Ndërlidhjet

BE pret bashkëpunim me SHBA-në për çështjen e dialogut


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Bashkimi Evropian nuk ka dhënë ndonjë reagim formal dhe të drejtpërdrejtë pas emërimit të ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell për të dërguar të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dialog të cilin deri më tash në emër të BE-së e ka lehtësuar Përfaqësuesja e Lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini.

Në BE as nuk janë në gjendje të japin ndonjë reagim formal pasi edhe vetë janë në pritje të konfirmimit të përbërjes së re të Komisionit Evropian, ku në cilësinë e zëvendës-presidentit do të përfshihet edhe Përfaqësuesi i ardhëm i Lartë për politikë të jashtme dhe siguri.

Për momentin, në BE janë kufizuar me një prononcim të përgjithësuar të zëdhënëses Maja Kocijançiq, e ngarkuar me çështjet e punëve të jashtme dhe zgjerimit.

Ajo vetëm ka përmendur rëndësinë e bashkëpunimit mes Uashingtonit dhe Brukselit, si në të kaluarën ashtu edhe për të ardhmen.

“BE punon për së afërmi me Shtetet e Bashkuara në Ballkanin Perëndimor. Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një kontribut të çmueshëm në punën tonë në Ballkanin Perëndimor e në veçanti për suksesin e dialogut. SHBA-ja dhe BE-ja ndajnë interes të përbashkëta për një Ballkan Perëndimor stabil dhe prosperues, prandaj edhe presim vazhdimin e bashkëpunimit tonë të ngushtë me SHBA-në”, ka thënë në emër të BE-së, zëdhënësja Maja Kocijançiq.

Disa diplomatë evropianë kanë thënë se u duhet pak kohë të kuptojnë më qartë se cili do të jetë roli i të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin, Matthew Palmer, e cili do të jetë roli i Grenell.

Edhe BE-ja, thonë këto burime, është ende në dilemë a të emërojë një të dërguar të posaçëm vetëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë apo një i cili do të ngarkohej për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pasi në strukturat e BE-së ekzistojnë departamente të posaçme për Ballkanin, e madje edhe njësitë për secilin shtet veç e veç, disa diplomatë pohojnë se nuk ka nevojë të ketë edhe të dërguar të posaçëm për tërë rajonin, por vetëm një i cili do të merrej me problemin më të madh në rajon, e që është procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, për ndonjë veprim konkret nga Brukseli duhet pritur konfirmimin e ministrit të tashëm të Jashtëm të Spanjës, Josep Borrel për Përfaqësues të Lartë të BE-së. Ai do të paraqitet të hënën para deputetëve të Parlamentit Evropian në Komisionin për politikë të jashtme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG