Ndërlidhjet

Daalder: Ukraina humb vetëm nëse SHBA-ja ndalon mbështetjen


Sistemi i raketave taktike të ushtrisë (ATACMS) i prodhuar në SHBA - një nga sistemet më të fundit të armëve që Uashingtoni i ka ofruar Ukrainës.
Sistemi i raketave taktike të ushtrisë (ATACMS) i prodhuar në SHBA - një nga sistemet më të fundit të armëve që Uashingtoni i ka ofruar Ukrainës.

SHBA-ja, ose e dyfishon ndihmën për aleatët e saj të sulmuar, ose i lë sulmuesit të fitojnë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Ivo Daalder, ish-ambasador i SHBA-së në NATO.

“Është një moment i rëndësishëm që kombi të qëndrojë pranë atyre që janë si ne, që ndajnë vlerat tona, që qeverisen si demokraci, e që janë sulmuar”, thotë Daalder, duke iu referuar Ukrainës dhe Izraelit.

REL-i bisedoi me të pak orë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mbajti një fjalim drejtuar kombit, gjatë të cilit paralajmëroi se do të paraqesë një projektligj në Kongres për të kërkuar ndihmë për Ukrainën dhe Izraelin.

Biden tha se të dyja vendet demokratike po përballen me armiq që duan t’i asgjësojnë.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti Biden i është drejtuar popullit amerikan për nevojën për ndihmë për Izraelin dhe Ukrainën. Është vetëm hera e dytë gjatë tre vjetëve të tij në detyrë që ai i drejtohet popullit amerikan në këtë mënyrë. Pse duhej ta bënte këtë tani?

Ivo Daalder
Ivo Daalder

Ivo Daalder: Jemi në një pikë lakimi. Ne, ose e dyfishojmë mbështetjen e miqve dhe aleatëve tanë që janë sulmuar brutalisht - në rastin e Izraelit nga terroristët e Hamasit, në rastin e Ukrainës nga Rusia - ose i lëmë ata njerëz të fitojnë. Sepse, pa ndihmën tonë, pa udhëheqjen tonë, pa mbështetjen tonë, Izraeli nuk do të ishte në gjendje ta bëjë atë që duhet ta bëjë. Lufta mund të përhapet edhe përtej Izraelit.

Dhe, pa ndihmën tonë, Ukraina nuk do të jetë në gjendje ta arrijë atë që duhet ta arrijë: dëbimin e forcave ruse nga territori i saj.

Pra, është një moment i rëndësishëm që kombi të qëndrojë pranë atyre që janë si ne, që ndajnë vlerat tona, që qeverisen si demokraci, e që janë sulmuar - njësoj sikurse kombet e tjera që qëndruan në anën tonë, kur ne u sulmuam më 11 shtator [2001].

Problemi është se Kongresi nuk ka qenë në gjendje që t’i kalojë fondet e nevojshme. Dhe, unë mendoj se paketa për të cilën foli presidenti, që do të dërgohet nesër në Kongres - duke kombinuar ndihmën jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Izraelin, derisa ne mbledhim gjithashtu për Tajvanin dhe sigurinë kufitare - është një lloj i paketës që është shumë e vështirë për këdo në Kongres që të votojë kundër.

Radio Evropa e Lirë: Megjithëse Biden nuk foli për shumën, raportet e mediave thonë se ai do t’i kërkojë Kongresit 100 miliardë dollarë shpenzime të reja, përfshirë 60 miliardë dollarë për Ukrainën dhe 14 miliardë dollarë për Izraelin. Deri ku do ta çojë kjo Ukrainën në luftën e saj me Rusinë?

Ivo Daalder: Do ta financojë ndihmën për Ukrainën deri në fund të vitit 2024, pas zgjedhjeve presidenciale. Do ta çpolitizojë, në njëfarë mënyre, ndihmën për Ukrainën dhe Izraelin. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se është e rëndësishme që të vazhdojë.

Ideja se fitorja do të vijë, disi, nga humbja e mbështetjes perëndimore për Ukrainën - e cila ka qenë thelbësore në llogaritjet e Putinit - do të provohet edhe një herë si e gabuar".

Niveli i përgjithshëm do të jetë i mjaftueshëm për të vazhduar t’i sigurojmë Ukrainës llojet e armëve që ajo i ka marrë gjatë 600 ditëve sa zgjat kjo luftë: sisteme të mbrojtjes ajrore, predha artilerie, me sa duket tanke shtesë dhe automjete të blinduara dhe, me kalimin e kohës, raketa me rreze më të gjatë veprimi që sapo janë ofruar për herë të parë. Dhe avionë, për të cilët deri në fillim të vitit 2024, pilotët ukrainas do të jenë trajnuar.

Radio Evropa e Lirë: Si mund ta ndryshojë kjo llogaritjen ushtarake të Rusisë?

Ivo Daalder: Ajo i dëmton sërish llogaritjet e [presidentit rus] Vladimir Putin se Perëndimi është gati të shembet kur bëhet fjalë për mbështetjen e Ukrainës. Sepse, me rreth 60 miliardë që pritet t’i kërkojë presidenti [amerikan], ju ofroni një bazament të fortë të ndihmës së vazhdueshme ushtarake për Ukrainën.

Ju e kuptoni - nëse jetoni në Rusi - se Ukraina nuk do të largohet, se ajo do të ketë aftësi të vazhdueshme ushtarake për të luftuar. Ideja se fitorja do të vijë, disi, nga humbja e mbështetjes perëndimore për Ukrainën - e cila ka qenë thelbësore në llogaritjet e Putinit - do të provohet edhe një herë si e gabuar.

Kjo nuk do të thotë se ai do të kërkojë paqe. Ai do ta përshkallëzojë [situatën] me armë të tjera. Kjo do të thotë se kjo luftë ka të ngjarë të vazhdojë. Edhe pse lëvizja përgjatë frontit nuk ka qenë e madhe dhe domethënëse si vitin e kaluar, ajo po ec dhe po ec kundër rusëve dhe në favor të ukrainasve.

Dhe kështu, në një moment, dikush mund të shpresojë se njerëzit në Rusi do të thonë: ‘pse po paguajmë një çmim për tokën që - një - nuk është e jona dhe - dy - nuk është veçanërisht e vlefshme’. Kështu, filloni të keni një proces të presionit të brendshëm që Rusia të ndryshojë. Për këtë ka të bëjë kjo luftë - kush mund ta durojë luftën më gjatë.

Radio Evropa e Lirë: Raportohet se të dyja palët kanë probleme me njerëz.

Ivo Daalder: Qartazi, të dyja palët janë në gjendje të dislokojnë ende njerëz për të vazhduar luftën. Çështja e vërtetë nuk ka të bëjë me burrat - dhe, në rastin e Ukrainës, edhe me gratë - por me moralin. Dhe morali i trupave ukrainase... edhe pse lufta është e ashpër, ata e dinë se për çfarë po luftojnë. Ata po luftojnë për diçka që i brengos shumë - është toka e tyre.

Morali i rusëve - shumë prej të cilëve janë të detyruar të dalin në front kundër dëshirës dhe po përballen me bombardime dhe luftime të tmerrshme - po dobësohet dhe do të dobësohet me kalimin e kohës. Se sa do të ndikojë kjo në të vërtetë në luftimet në terren, mbetet për t’u parë. Mesa duket, me afrimin e dimrit, intensiteti i luftimeve në terren do të ngadalësohet dhe do t’iu mundësojë njerëzve ta marrin veten.

Por, sa më gjatë që vazhdon kjo luftë, aq më shumë balanca e fuqisë do të zhvendoset kundër Rusisë dhe në favor të Ukrainës. Dhe, mendoj se këtë po përpiqej ta thoshte presidenti [Biden]. Sepse, e vetmja mënyrë që Ukraina humb, është nëse ne ndalojmë ta mbështesim atë. Dhe ky është interes i askujt.

Radio Evropa e Lirë: Paketa e ndihmës e SHBA-së do t’i lejonte Shtetet e Bashkuara t’i rimbushin rezervat e armëve, disa prej të cilave kanë qenë shumë të pakta. Po në Evropë?

Ivo Daalder: Evropa është më prapa sa i përket rikonstituimit të industrisë së saj të mbrojtjes. Edhe pse Bashkimi Evropian është një aktor i fortë ekonomik, sidomos në sektorin e mbrojtjes, atje ka një interes shumë të fortë kombëtar për t’i ruajtur kapacitetet kombëtare. Pra, është pak më pak efikas se tregu shumë më i madh i SHBA-së. Por, megjithatë, tani ka një angazhim në të gjithë Evropën, jo vetëm për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen, por edhe për të filluar më shumë prodhim.

Dhe, kështu, ato vendime që janë marrë gjatë vitit të kaluar, do të fillojnë të japin fryte në prodhime më të mëdha të artilerisë, të raketave dhe platformave si tanke dhe avionë, që janë të nevojshëm për t’u dërguar [në Ukrainë].

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG