Emri i Azerbajxhanit do të përmendet këto ditë si mikpritës i samitit global për klimën, dhe vëmendja për vetë shtetin nuk është e vogël.
Bëhet fjalë për një vend të pasur me naftë, mirëpo pavarësisht se çfarë organizimi ndërkombëtar mbahet aty, pjesa më e madhe e publicitetit është e keqe.
Për Bakunë ka qenë e pritshme që të kritikohet nga organizatat ndërkombëtare për të drejta të njeriut, sikurse Amnesty International apo Human Rights Watch, kur e ka fituar vitin e kaluar garën për të organizuar Konferenën e 29-të të Kombeve të Bashkuara për Klimën (COP29), që mbahet më 11-22 nëntor.
Megjithatë, ajo është kritikuar edhe në qarqet biznesore e financiare.
Në disa raportime të mediave me nam si Financial Times, apo The Economist, ky shtet është akuzuar për shfrytëzim të organizimit të konferencës, vetëm sa për t’iu ikur planeve të veta për klimën, për të “duartrokitur” reputacionin e presidentit autoritar, Ilham Aliyev, dhe për të “zbukuruar” regjimin, apo edhe për të hequr vëmendjen prej historikut të errët të respektimit të të drejtave të njeriut dhe shkeljeve tjera.
“Nuk mund të mos flas për fushatën e keqe që kanë bërë disa media, duke synuar të njollosin imazhin e Azerbajxhanit me pretekst të rremë”, ka thënë Aliyev publikisht në disa takime të mbajtura më 10 tetor, para nisjes së konferencës.
“Këto tentime nuk do të mund të marrim vëmendje nga misioni fisnik i të përballurit me ndikimet negative të ngrohjes globale”.
Dhe kjo nuk është hera e parë që Azerbajxhanit i ndodh diçka e tillë. Ky shtet njihet për organizim të ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare për të përmirësuar imazhin në skenën botërore.
Azerbajxhani ka qenë nikoqir i garës së Eurovisionit më 2012. Ky vend ka aplikuar vazhdimisht për t’i organizuar Lojërat Olimpike Verore, ndonëse nuk ka pasur sukses.
Megjithatë, ka pasur sukses në organizim të Lojërave Evropiane më 2015 dhe Lojërave Islamike më 2017.
Prej vitit 2017, në Azerbajxhan mbahen edhe garat e Formula 1, Grand Prix.
Qeveria e Azerbajxhanit organizon gjëra të tilla për “qëllime imazhi”, ka thënë Najmin Kamilsoy, analist dhe kandidat për doktoraturë në shkenca politike në Universitetin Charles në Pragë.
Në të njëjtën kohë, “Qeveria ka qenë shumë e ndjeshme ndaj vëmendjes negative të mediave ndërkombëtare para nisjes së konferencës”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.
“Ata dëshirojnë sa më shumë pjesëmarrës perëndimorë në COP29 dhe dëshirojnë që organizimi i tyre të konsiderohet i suksesshëm”.
Azerbajxhani është komentuar negativisht edhe kur janë organizuar këto konferenca të mëdha. Mirëpo, problemi mund të rritet me COP29, duke marrë parasysh rëndësinë globale të konferencës.
“Nuk mendoj që Qeveria është plotësisht e vetëdijshme që COP nuk është as Formula 1, as Eurovision, dhe që ky organizim ka implikime globale”, ka thënë Arzu Geybulla, gazetare azerbajxhanase dhe bashkautore e një raporti të ri për këtë vend nga instituti me bazë në Britani, Chatham House.
Organizatorët e COP29 e kanë paguar një kompani marketingu, Teneo, në vlerë të 4.7 milionë dollarëve për të menaxhuar imazhin publik të konferencës.
Një dokument i Teneos, që është publikuar nga Akti i Regjistrimit për Agjentë të Huaj në Shtetet e Bashkuara, tregon për qindra tentime për të kontaktuar me mediat, kryesisht ato në gjuhën angleze.
Njëra prej narrativave kyç të konferencës është që do t’i dedikohet “paqes”.
Kompania e marketingut e ka çuar përpara idenë e “COP dhe Paqja” duke iu bërë thirrje të gjitha palëve në botë që t’i ndalin luftimet, sidomos gjatë kohës sa mbahet organizimi.
Chatham House e ka parë idenë si “të papërputhshme”, duke marrë parasysh ofensivën e fundit ushtarake të Azerbajxhanit për të marrë nën kontroll Nagorno-Karabakun, dhe për presionin e vazhdueshëm që i bën Armenisë fqinje.
Sipas Institutit, agjenda e paqes e çorienton konferencën nga synimi kryesor, që janë sfidat e lidhura me klimën, dhe kështu i gjithë organizimi do të mund të dështojë.
Në tentim e sipër për t'i mposhtur fjalët e këqija, zyrtarë të Azerbajxhanit dhe mediat pro-qeveritare kanë marrë mësime nga narrativa e pushtetit, përfshirë vënien e fajit në lobin global të Armenisë.
Ministri i Azerbajxhanit për Ekologji dhe Rezerva Natyrore, Mukhtar Babayev, aktualisht president i COP29, i ka fajësuar njerëzit me qëllime të këqija.
“Azerbajxhani ka shënuar sukses të madh: rikthim të integritetit territorial, arritje ekonomike, pozicion të forcuar në skenën ndërkombëtare. Disa shtete nuk e shohin ashtu. Është e vështirë që ta vlerësojnë drejt. Megjithatë, ne presim fushata të tilla”, ka thënë ai.
Babayev i ka lavdëruar përfaqësuesit shtetërorë për marrëdhënie me publikun për punën e bërë.
“Falë punës së këtij ekipi profesional, nuk ka kaluar asnjë javë këtë vit, që nuk kemi ofruar informacion dhe nuk kemi dhënë deklarata për mediat ndërkombëtare”, ka thënë Babayev.
Si rezultat, Qeveria e Azerbajxhanit mund të mos jetë e shqetësuar nga të gjitha kritikat.
“I duket vetja e guximshme dhe plotësisht shpërfillëse në frontin e llogaridhënies”, ka thënë Geybulla.