Ndërlidhjet

A po bëhet i pakuptimtë Asociacioni?


Një grafit në Prishtinë ku shkruan: "Tensione për Asociacion". Fotografi nga arkivi.
Një grafit në Prishtinë ku shkruan: "Tensione për Asociacion". Fotografi nga arkivi.

Të gjitha institucionet e Serbisë në Kosovë - nga komunat deri te shkollat e spitalet - do të duhej të përfshiheshin në Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që pritet të themelohet.

Kjo është paraparë në një draft-statut të këtij asociacioni, të hartuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe të pranuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në lidhje me këtë dokument, Kurti ka siguruar se është shkruar “me kujdes dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Por, javëve të fundit, autoritetet e rendit kanë ndërmarrë disa aksione që kanë rezultuar me mbylljen e së paku shtatë komunave paralele serbe, përfshirë ato në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë.

Për ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, këto veprime tregojnë se “koha e paligjshmërisë ka përfunduar” dhe se institucion i vetëm i Serbisë brenda Kosovës “do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”.

Përfaqësuesit serbë, në anën tjetër, kanë reaguar me zemërim, ashtu si edhe bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se hapat e tillë i rrisin tensionet etnike.

Reagimet kanë qenë të ngjashme edhe pas hyrjes në fuqi të një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës, më 1 shkurt, me të cilin është ndaluar përdorimi i dinarit serb në Kosovë pas më shumë se dy dekadash.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar në disa adresa pyetjen se a po e bëjnë të pakuptimtë Asociacionin veprimet e fundit të autoriteteve në Kosovë.

Qeveria e Kosovës nuk u përgjigj, por në një komunikatë për media Kurti tha se institucionet kanë gatishmëri që ta adresojnë “në mënyrë të shpejtë çdo shqetësim” të ngritur lidhur me çështjen e rregullores që e ndalon përdorimin e dinarit.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, sugjeroi që të merret si referencë një reagim i lëshuar nga blloku më 4 shkurt.

Sipas tij, çështja e institucioneve të udhëhequra nga Serbia në Kosovë, duhet të zgjidhet në dialogun që ndërmjetëson BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit.

Çka thonë analistët?

Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në LSE IDEAS - Shkolla e Londrës për Ekonomi, thotë se “është e domosdoshme të kujtohet se qëllim fillestar i Asociacionit ka qenë shpërbërja e strukturave paralele serbe dhe jo fortifikimi i tyre”.

Për themelimin e këtij asociacioni, Kosova dhe Serbia janë pajtuar qysh në vitin 2013, por autoritetet në Kosovë kanë ngurruar ta zbatojnë marrëveshjen, nga frika se kompetencat e Asociacionit mund të ndikojnë në funksionalitetin e shtetit.

Në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik, ka këmbëngulur deri vonë Kurti.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Hartwell thotë se në dritën e regjimit të Aleksandar Vuçiqit në Serbi, i cili “gjithnjë e më shumë kërcënon ta përshkallëzojë konfliktin me Kosovën”, Kurti duket se është fokusuar “në dy fronte”.

Në njërën anë po ndërmerr masa “për të forcuar pavarësinë e Kosovës”, duke goditur strukturat paralele serbe, që me ligj të Kosovës janë të paligjshme, dhe në anën tjetër “po përpiqet ta pozicionojë Kosovën në rrugë drejt BE-së”, thotë Hartwell.

“Duke mandatuar përdorimin e euros për të gjithë, përfshirë serbët e Kosovës, Kurti jo vetëm që sinjalizon përkushtimin e palëkundur të Kosovës për integrim në BE, por, gjithashtu, synon t’i frenojë hyrjet e paligjshme financiare nga Beogradi në veri të Kosovës”, thekson analisti.

Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e ka përdorur monedhën e saj për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe pagat për institucionet paralele që ka në Kosovë që nga paslufta më 1999.

Për këtë vit, zyrtarisht është bërë e ditur se nga buxheti i saj ka ndarë mbi 139 milionë euro për Kosovën.

Por, Hartwell thotë se nëse merret parasysh “natyra e fshehtë e transaksioneve me para të gatshme në dinarë”, disa vlerësime sugjerojnë se bëhet fjalë për një kontribut financiar vjetor që varion “nga 300 deri në 500 milionë euro” për serbët e Kosovës.

“Kjo mbështetje financiare përbën 10 deri në 15 për qind të të gjithë buxhetit të Qeverisë së Kosovës. Si e tillë, pasojat e mundshme të ndikimit të tillë financiar nga regjimi i Vuçiqit janë domethënëse”, thotë Hartwell.

Ai thotë se një alternativë e këtij asociacioni do të mund të ishte “përqafimi i diversitetit si aset shoqëror”. Qasja aktuale mund të nxisë pa dashje një “formë aparteidi” midis grupeve të ndryshme të identitetit, sipas tij.

Por, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, mendon se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës, si për dinarin, ashtu edhe për strukturat paralele serbe, “nuk e bëjnë të pakuptimtë Asociacionin”.

Sipas tij, autoritetet po përpiqen ta bëjnë më të qartë situatën kushtetuese dhe ligjore para se ta formojnë Asociacionin.

“Me masat që Qeveria kosovare po ndërmerr kundrejt veprimeve të deritashme ilegale, ne po provojmë që ta shuajmë një situatë kundërkushtetuese dhe kundërligjore, në mënyrë që të krijohen kushtet për ta vënë në jetë Asociacionin dhe aktivitetet tjera, të cilat në një rrethanë tjetër do të ishin krejtësisht të ligjshme dhe kushtetuese”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Në këtë rast, kritik ndaj bashkësisë ndërkombëtare shprehet Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin.

Ai thotë se si Bashkimi Evropian, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara “duhet të pranojnë se politika e tyre e deritashme ka dështuar”.

Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi - e arritur vitin e kaluar, përkatësisht dhjetë vjet pas Marrëveshjes për Asociacionin - nuk do të zbatohet, po ashtu.

Sipas tij, rrugë e vetme për zgjidhje të përhershme mes Kosovës dhe Serbisë janë “negociatat për marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse” që do të çonin në njohje të ndërsjellë.

Si janë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë?

Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës dhe ta ketë në preambulë të Kushtetutës si pjesë të territorit të saj.

Dy vendet janë të angazhuara në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011, por dhjetëra marrëveshjet e arritura mes tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.

Bashkësia ndërkombëtare ka rritur trysninë ndaj Kosovës për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Serbia kërkon që ta njohë de facto Kosovën.

Të dyja këto i parasheh Marrëveshja e Ohrit, për të cilën palët janë dakorduar gojarisht.

Serbia, përmes subjektit Lista Serbe, vazhdon ta dirigjojë politikën e serbëve në Kosovë.

Derisa serbët në jug të Ibrit janë integruar kryesisht në sistemin e Kosovës, ata në veri kanë mbetur nën direktivat e Serbisë.

Veriu, ku jetojnë rreth 50.000 serbë, ka qenë shpesh edhe skenë e tensioneve dhe dhunës.

Dhuna më e rëndë ka kulmuar në shtator të vitit të kaluar, kur persona të armatosur serbë kanë sulmuar policinë e Kosovës në fshatin e Banjskës, duke vrarë një polic.

Kontribuoi: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG