Ndërlidhjet

BE-ja anulon grantin e Fondit të Investimeve për portin e Durrësit


Porti i Durrësit gjatë stërvitjeve ushtarake Defender Europe 2021. Fotografi ilustruese.
Porti i Durrësit gjatë stërvitjeve ushtarake Defender Europe 2021. Fotografi ilustruese.

Është anuluar granti i Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor për portin e Durrësit.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë.

Shkak për këtë vendim është bërë edhe modifikimi i projektit.

“Si rezultat i modifikimit të projektit dhe ndryshimit të përdorimit të portit aktual, BE-ja ka anuluar grantin e mbetur të WBIF (Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor) për investimin për projektin e mëparshëm të portit. Ne jemi duke u konsultuar me përfaqësuesit e Qeverisë edhe për prioritetet e investimeve”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Vlera e këtij granti ishte 28 milionë euro.

Projekti parashikonte rehabilitimin e kalatave 1 dhe 2 në Terminalin Perëndimor të Portit të Durrësit, ku përpunohen thuajse të gjitha mallrat që vijnë nga jashtë. Ndërhyrja ishte e domosdoshme pasi njëra prej tyre është ndërtuar në vitet 1945-1951 dhe tjetra më 1972. Ndërhyrjet e vetme janë bërë më 1994. Projekti i financuar edhe nga BE-ja, parashikonte zgjerimin e sipërfaqes së kalatave, si dhe rritjen e thellësisë së projektuar, në mënyrë që të ankorohen edhe anije më të mëdha.

Ndërkohë, marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe investitorit nga Dubai, Mohamed Alaabar, e shndërron portin aktual në port jahtesh dhe e kthen Durrësin, siç është shprehur kryeministri Rama, në “Dubain e Mesdheut”, ndërsa aktiviteti tregtar do të zhvendoset në Porto Romano. Aktualisht, në këtë zonë operon një kompani private dhe aty përpunohen ngarkesa me naftë.

Me një vendim të këshillit të ministrave në qershor të 2021 u vendos të zgjerohej porti ekzistues në Porto Romano, duke i hapur rrugë kështu transferimit të portit tregtar atje dhe ndërtimit të portit turistik nga kompania arabe.

Në përgjigjen e zyrës së BE-së në Tiranë thuhet se “sa i përket marrëveshjes tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, BE-ja do të vazhdojë të monitorojë rëndësinë për MSA-në dhe pajtueshmërinë me të, në dialog me institucionet shqiptare”.

Edhe në gusht të këtij viti delegacioni i BE-së në Shqipëri i kërkoi Qeverisë më shumë qartësi dhe transparencë në lidhje me marrëveshjen me kompaninë arabe sa i përket projektit të marinës në Portin e Durrësit.

Projekti i investitorit nga Dubai, Mohamed Alaabar, për Marinën e Jahteve në Portin e Durrësit ka sjellë përplasje në politikën shqiptare.

Sipas opozitës, shkelet marrëveshja e MSA-së si dhe pas projektit fshihen interesat personale të kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Pak ditë më parë kreu i grupit të PD-së, Enkelejd Alibej bëri të ditur se për këtë çështje i është drejtuar me një letër ambasadës së BE-së në Tiranë dhe komisionarit Oliver Varheyli.

Marrëveshja për portin e Durrësit kalon të enjten për votim në Kuvend.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG