Ndërlidhjet

Budapesti thotë se po tërhiqet nga GJNP-ja, disa orë pas nisjes së vizitës së Netanyahut në Hungari


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ai hungarez, Viktor Orban, në Budapest më 3 prill 2025.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ai hungarez, Viktor Orban, në Budapest më 3 prill 2025.

Hungaria njoftoi se po tërhiqet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), teksa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, arriti në Budapest më 3 prill.

Kjo është vizita e parë e Netanyahut në Evropë që kur GJNP-ja lëshoi fletarrestim ndaj tij lidhur me krimet e pretenduara të luftës në Gazë.

Ministri i Mbrojtjes i Hungarisë, Kristof Szalay-Bobrovniczky, u takua me Netanyahun në aeroportin e Budapestit rreth orës 02:30 dhe më pas, përmes një postimi në Facebook, njoftoi se udhëheqësi izraelit kishte arritur për vizitë në shtetin e tij.

Disa orë më vonë, Gergely Gulyas shef i stafit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, u citua të ketë thënë se Qeveria po lëvizë drejt tërheqjes nga GJNP-ja.

“Hungaria do të tërhiqet nga GJNP-ja”, tha Gulyas. “Qeveria do të iniciojë procedurën e tërheqjes [më 3 prill], në përputhje me kornizën ligjore ndërkombëtare dhe kushtetuese”.

Orban tha pastaj gjatë një konference për shtyp me Netanyahun se "vendimet e fundit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale tregojnë se ajo është shndërruar në një instrument politik", siç dëshmohet "më qartë nga vendimet për Izraelin".

"Ne po tërhiqemi nga Gjykata Ndërkombëtare Penale", shtoi ai.

Edhe para këtij njoftimi, Netanyahu ishte i sigurt se ai nuk do të arrestohej gjatë vizitës së tij katërditore në Hungari.

Si nënshkruese për gjykatën në Hagë, Hungaria e ka për obligim që ta arrestojë atë, por situata e brendshme ligjore e Budapestit është e ndërlikuar dhe kjo i ka dhënë hapësirë të mjaftueshme Qeverisë që ta mirëpresë kryeministrin izraelit.

“Ministrja hungareze e Drejtësisë do t’ia dorëzojë Parlamentit kombëtar dokumentacionin për përfundimin e bashkëpunimit tonë me gjykatën”, tha Orban.

Procesi i tërheqjes nga GJNP-ja pritet të marrë kohë deri në një vit, pasi parlamenti duhet ta miratojë një vendim të tillë.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, publikisht e kishte ftuar Netanyahun për vizitë në nëntor, pak pasi GJNP-ja lëshoi fletarrestimin.

“I garantoj atij, nëse vjen, se vendimi i GJNP-së nuk do të ketë efekt në Hungari”, deklaroi Orban.

Burimet diplomatike brenda Hungarisë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se shteti ka vendosur që të tërhiqet nga GJNP-ja, edhe pse një vendim i tillë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.


Orban është rreshtuar afër me Netanyahun dhe me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili po ashtu ka kritikuar vendimin për lëshimin e fletarrestimit.

Trump ka vendosur sanksione ndaj GJNP-së muajin e kaluar, duke e kritikuar si “të pabazë” fletarrestimin për Netanyahun dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant.

Në aktakuzë thuhet se Netanyahu “pretendohet se është përgjegjës për krimin e luftës, përkatësisht të përdorimit të urisë si metodë lufte dhe qëllimshëm ka drejtuar një sulm kundër popullatës civile dhe për krime lufte të vrasjes, përndjekjes dhe akteve të tjera çnjerëzore që nga 8 tetori 2023 e deri më 20 maj 2024”.

GJNP-ja nuk mund të arrestojë askënd, por varet nga shtetet që e kanë nënshkruar traktatin për krijimin e gjykatës – Statutin e Romës – që të zbatojnë fletarrestimet.

“Nuk u takon shteteve të përcaktojnë në mënyrë të njëanshme aspektin ligjor të vendimeve të gjykatës”, tha zëdhënësi i GJNP-së, Fadi El-Abdallah për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, shtetet kanë obligim ligjor që të zbatojnë vendimet e gjykatës.

Ky qëndrim është mbështetur edhe nga dy avokatë me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG