Shqipëria shënon sot Ditën e Verës me ëmbëlsira e byzylykë tradicionalë.
Katërmbëdhjetë marsi është dita që në këtë vend simbolizon përfundimin e dimrit dhe gjallërimin e natyrës.
Simbol i festës është “verorja” - një lloj byzylyku i thurur me penj me dy ngjyra - kuq e bardh - për një të ardhme të mirë e të bardhë.
Anila Hoxha, e cila po shiste verore në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, i tha Radios Evropa e Lirë se vendosja e tyre është domosdoshmëri, ndaj priste t’i shiste të gjitha që i kishte përgatitur.
Sipas traditës, verorja vendoset në Ditën e Verës dhe hiqet kur të shihet dallëndyshja e parë, ose hidhet në ujë që rrjedh.
Veroret vendosen edhe në pemë, në porta e dyer.
Viteve të fundit, atyre u shtohen edhe elemente të tjera, si shkronja apo nusepashka.
Një tjetër traditë e Ditës së Verës është ballokumja.
Kjo ëmbëlsirë përgatitet me miell misri, gjalpë, vezë të freskëta, sheqer dhe fi. Firi del nga hiri pasi të lahet disa herë dhe përdoret gjatë përzierjes së brumit.
Ballokumet gatuhen në enë të posaçme prej bakri. Pasi ndahen në forma rrumbullake, piqen në furrë.
Përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në Ditën e Verës kishte disa tezga që shisnin këso ëmbëlsirash.
Adile Saliu, 64 vjeçe, tha se ballokumet i gatuante që e vogël.
“Kam punuar 3-4 ditë për të bërë rreth 3 mijë ballokume, që sot i tregtoj në tri tezga. Gjithçka është bërë me produkte bio të zonës së Elbasanit. Një prej tyre kushton 150 lekë (ose 1.5 euro)”, tha Adilja, e cila vinte nga Elbasani - pjesa qendrore e Shqipërisë.
Një ditë më parë, ajo kishte shitur ballokume në qytetin e saj, ndërsa në Ditën e Verës zgjodhi të shiste në Tiranë.
Ajo besonte se do t’i shiste të gjitha gjatë ditës, pasi kështu kishte ndodhur edhe gjatë viteve të kaluara.
Dita e Verës dikur mblidhte familje, të afërm e fqinj, por tani është shndërruar në festë më masive.
Bashkitë kryesore në Shqipëri organizojnë aktivitete të shumta, me muzikë e lojëra, ku të gjitha grup-moshat mund ta gjejnë veten.
Si kryeqendra të kësaj feste njihen Elbasani dhe Tirana, të cilat stolisen me lule dhe ngjyra shumë.
Banda Frymore e Ushtrisë së Shqipërisë, me veshje tradicionale, parakaloi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa Ansambli i Këngëve dhe Valleve argëtoi qytetarët në Sheshin “Skënderbej”.
Artistët e Teatrit Kombëtar të Kukullave ofruan, po ashtu, shfaqje për fëmijë.
Në tryezën e drekës në këtë ditë shtrohen kryesisht gatime me barishte, si: byrekë me hithra dhe sallata me produkte të stinës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se kjo festë mblodhi në kryeqytetin e Shqipërisë edhe shumë turistë të huaj.