Ndërlidhjet

Në shërbim të kujt është Bashkësia Islame në Kaçanik?


Familja Muhaxheri hap derën për ngushëllime
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:14 0:00

Familja Muhaxheri hap derën për ngushëllime

Këshilli i Bashkësisë Islame në Kaçanik vendosi të shfrytëzojë xhaminë e qytetit dhe mikrofonët në minarenë e saj për të njoftuar komunitetin për vdekjen e militantit famëkeq të grupit Shteti Islamik [IS], Lavdrim Muhaxheri.

Madje, në xhami u dhanë të gjitha njoftimet, në emër të familjes së tij, për ata që donin të shprehnin ngushëllimet e tyre.

Muhaxheri thuhet të jetë vrarë gjatë një sulmi ajror të Shteteve të Bashkuara në Siri, në natën ndërmjet 7 dhe 8 qershorit.

Florim Neziraj, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Kaçanik i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është i vetëdijshëm për atë që ka bërë dhe tregon se për rastin dhe veprimet e tij ka biseduar edhe me Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava.

"Normalisht, Myftiut nuk i ka ardhur mirë, por ne e bëjmë këtë për të gjithë qytetarët, dhe nuk kam llogaritur se u bë keq diçka. Këtu ka qenë në pyetje familja, e jo Lavdrimi. Absolutisht, unë i kam bërë një shërbim familjes. Pra, unë i kam bërë një shërbim familjes dhe nuk e ndjej si një gabim. Nuk jam penduar për ketë punë", tha shkurtimisht Neziraj.

Pamje shqetësuese të publikuara nga heqja e kokës së fëmijës.
Pamje shqetësuese të publikuara nga heqja e kokës së fëmijës.

Muhaxheri kishte shkaktuar bujë gjithandej, me postimin e disa fotografive të tij në rrjetin social Facebook, ku shihej duke i hequr kokën një njeriu.

Zyrtarët në qendrën e kryesore të Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë, nuk deshën të flasin për rastin e përfshirjes së Këshillit të kësaj Bashkësie në Kaçanik. Në kabinetin e Myftiut Naim Tërnava deklaruan se lidhur me këtë çështje ka folur vetë drejtuesi i Këshillit.

Lexoni edhe këtë: Militanti i "vdekur" i Shtetit Islamik

Nga ana tjetër, njohës të çështjeve të sigurisë, por edhe profesorë të religjionit, konsiderojnë se Bashkësia Islame e Kosovës, duhet gjithsesi të distancohet nga veprimi i fundit i Këshillit të Bashkësisë Islame në Kaçanik.

Ismail Hasani, ekspert i çështjeve të sociologjisë së religjionit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka kritikuar Këshillin, duke thënë se me ato veprime nuk i ka bërë shërbim të mirë as fesë islame, e as opinionit në Kosovë.

"Ofrimi i një shërbimi të tillë brenda BIK-ut është një frymëzim për njerëzit, të cilët mund të kenë dilema ose mund të kenë prirje për të marrë udhën e pa kthim. Mendoj se, të paktën në nivel të Bashkësisë Islame të Kosovës, është mirë që të behet një distancim publik nga ky akt, sepse jemi në një kohë tepër të ndjeshme. Jemi në një proces, i cili nuk lejon gjera të tilla. Normalisht që jemi të mbikëqyrur edhe prej faktorit ndërkombëtar, sepse jemi deklaruar si pjesë e koalicionit global anti-terrorist", tha Hasani.

Burim Ramadani, drejtor i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, tha për Radion Evropa e Lirë se në rastet kur bëhet fjalë për persona të njohur për terrorizëm, sjelljet e institucioneve, të cilitdo nivel qoftë, duhet të jenë në kuadër të sjelljeve që i ndihmojnë të tjerët, që mos të ndjekin shembullin të ngjashëm.

Ramadani mendon se Këshilli i Bashkësisë Islame në Kaçanik në rastin e fundit gaboi.

"Është e qartë se shembulli i Lavdrim Muhaxherit nuk duhet të ndiqet nga asnjë qytetar i Kosovës, e sidomos nga të rinjtë. Ai është shembulli më i keq se si një djalë i ri shqiptar nga Kosova arrin deri në atë shkallë sa që shkon dhe terrorizon qytetarët e pafajshëm dhe popullatën e pafajshme civile në Siri”.

“Një sjellje e tillë, në këtë rast e BIK-ut në Kaçanik, është në kundërshtim me vlerat që Kosova synon t'i promovojë dhe është në kundërshtim me ndërtimin e narracionit të shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës se shembujt e tillë nuk duhet të ndiqen", tha Ramadani.

Së paku, 300 shtetas të Kosovës kanë marrë pjesë në konfliktet e huaja në Siri dhe Irak, të pozicionuar në anën e organizatave të shpallura terroriste, siç është i ashtuquajturi Shteti Islamik dhe Al-Nusra.

Strukturat e sigurisë në vend kanë theksuar se në fushëbetejat e huaja janë duke qëndruar ende 140 persona, në mesin e të cilëve ka edhe gra dhe fëmijë. Nga këto vende të luftës, në Kosovë tashmë janë kthyer 100 persona.

Kosova tashmë ka miratuar ligjin, i cili sanksionon pjesëmarrjen në konfliktet e huaja dhe që parasheh dënimin me burg deri në 15 vjet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG