Ndërlidhjet

Austin e viziton Ukrainën për ta siguruar për mbështetjen amerikane kundër Rusisë


Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, mirëpritet teksa mbërrin për një vizitë në Kiev, 20 nëntor 2023.
Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, mirëpritet teksa mbërrin për një vizitë në Kiev, 20 nëntor 2023.

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, ka mbërritur në Kiev të hënën në shenjë mbështetje për Ukrainën, pasi janë rritur shqetësimet se aleatët perëndimorë të Kievit, posaçërisht SHBA-ja - e cila është përkrahësi i tij më i madh ushtarak dhe financiar - janë “lodhur nga lufta”.

“Sapo mbërrita në Kiev për t’u takuar me liderët ukrainas”, shkroi Austin në rrjetin social X.

“Jam këtu sot për ta dhënë një mesazh të rëndësishëm – Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah Ukrainës në luftën e saj për liri kundër agresionit të Rusisë, tani dhe në të ardhmen”, shtoi Austin.

Kjo është vizita e dytë e Austinit në Ukrainë, i cili udhëtoi me tren drejt Kievit nga Polonia.

Uashingtoni i ka dhuruar Ukrainës ndihma ushtarake dhe të tjera në vlerë dhjetëra miliarda dollarë prej se Rusia e nisi pushtimin e saj të paprovokuar në shkurt 2022.

Derisa Austini mbërriti në Kiev, një ushtar ukrainas dhe një grua u vranë nga shpërthimi i një granate në një banesë në rrethinën e Kievit, Dnipro, thanë autoritetet në kryeqytetin ukrainas. Një person tjetër u plagos dhe u dërgua në spital.

Shkaktari i shpërthimi nuk dihet, tha policia, duke shtuar se hetuesit janë në vendin e ngjarjes duke u marrë me rastin.

Në fillim të këtij muaji, Hennadiy Chastyakov, ndihmës i komandantit të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valery Zaluzhny, u vra nga shpërthimi i një granate që i ishte dhënë atij si dhuratë për ditëlindje.

Ndërkohë, dy civilë u vranë të hënën në mëngjes kur trupat ruse granatuan Hersonin, tha shefi i administratës ushtarake në qytetin jugor ukrainas, Roman Mrochko.

Qeveria amerikane e ka përsëritur shumë herë se do t’i qëndrojë pranë Kievit sa të jetë e nevojshme.

Megjithatë, së fundmi janë rritur shqetësimet nëse Uashingtoni do ta vazhdojë mbështetjen për Kievin, pasi republikanët në Kongres e kanë kundërshtuar një gjë të tillë.

Ndihmat shtesë për Ukrainën nuk u futën në projektligjin e përkohshëm financiar të aprovuar nga Kongresi javën e kaluar, i cili u bë për ta shmangur mbylljen e Qeverisë amerikane.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG