KQZ: Deri në orën 11:00 kanë votuar 6.90 për qind e votuesve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 11:00, nga 96 për qind e vendvotimeve, me më shumë se 1 milion e 350 mijë votues, kanë votuar rreth 90 mijë prej tyre, ose 6.90 për qind e votueseve.
Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ-së, ka thënë se në raundin e parë, më 22 tetor në këto 19 komuna, në të njëjtën kohë patën votuar 8.78 për qind.
Në një konferencë për media, Elezi ka thënë se “duke u mbështetur në informacionet e deritashme nga qendrat e votimit, procesi zgjedhor është duke vijuar normalisht".
Peterle: Proces i mirë zgjedhor
Shefi i Misionit Vëzhgues të Bashkimit Evropian, Alojz Peterle ka vizituar disa qendra të votimit dhe e ka vlerësuar procesin e deritashëm zgjedhor në Kosovë, të qetë e demokratik.
“Me disa probleme të vogla, nëse e jap një vlerësim të përgjithshëm, mund të them se procesi është duke shkuar mirë, apo thënë ndryshe shumë mirë”, ka thënë Peterle.
Deri në këto momente, ai tha se nuk po sheh dalje shumë të madhe të votuesve, por ka shfaqur shpresën se pjesëmarrja do të ndryshojë gjatë ditës.
Misioni Vëzhgues i Bashkimit Evropian ka rreth 70 vëzhgues të cilët janë shpërndarë nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.
Ahmeti fton qytetarët të votojnë
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, pasi ka votuar në një nga qendrat e votimit, ka ftuar qytetarët me të drejtë vote të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
“Shfrytëzoj rastin t'i ftoj të gjithë ata që kanë të drejtë vote, të vijnë sa më herët të votojnë në një numër sa më të madh. Kjo është dita kur të gjithë e kanë të drejtën ta vendosin fatin e tyre, për shkak se komuna e prek jetën e qytetarëve në më shumë mënyra”, ka thënë Ahmeti.
Haradinaj: Mos e neglizhoni procesin, votoni
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ftuar qytetarët e Kosovës që të dalin në zgjedhje dhe mos të neglizhojnë procesin.
Pasi ka votuar në njërën nga qendrat e votimit në Prishtinë, ai ka thënë se raundi i dytë i votimit është moment i rëndësishëm po aq sa raundi i parë.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të të gjitha komunave që janë në balotazh të votojnë dhe të mos e neglizhojnë procesin. Rëndësia e daljes në votime është jashtëzakonisht e madhe. Kosovën e presin shumë punë. Ata që marrin përgjegjësi, duhet ta kenë legjitimitetin e qytetarëve”, ka thënë Haradinaj.
Facebook Forum