Ndërlidhjet

Asociacioni varet nga mirëvajtja e dialogut në Bruksel


Ilustrim
Ilustrim

Ende nuk ka një afat kohorë se kur do të nisë procesi i formimit të Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, si obligim që buron nga Marrëveshja e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këtë e konfirmojnë përfaqësuesit e Listës Serbe dhe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Igor Simiq, deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës dhe zëdhënës i këtij subjekti politik, thotë për Radion Evropa e Lirë, se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet nevojë parësore e serbëve, si një organizim që do t’i artikulonte dhe unifikonte interesat e tyre në hapësirën e Kosovës.

Deri më tash, sipas tij, disa herë janë caktuar afate për formimin e Asociacionit, të cilat nuk janë respektuar.

Edhe tash, në qoftë se dikush përmend afate, rrallëkush beson në to. Unë nuk i dëshiroj rrëfimet dhe propozimet se si duhet apo çka duhet të përmbushet marrëveshja. Jo nesër, pasnesër ose sot, por kjo është dashur të bëhet shumë më herët. Kjo fatkeqësisht nuk ka ndodhur. Por, kjo nuk do të thotë se ne do ta harrojmë këtë çështje dhe ta tejkalojmë atë”, tha Simiq.

Në anën tjetër, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë thënë se kjo e fundit do ta ketë qasjen mjaft konstruktive lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, nuk ka precizuar ndonjë afat të caktuar kohorë se kur do të nisë procesi i formimit të Asociacionit.

Asociacioni ose Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë, tashmë është një e drejtë kushtetuese dhe ajo do të ndodhë në afat optimal. Do të thotë, jo me urgjencë, sepse nuk është ndonjë urgjencë, por do të ndodhë në afat optimal dhe në bazë të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, përkatësisht në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, thotë Matoshi.

Në anën tjetër, Simiq thotë se është e palogjikshme që Lista Serbe sërish ta ngritë çështjen e formimit të Asociacionit në Qeverinë e Kosovës, në të cilën bën pjesë edhe kjo listë, përderisa ekziston marrëveshja për të.

Kjo nuk do të thotë që ne tash të organizojmë mbledhje dhe të themi ‘ja që nga tash do ta nisim formimin’. Kjo është dashur të bëhet më herët, sepse kjo çështje është e ngritur dhe e hapur. Ta them me fjalorin sportiv, topi është në anën e Prishtinës dhe ata duhet ta bëjnë pjesën e tyre të punës”, tha Simiq.

Megjithatë, nisja e procesit për formimin e Asociacionit, sipas Matoshit është e ndërlidhur edhe me procese tjera, të cilat priten në muajt e ardhshëm.

Është një proces, mirëpo kjo, megjithatë, të jemi realist, varet e dhe nga proceset tjera, e sidomos nga mirëvajtja e rifillim të negociatave të dialogut Prishtinë - Beograd, dialog i cili, sipas Qeverisë së Kosovës, nuk ka alternativë”, thekson Matoshi.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, buron nga Marrëveshja e Parë e Parimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel më 19 prill të vitit 2013. Marrëveshja për Asociacionin, ishte arritur më 25 gusht 2015, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 23 dhjetor 2015, pati vlerësuar se disa nga parimet e përgjithshme të marrëveshjes për Asociacionin, nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sidoqoftë, Lista Serbe edhe më herët pati deklaruar se do të insistojë që formimi i Asociacionit të bëhet sipas marrëveshjes së vitit 2013, por kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Asociacioni do të formohet në bazë të asaj që parasheh Kushtetuta e vendit, duke respektuar edhe të gjeturat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG