Ndërlidhjet

Kuvendi miraton Projektligjin për pagat


Kuvendi i Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten në lexim të dytë Projektligjin për pagat në sektorin publik.

Ky ligj zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit, me përjashtim të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).

Qëllimi i këtij ligji është që të krijojë një sistem të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik, që përfshin parimet dhe rregullat për përcaktim të pagës në sektorin publik.

Për të hyrë në fuqi Ligji për pagat, duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Partitë opozitare nuk e kanë mbështetur Projektligjin për pagat.

Ata, përmes disa amendamenteve të cilat nuk kanë marrë miratim në Kuvend, kanë kërkuar rritje të koeficientit për punëtorë në disa sektorë, si në shëndetësi, arsim e të tjera.

Në projektligjin e miratuar në lexim të dytë nuk përcaktohet vlera monetare e koeficientit, por thuhet se "vlera monetare e koeficientit përcaktohet me Ligjin vjetor të buxhetit”.

Kuvendi i Kosovës, ka miratuar Ligjin për buxhetin, por nuk është përcaktuar ndonjë vlerë monetare e koeficientit për pagat e punonjësve të sektorit publik.

Deputetë të partive opozitare kanë kundërshtuar votimin e Projektligjit për pagat edhe për shkak të mospërfshirjes së vlerës monetare të koeficientit në projektligj.

Koeficientet

Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.

Raporti i koeficienteve është nga një deri në 18.

Koeficienti më i lartë, 18, sipas Projektligjit për pagat, i takon vetëm presidentit të Kosovës.

Niveli i koeficientit 17.5 i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Koeficienti 17 i takon kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe kryeministrit.

Për mjekët specialistë, koeficienti është 12.

Mësimdhënësit në shkolla fillore dhe ato të mesme të ulëta, do të kenë koeficientin 5.6.

Në fund të gushtit të këtij viti, mësimdhënësit dhe shërbyesit civilë kanë mbajtur grevë në kërkim të miratimit të këtij projektligji.

Për pasojë, procesi mësimor pati nisur me një muaj vonesë.

Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë veta.

Deputeti Bekim Haxhiu nga subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, tha se do të kërkojë mendimin e Gjykatës Kushtetuese për Projektligjin për pagat.

Ligji i pagave ishte miratuar një herë në shkurt të vitit 2019. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij - në janar të 2020-s - institucioni i Avokatit të Popullit e pati dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç kishte thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata, më pas, konstatoi se ligji i miratuar nuk ishte në përputhje me 11 nene të Kushtetutës dhe se shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Kuvendi i Kosovës në seancën e 22 dhjetorit ka miratuar në lexim të dytë edhe Projektligjin për zyrtarët publikë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Ligjin për zyrtarët publikë do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Ai tha se ligji bie ndesh me detyrimet që shteti ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG