floydin me gju në qafë, për më shumë se nëntë minuta.

Ai përballet me akuza për vrasje të shkallës së dytë, vrasje të shkallës së tretë dhe vrasje pa paramendim.

Dënimi maksimal që mund të marrë Chauvin, është 40 vjet burgim.

Një juri e larmishme prej 12 personash, përfshirë disa afrikano-amerikanë, është duke diskutuar për fatin e tij.

Diskutimet nisën pasi mbrojtja dhe prokuroria i bënë argumentet e fundit më 19 prill.

Juria duhet të pajtohet unanimisht për të dënuar Chauvinin.

“Unë vetëm mund të imagjinoj presionin dhe ankthin që ajo ndjen”, tha Biden për familjen e Floydit.

“Lutem që vendimi të jetë i drejtë”, shtoi Biden.

Biden e ka dënuar vazhdimisht vrasjen e Floydit, por nuk ka shprehur ndonjë mendim për gjyqin.

Ai tha se deklarata e fundit vjen pasi juria, e cila ka filluar shqyrtimin e çështjes, është izoluar.

Vëllai i Floydit konfirmoi më herët se ka folur me presidentin.

Vdekja e Floydit ka shkaktuar protesta kundër racizmit në të gjithë SHBA-në.

Protesta të reja priten në disa qytete amerikane, pavarësisht vendimit të jurisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG