Ndërlidhjet

Në Shqipëri kërkohet liri dhe drejtësi për gratë dhe vajzat


Me moton “Nata është e jona” aktivistët e shoqërisë civile marshuan në Tiranë të premten mbrëma, duke kërkuar që të mos cenohet liria e grave dhe vajzave për të lëvizur natën në veçanti, 8 mars 2024.
Me moton “Nata është e jona” aktivistët e shoqërisë civile marshuan në Tiranë të premten mbrëma, duke kërkuar që të mos cenohet liria e grave dhe vajzave për të lëvizur natën në veçanti, 8 mars 2024.

Aktivistët e shoqërisë civile marshuan në Tiranë të premten mbrëma, duke kërkuar që të mos cenohet liria e grave dhe vajzave për të lëvizur natën në veçanti, si dhe kërkuan drejtësi për gratë viktima të dhunës seksuale.

Në marshin e organizuar në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Mars, aktivistët i bënë thirrje Qeverisë shqiptare të marrë masa konkrete kundër dhunës ndaj grave, si dhe kërkuan drejtësi për vajzat dhe gratë viktima të dhunës seksuale dhe përballje me drejtësinë për autorët.

Në shenjë proteste, protestuesit i dogjën të brendshmet para ndërtesës së Qeverisë shqiptare.

Me moton “Nata është e jona” marshimi nisi pikërisht në mbrëmje nga “Sheshi i Lirisë", nga ku protestuesit drejt ndërtesës së Qeverisë shqiptare, ndërtesës së bashkisë së Tiranës dhe përfundoi te “Sheshi Skënderbe”.

Me moton “Nata është e jona” aktivistët e shoqërisë civile marshuan në Tiranë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Mars.
Me moton “Nata është e jona” aktivistët e shoqërisë civile marshuan në Tiranë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Mars.

Më herët gjatë ditës, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, tha se femicidi është një problem shumë shqetësues që kërkon adresim të shpejtë në Shqipëri.

Gjatë vitit 2023, u vranë 12 gra dhe vajza, ndërsa në dy muajt e parë të këtij viti, nga 890 raste të denoncuara të dhunës në familje, 629 prej tyre viktima ishin gratë dhe vajzat, tha Balla duke folur në një tryezë për Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Ai tregoi gjithashtu se nga 456 urdhra për mbrojtjen e viktimës që janë lëshuar gjatë këtij viti, 350 prej tyre janë dhënë për gra dhe vajza.

Këto statistika tregojnë një “panoramë trishtuese”.

Edhe të dhënat për krimet seksuale tregojnë se shumica e të prekurve janë gra dhe vajza, konkretisht 103 nga 125.

Ministri i quajti “heroina” gratë dhe vajzat të cilat e denoncojnë dhunën, por tha se të dhënat e publikuara janë “vetëm maja e ajsbergut të këtij fenomeni shqetësues”.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, e vizitoi burgun e grave në zonën e “Ali Demit” në Tiranë, ku tha se numri i grave të dënuara me burgim që përfitojnë nga legjislacioni për amnisti, i përgatitur nga qeveria, është shumë i lartë, por nuk dha shifër konkrete.

Ai u bërë thirrje deputetëve të opozitës të votojnë për legjislacionin për amnisti, i cili ka mbetur peng prej disa kohësh në Kuvend e Shqipërisë.

Rreth 700 të dënuar nuk kanë arritur të përfitojnë ulje apo falje të dënimit, si pasojë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në Tiranë janë organizuar disa aktivitete që lidhen me ndërgjegjësimin për ta denoncuar dhunën, forcimin e rolit të gruas në shoqëri dhe fuqizimin ekonomik të saj.

"Siguria është kryefjala e kësaj proteste! Çdo ditë, të paktën një grua vritet, dhunohet, përndiqet, shantazhohet, fyhet ose shtyhet në vetëvrasje. Grave u rrezikohet siguria për jetën pa e nisur ende atë, nga aborti selektiv e deri te kujdesi shëndetësor jocilësor deri në fund të saj”, thuhet në thirrjen e aktivisteve për protestë.

Rreth 80 për qind e vajzave dhe grave të anketuara nga fondacioni Fredrich Ebert kanë thënë se ambienti më i pasigurt në Shqipëri ka qenë në transportin publik, 30 për qind e tyre e cilësojnë vendin e punës si të dytin më të pasigurtin, ndërsa shkollën si të tretin.

Nisur nga këto shifra alarmante, në Tiranë është ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësimi kundër ngacmimit seksual, që do të zgjasë një muaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG