Nuk është e qartë nëse Benjamin Netanyahu do të ndiqet penalisht ndonjëherë, pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi fletarrestim për të, duke e akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Por, edhe sikur ai të mos dalë kurrë para gjykatës në Hagë, akuzat dhe njolla që ato mbartin premtojnë telashe të mëdha për kryeministrin izraelit.
Netanyahu është mbrojtur kundër këtyre akuzave që lidhen me luftën e tanishme të Izraelit në Rripin e Gazës, ndërsa Izraeli nuk e njeh juridiksionin e gjykatës në Holandë.
Megjithatë, nuk ka dyshim se kryerja e detyrave të kryeministrit është bërë më e vështirë për Netanyahun.
Anthony Dworkin, hulumtues në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se, derisa Izraeli nuk është pjesë e Statutit të Romës, i cili e themeloi GJNP-në, “124 vende të tjera të botës janë”.
Këto shtete tani “e kanë detyrë ligjore ta arrestojnë Netanyahun”, nëse ai futet në tokën e tyre, tha Dworkin, duke shtuar se fletarrestimi “do ta kufizojë dukshëm numrin e shteteve në të cilat ai mund të shkojë”.
Si precedent, Dworkin i përmendi ndërlikimet në të cilat ka hasur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, prej se GJNP-ja lëshoi fletarrestim kundër tij në mars të vitit 2023, në lidhje me krimet e dyshuara të luftës kundër Ukrainës.
“Ai u detyrua të bëjë ndryshime shumë të mëdha në planet e tij të udhëtimit”, tha Dworkin, duke e veçuar atë që ai e cilësoi si vendim të përbashkët mospjesëmarrjen e tij në samitin e BRICS-it në Afrikën e Jugut, në korrik 2023.
Në shtator, Mongolia, anëtare e GJNP-së, u përball me trysni të madhe për ta arrestuar Putinin pas mbërritjes së tij për një vizitë. Ajo i shpërfilli thirrjet për arrestimin e tij dhe u vlerësua se veprimi i saj vuri në sipërfaqe kufizimet e gjykatës e cila është përgjegjëse për t’i ndjekur penalisht individët e dyshuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime agresioni.
Njoftimi i GJNP-së, më 21 nëntor, erdhi gjashtë muaj pasi kryeprokurori i gjykatës, Karim Khan, njoftoi për herë të parë se po kërkonte lëshimin e fletarrestimeve jo vetëm kundër Netanyahut, por edhe kundër ish-ministrit të Mbrojtjes së Izraelit, Yoav Gallant, dhe Muhammad Deif, komandantit ushtarak të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE, të cilin Izraeli pretendon se e vrau në korrik.
Deif akuzohet për krime të lidhura me sulmin e Hamasit në Izrael, më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë. Netanyahu dhe Gallant akuzohen në lidhje me pushtimin hakmarrës të Gazës nga Izraeli, ku sipas zyrtarëve palestinezë, mbi 43.000 palestinezë janë vrarë.
Pasi i hodhi poshtë kundërshtimet e Izraelit, GJNP-ja më 21 nëntor njoftoi lëshimin e fletarrestimeve ndaj të treve, duke hamendësuar se Deif mund të jetë ende gjallë.
GJNP-ja nuk ka pushtet ligjor për zbatimin me forcë të fletarrestimit kundër Netanyahut, i cili akuzohet për krime lufte, duke përfshirë urinë si një mjet lufte, dhe për krime kundër njerëzimit, përfshirë "vrasjen, përndjekjen dhe vepra të tjera çnjerëzore".
I mbështetur në bashkëpunim, Khan u ka bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare të gjykatës t’i zbatojnë fletarrestimet, ndërsa vendeve joanëtare u kërkoi të punojnë drejt “respektimit të ligjit ndërkombëtar”.
Në mesin e vendeve joanëtare është SHBA-ja, aleatja kryesore e Izraelit, e cila nuk e njeh juridiksionin e GJNP-së për këtë çështje dhe e cila e kundërshtoi fletarrestimin kundër Netanyahut.
Megjithatë, të gjitha vendeve e Bashkimit Evropian janë anëtare të GJNP-së.
Dworkin theksoi se “vendet evropiane kanë qenë shumë të ndara” kur është dashur të përgjigjen ndaj veprimeve të Izraelit në enklavën palestineze, pjesa më e madhe e së cilës është rrënuar pas një viti lufte të pandërprerë ajrore dhe tokësore nga ushtria izraelite.
“Disa vende kanë qenë gjithnjë e më kritike ndaj veprimeve të Izraelit”, tha Dworkin, ndërsa “disa vende të tjera kanë tentuar ta ndjekin një rrugë më të mesme, duke kritikuar disa aspekte, por përgjithësisht duke mbështetur Izraelin”.
Tani, edhe një mbështetës i zëshëm i Izraelit siç është Gjermania, do të duhet ta rishikojë mbështetjen e saj për shkak të përkushtimit të saj ndaj sundimit të ligjit.
“Do ta shohim një ndryshim në mënyrën se si vendet e shohin atë, flasin për të, e të tjera”, tha Dworkin.
Izraeli tashmë ka anuluar një vizitë të paraparë për javën e ardhshme të ministrit të Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp, pasi Holanda tha se do t’i zbatojë fletarrestimet e GJNP-së.
Franca ka thënë se i mbështet veprimet e prokurorit të GJNP-së, Khan, ndërsa Italia ka deklaruar se do të detyrohet ta arrestojë Netanyahun nëse ai shkon në Itali.
Në të njëjtën kohë, vendimi mund të ketë disa pasoja të paqëllimshme.
Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë, vendit anëtar të BE-së – i cili ka shpesh mospajtime me Brukselin për çështje të nxehta si marrëdhëniet me Putinin – ka dalë me qëndrim ndryshe tashmë.
Më 22 nëntor, Orbani e akuzoi GJNP-në për “ndërhyrje në një konflikt të vazhdueshëm për qëllime politike”, dhe tha se fletarrestimi i saj kundër Netanyahut minon të drejtën ndërkombëtare.
Orban tha se do ta shpërfill fletarrestimin kundër Netanyahut dhe e ftoi atë për vizitë në Hungari.
GJNP-ja mund të përballet gjithashtu edhe me më shumë kritika në Shtetet e Bashkuara nga administrata e ardhshme e presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili e ka paraqitur veten si aleat më i madh i Izraelit sesa presidenti në largim, Joe Biden.
I emëruari i Trumpit për këshilltar për sigurinë kombëtare, kongresisti republikan Mike Waltz, paralajmëroi më 21 nëntor se “mund të prisni një përgjigje të fortë ndaj paragjykimit antisemitike të GJNP-së” sapo Trumpi ta marrë detyrën më 20 janar.
Edhe zyra e Netanyahut e ka dënuar si “antisemitik” vendimin e GJNP-së për të lëshuar fletarrestime, dhe disa vëzhgues thonë se Netanyahu mund të përfitojë nga një ndjesi të tillë për ta siguruar një rritje politike brenda vendit.
Mbështetja për Netanyahun dhe qeverinë e tij të djathtë pësoi rënie të ndjeshme pas sulmit të 7 tetorit, por kohët e fundit është përmirësuar, sipas sondazheve publike.
“I gjithë spektri politik në Izrael ka shprehur dënim universal [ndaj fletarrestimeve], prandaj nuk e dëmton atë aspak brenda vendit”, tha për REL-in Khaled Elgindy, analist në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington. “Ndoshta [kjo] e ndihmon pak, sepse njerëzit do ta mbështesin vendin”, theksoi ai.