Kosova mbetet vendi i fundit në rajon sa i përket avancimit në proceset integruese në Bashkimin Evropian, mirëpo, drejtoresha për Ballkanin në kuadër të Komisionit Evropian, Genoveva Ruiz-Calavera u shpreh optimiste sot në Prishtinë, sa i takon të ardhmes evropiane të Kosovës.
Ruiz-Cavalera kërkoi angazhim nga institucionet për të çuar përpara agjendën e reformës evropiane.
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Hardinaj, ajo tha se kjo agjendë synon që ta udhëzojë Kosovën në ndarjet e prioriteteve në lidhje me reformat kyçe.
“Janë reforma të rëndësishme nga fusha e sundimit të ligjit, qeverisje të mirë, konkurrenca, klima për investime e po ashtu edukimi dhe punësimi të cilat janë shumë të rëndësishme për Kosovën që të vazhdojë konsolidimin e progresit të saj dhe natyrisht që të ofrojë perspektivën e njerëzve të Kosovës”.
“Ne kemi diskutuar rezultatet që tashmë i kemi arritur së bashku, dhe jam jashtëzakonisht e lumtur që zyra jonë e BE-së është duke shoqëruar Qeverinë, janë duke shoqëruar natyrisht agjendën shumë të rëndësishme që e kemi për të sjellë Kosovën afër Bashkimit Evropian”, deklaroi Ruiz-Calavera.
Ajo përmendi një nga kërkesat kryesore të Bashkimit Evropian, reformën e administratës publike.
Kjo temë, theksoi ajo, është biseduar me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Ne kemi po ashtu bisedime për disa shqetësime që i kemi në disa fusha në të cilat ka nevojë për përparime. Në përgjithësi ne duhet ta kuptojmë se të gjitha vendimet qe ndërmerren nga Qeveria duhet të jenë shumë kohezive, duke shtyrë këtë agjendë përpara dhe në veçanti në reformën e administratës publike, ne duhet të sigurohemi se vendimet që merren e sigurojnë qëndrueshmërinë e shteteve”, tha Ruiz-Calavera.
Sa i takon procesit të liberalizimit të vizave, Ruiz - Calavera u shpreh optimiste se qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin së shpejti pa viza.
Ajo tha se shumë shpejt Bashkimi Evropian do të dalë me një propozim i cili mund ta bëjë liberalizimin realitet.
Sa i takon përmbushjes së kritereve dhe agjendës evropiane, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se institucionet janë duke u marr seriozisht me këtë proces.
“Biseda ka qenë e fokusuar në prioritetet e agjendës evropiane për Kosovën në reformat, edhe në ato në rend dhe ligj por edhe në administratën publike dhe arsim. I biseduam edhe punët e kryera, por edhe punët që i kemi para vetës. Jam thellë i bindur që në muajt dhe javët që vijnë edhe nga sugjerimet e drejtoreshës për zgjerim, pra do të shënojmë rezultate pikërisht në ato që janë sot tema kyçe”, u shpreh kryeministri Haradinaj.
Pas takimit me kryeministrin Ramush Haradinaj, Genoveva Ruiz-Calavera është takuar me shefat e grupeve parlamentare të partive politike, ministrat relevantë lidhur me agjendën e reformës evropiane si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.
Për dallim nga rajoni deri tash, Kosova ka përfituar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, megjithatë është e fundit në proceset integruese në rajon.