Ndërlidhjet

BE e pakënaqur me miratimin e projektligjeve për zyrtarët publikë dhe për paga


Flamuj të Kosovës dhe Bashkimit Evropian
Flamuj të Kosovës dhe Bashkimit Evropian

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj miratimit të projektligjit për zyrtarët publikë dhe atij për paga në sektorin publik, në Kuvendin e Kosovës të enjten.

Sipas njoftimit nga Bashkimi Evropian, gjatë hartimit të këtyre projektligjeve, BE-ja kishte paraqitur disa komente, të cilat, sipas saj, nuk u morën parasysh në votimet e djeshme.

“Komentet kishin për qëllim të udhëzojnë në mënyrën më të mirë dhe të mbështesin qeverinë për të siguruar një shërbim civil të depolitizuar dhe profesional, me një sistem transparent të shpërblimit të bazuar në merita, në përputhje me parimet e reformës së administratës publike dhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Kosovës”, thuhet në reagimin e BE-së.

Sipas BE-së, projektligji i ri për zyrtarët publikë është problematik, "pasi shton liri të tepruar veprimi në procedurat e rekrutimit, transferimit, si dhe në procedurat disiplinore të nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të cenueshëm ndaj politizimit”.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, pa mbështetjen e partive opozitare votuan në lexim të dytë projektligjin për pagat.

Kuvendi i Kosovës në seancën e 22 dhjetorit ka miratuar në lexim të dytë edhe projektligjin për zyrtarët publikë.

Deputetë opozitarë paralajmëruan se të dyja projektligjet do të dërgohen në Gjykatë Kushtetuese

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, po ashtu tha se projektligji për zyrtarët publikë bie ndesh me detyrimet që shteti ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), si dhe me parimet evropiane për administratën publike.

Ligji i pagave ishte miratuar fillimisht në shkurt të vitit 2019. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij - në janar të 2020-s - institucioni i Avokatit të Popullit e pati dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç kishte thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata, më pas, konstatoi se ligji i miratuar nuk ishte në përputhje me 11 nene të Kushtetutës dhe se shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG