Zëvëndës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Metthew Palmer, do të jetë Përfaqësues i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.
Në njoftimin e Departamentit të Shtetit, thuhet se në këtë rol, Palmer do të “udhëheqë përpjekjet tona për të fuqizuar angazhimin diplomatik amerikan në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon dhe në fokusimin në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore”.
Në këtë kapacitet, Palmer do të udhëtojë në Slloveni, për të marrë pjesë në Forumin Strategjik në Bled, thuhet më tutje në njoftim.
Ai gjithashtu do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në takimin e Drejtorëve për Ballkanin të vendeve anëtare të Kuint-it në Bruksel, si dhe do të marrë pjesë në takime në Vjenë dhe Podgoricë nga 4 deri më 10 shtator.
Përveç angazhimit si Përfaqësues i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Palmer do të vazhdojë të jetë zëvendës-ndihmës sekretar amerikan i shtetit, në zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, një post që ai mban që nga viti 2018. Më parë, ai ishte Drejtor i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore.