Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se Serbia e ka shkelur rëndë Marrëveshjen e Brukselit për vizita zyrtare, për shkak se ia ka pamundësuar vizitën në Beograd, vizitë kjo e cila ishte paraparë të niste ditën e enjte.
Ish-presidentja Jahjaga është ftuar të marrë pjesë në festivalin "Mirëdita, Dobar dan", i cili po mbahet në Beograd, për të marrë pjesë në promovimin e librit "Dua të dëgjohem: Libri i kujtimeve me tregime të grave që kanë përjetuar dhunë në luftën e fundit në Kosovë”. Fjalimi i ish-presidentes Jahjaga për temën të cilën e trajton libri, është paraparë të bëhet të premten, më 2 qershor, në Qendrën për Dekontaminimin Kulturor.
Ish-presidentja Jahjaga, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se Serbia ia ka pamundësuar hyrjen e sigurt në këtë shtet, duke u thirrur më pas në justifikime absurde. Ish-presidentja Jahjaga ka shpjeguar se autoritetet e Kosovë i kanë njoftuar me kohë autoritetet e Serbisë për vizitën e saj dhe se përgatitjet për vizitën janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.
Sipas saj, shteti serb është dashur të garantojë sigurinë e saj gjatë rrugës për në Beograd, por se në pikën kufitare në Merdarë, në anën serbe të kufirit, nuk ka pasur ekip policor që do të garantonte sigurinë.
“Arsyetimi ka qenë shumë banal, kinse zyrtarët e mi të sigurimit nuk janë prezantuar, çka nuk ka qenë e vërtetë sepse në hyrjen e tyre të parë, në pikën kufitare në Merdare në anën e Serbisë, janë prezantuar se janë mbrojtja e afërt e ish-presidentes së Republikës së Kosovës, dhe të cilët i kanë të gjitha dokumentet, siç e parasheh Marrëveshja e Brukselit për lehtësimin e kalimit të pikës kufitare. Dhe kur kanë pyetur se ku është sigurimi që do ta përcjellë, ashtu siç e parasheh marrëveshja presidenten Jahjaga, përgjigja e tyre ka qenë se nuk ka sigurim dhe sigurimi nuk ka ardhur”, tha Jahjaga.
Jahjaga ka shpjeguar se pjesëtarët e sigurimit të saj të afërt, kanë tentuar katër herë që të sqarojnë situatën me palën serbe, por këto tentime kanë qenë të kota. Më pas, sipas saj, sigurimi i saj i afërt nuk ka lejuar që ajo ta vazhdojë rrugën, pa garantim të sigurisë nga shteti serb, autoritetet e të cilit kishin ndërprerë çdo komunikim.
“Totalisht komunikimi është ndërprerë, përkundër qindra tentimeve të ambasadorit tonë, që është shef i Zyrës ndërlidhëse në Beograd, që të komunikojë me zyrtarët e ministrisë, me zyrtarët e sigurisë, është ndërprerë totalisht komunikimi. Do të thotë nuk ka pasur asnjë përgjigje. Përgjigja e vetme ka ardhur pas orës 5 pasdite, me këto arsyetimet kinse nuk janë prezantuar si duhet atje”, tha Jahjaga.
Ish-presidentja Jahjaga theksoi se nuk ka iluzione që autoritetet e sotme të Serbisë do ta ndryshojnë qasjen e tyre ndaj Kosovës sepse, siç tha ajo, “sjellja e tyre është e njëjtë sikurse në vitet e nëntëdhjeta, kur ata edhe ishin protagonistët kryesorë”.
Megjithatë, sipas saj, e gjithë kjo është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit dhe u mbetet autoriteteve të Kosovës që të mendojnë për masa reciproke, si dhe të kërkojnë nga Bashkimi Evropian të sqarojë se pse shkelet kjo marrëveshje.
“Mosgatishmëria dhe mosvullneti i autoriteteve të Serbisë, për implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, nuk shkon në frymën e normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve tona”, u shpreh Jahjaga.
Ish-presidentja Jahjaga, megjithatë ka falënderuar organizatorët e festivalit “Mirëdita, Dobar dan”, ku është dashur të marrë pjesë në promovimin e librit.
Festivali ka nisur të mërkurën mbrëma, më 31 maj, dhe është penguar përkohësisht nga pjesëtarë të lëvizjes ekstreme djathtiste "Zavetnici".
Të enjten, një grup prej qindra personash janë tubuar para Shtëpisë së rinisë në Beograd, ku edhe po mbahet festivali “Mirdita, Dobar dan!”. Ata kanë ofenduar dhe u kanë hedhur ujë organizatorëve të Festivalit të Iniciativës së të rinjve për të drejta të njeriut. Para Shtëpisë së Rinisë, të tubuarit kishin vendosur stenda me përmbajtje ofenduese për shqiptarët e Kosovës, ndërkohë që disa dhjetëra policë, të cilët qëndronin aty pranë, nuk kanë reaguar.
Facebook Forum