DNV: Deri në ora 12, dalja në zgjedhje 10.7 për qind
Deri në orën 12:00 në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që po zhvillohen në 19 komuna të Kosovës, kanë votuar mbi 145 mijë qytetarë me të drejtë vote, ose 10.7 për qind e votuesve, kanë bërë të ditur përfaqësues të koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, që monitoron procesin zgjedhor.
Visar Muja, nga ky koalicion, në një konferencë për media, ka thënë se dalja e qytetarëve në zgjedhje, është më e ulët se sa në raundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 22 tetor.
Ky koalicion, ndërkaq, ka identifikuar disa parregullsi që janë paraqitur gjatë procesit zgjedhor.
Parregullsitë e identifikuara janë: probleme me gjetjen e emrit në listat e votueseve, votimi familjar, fotografimi i votës, asistimi i votuesve dhe prania e personave të paautorizuar në qendrat e votimeve.
Abrashi fton qytetarët të votojnë
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arban Abrashi, pasi ka votuar në një nga qendrat e votimit, i ka ftuar të gjithë qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të votojnë.
“Sapo votova në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Prishtinës. Votimi sot nuk ka të bëjë vetëm me preferencën për kandidatë cilido çoftë ai. Votimi ka të bëjë me pjesëmarrjen në qeverisjen. Votuesi vendos se si do të duket qyteti i tij në katër vitet e tij, pamja dhe menaxhimi i këtij qyteti, prandaj ftojë të gjithë ata që nuk kanë votuar ende të dalin dhe të votojnë”, thotë Abrashi.
Kelani: Proces i qetë zgjedhor
Policia e Kosovës njofton se procesi zgjedhor në aspektin e sigurisë, është duke kaluar qetë dhe pa ndonjë incident.
Baki Kelani, zëdhënës në këtë mekanizëm, thotë për Radion Evropa e Lirë, se “Policia e Kosovës vazhdon të jetë e angazhuar sipas planit operacional më qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, që t'u ofrohet siguri të gjithë qytetarëve të Kosovës që në mënyrë të qetë dhe sigurt të ushtrojnë të drejtën e votës së lirë”, thotë Kelani.
Pritjet e qytetarëve nga kryetari i ardhshëm i Prishtinës
Qytetarët e anketuar për Radion Evropa e Lirë japin mendimet e tyre rreth asaj se çfarë presin nga kryetari i ri i Prishtinës.
Norik Krasniqi, 20-vjeçar, qytetar i Prishtinës, ankohet për mungesë perspektive për të rinjtë. Ai thotë se e vetmja mundësi që të rinjtë mund të gjejnë punë pavarësisht kualifikimit, është puna e kamerierit:
“Unë pres që kryetari i ri të iniciojë çështjen e punësimit të të rinjve”.
Art Morina, 18-vjeçar, thotë se pret më shumë cilësi në arsim, e po ashtu edhe rregullim të kryeqytetit, duke përfshirë më shumë parqe, salla sportive e të ngjashme:
“Unë do të doja të ketë më shumë cilësi në arsim, pasi sapo kam përfunduar shkollën e mesme, dhe aty shumë gjëra kanë qenë nën nivel. Gjithashtu, pres më shumë rregullim të qytetit, e që qytetarit të Prishtinës t’i përmirësohet mirëqenia”.
Mentor Veseli thotë se kushdo që të jetë kryetar i Prishtinës, e ka një lutje për të - që ai të merret me problemet reale të qytetarëve.
“Pres nga kryetari i ri, kushdo që të jetë ai, që të mos merret me probleme të nivelit qendror, por në fokus të jetë mirëqenia e qytetarit të Prishtinës, duke përfshirë shërbimet shëndetësore, cilësinë e arsimit etj”, shprehet ai.
Por, Shkëlzen Bejta thotë se kushdo që të fitojë garën për kryetar të Prishtinës, do të duhej ta kishte përkrahjen edhe të Qeverisë, në mënyrë që të përfitojë dhe të shohë ndryshime edhe vetë qytetari:
“Mendoj se duhet bashkëpunim edhe me Qeverinë e Kosovës, në mënyrë që kryetarin e Prishtinës ta përkrahin e të përfitojë qytetari në gjëra të prekshme”.
Derisa Vjollca Fazliu, 30 vjeçe, qytetare nga Prishtina, ka një kërkesë më ndryshe nga qytetarët e anketuar. Ajo kërkon që punëtorët e sektorit privat të jenë më në fokus të të gjithë udhëheqësve, përfshirë edhe kryetarin e ri të Komunës së Prishtinës:
“Gjithmonë flitet për sektorin publik, për sektorin privat nuk ka asnjë përkujdesje, ndonëse punëtorët e sektorit publik i kanë kushtet më të mira se ata që punojnë në sektorin privat. Rritje të pagave ka për sektorin publik asnjëherë për ne. Unë do doja që të iniciohet kjo çështje, qoftë edhe nga kryetari i Prishtinës”.
Facebook Forum