Në një intervistë për The Guardian, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 20 dhjetor se është pajtuar që t’iu japë kohë trupave të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të heqin barrikadat, por barrikadat nuk mund të lejohen që të qëndrojnë për një kohë të gjatë.
Ai tha se barrikadat janë një hap drejt ndarjes së Kosovës.
“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk përjashton mundësinë e viktimave. Prandaj, ne duam që të jemi shumë të kujdesshëm që të sigurohemi që të mos ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri. Megjithatë, ne nuk mund të lejojmë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë që të vazhdojë në pafundësi. Prandaj, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë”.
Në veri të Kosovës, janë të ngritura nëntë barrikada, të cilat bllokojnë rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë nisën ngritjen e barrikadave në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq. Autoritetet në Kosovë thonë se Pantiq dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Që nga fillimi i dhjetorit, në veriun e Kosovës janë rritur tensionet dhe janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba. Policia e Kosovës ka shtuar prezencën në këtë pjesë të shtetit, për siç ka thënë, ofrimin e sigurisë për qytetarët.