Ndërlidhjet

Asociacioni, ndërmjet Kushtetutës dhe negociatave politike


Mitrovicë (Foto nga arkivi)
Mitrovicë (Foto nga arkivi)

Formimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe ka mbetur peng i kërkesave politike të përfaqësuesve politikë të bashkësisë serbe në Kosovë, përballë verdiktit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të dhjetorit të vitit 2015, ku thuhet se Marrëveshja e Brukselit për Asociacionin e vitit 2015, në disa pika nuk është në harmoni me Kushtetutën e vendit, vlerësojnë deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe njohës të çështjeve juridike kushtetuese.

Ekipi menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit, i cili përbëhet nga katër serbë, ka shprehur edhe më herët skepticizmin se Asociacioni nuk mund të ketë kompetenca në rast se formohet bazuar në vlerësimet e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, janë nxitur debatet se Asociacioni do të mund të formohet nëpërmjet një ligji të veçantë, që do t’i jepte Asociacionit kompetenca ligjore të rëndësishme, për t’i krijuar pavarësinë e nevojshme në raport me autoritetet qendrore të vendit.

Zenun Pajaziti, deputetet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, pjesë e koalicionit në pushtet, thotë për Radion Evropa e Lirë se idesë për një ligj të veçantë për Asociacionin, duhet qasur me kujdes dhe se askush në Kosovë nuk ka mandat që ta anashkalojë Kushtetutën e vendit.

“Në mënyrë eksplicite, për këtë çështje, Gjykata Kushtetuese e ka dhënë një opinion dhe mendoj që të gjithë ne jemi të thirrur që ta ruajmë këtë opinion. Por, procesi i bisedimeve, tash, na nxjerr në situata, në të cilat një marrëveshje e mundshme në mes dy palëve (Kosovës dhe Serbisë) me ndërmjetësimin e partnerëve tanë, mund të rezultojë edhe me ndryshime ligjore dhe të tjera te të dyja palët. Mendoj se ne nuk kemi ardhur ende në këtë pikë. Duhet t’ia lëmë procesit të bisedimeve, të dialogut, mundësinë që të nxjerrin në pah kërkesat, të dy palët”, thotë Pajaziti.

Mazllum Baraliu, profesor i së Drejtës Kushtetuese, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se kërkesat e Grupit menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit, janë të papranueshme, sepse janë në s’përputhje të tërësishme me Kushtetutën e Kosovës dhe me gjithë legjislacionin e vendit.

“Ata e duan një ligj kushtetues, me të cilin do të rregulloheshin të gjitha çështjet, por që në fakt e krijojnë një krijesë, republikë brenda republikës. Pra, një krijesë kuazishtetërore, por që në fakt është shtetërore, me ingerenca dhe kompetenca edhe vendimmarrëse dhe më tepër se ekzekutive, duke përfshirë edhe pavarësinë ekonomike brenda saj. Janë kërkesa të papranueshme dhe në s’përputhje edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në të cilin ka konstatuar që mbi 23 herë është shkelur Kushtetuta në njërën prej dy marrëveshjeve të Brukselit. Gjithashtu, janë në s’përputhje edhe me vetë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, thekson Baraliu.

Profesor Baraliu shton se kërkesa e serbëve për një ligj kushtetues për Asociacionin, është krejtësisht në kundërshtim me konceptin e një shteti unitar, i cili është në përmbajtjen e Kushtetutës së Kosovës.

Por, çfarë në rast se kërkesa e palës serbe në dialogun e Brukselit, do të jetë formimi i Asociacionit sipas një ligji të veçantë?

Deputeti Pajaziti thotë se nuk duhet paragjykuar rrjedha e dialogut.

“Unë i kam parë debatet, tash që kanë dalë këto dy ditë, rreth statutit të Asociacionit. Mendoj që ne duhet të presim propozimet e palëve. Po e përsëris që askush nuk ka mandat në vendin tonë që të bëjë diçka që është në kundërshtim me Kushtetutën. Nëse ka një propozim të tillë, ne duhet të hyjmë në një proces tjetër të ri, një proces të ndryshimeve kushtetuese. Mendoj që nuk kemi ardhur në këtë pikë dhe shpresoj që të mos vijmë”, shprehet Pajaziti.

Por, profesor Baraliu shpreh mendimin se në asnjë mënyrë nuk duhet ofruar hapësirë që të shtrohen nismat apo idetë eventuale të Ekipit menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit apo kujtdoqoftë tjetër, për një ligj të veçantë apo ligj kushtetues për Asociacionin.

“Nga të tilla fjalë, iniciativa dhe propozime për projekt-statute, mund të krijohen realitete, të cilat në fakt e rrezikojnë funksionimin e Republikës së Kosovës si shtet dhe për më tepër si shtet republikë e qytetarëve. Rrezikojnë barazinë e qytetarëve dhe krijojnë disbalanse dhe situata asimetrike në dobi të dikujt, pra, duke favorizuar në këtë rast komunitetin serb përmes këtij Asociacioni dhe duke diskriminuar të gjitha komunitetet tjera, pakicë dhe shumicë”, vlerëson Baraliu.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka dorëzuar në fund të qershorit një raport kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me punën e Ekipit menaxhues, i cili është i ngarkuar për hartimin e statutit të Asociacionit.

Zyrtarët nga Qeveria e Kosovës nuk kanë dashur të flasin lidhur me kërkesat eventuale të këtij Ekipi menaxhues, si dhe për ndonjë përgjigje eventuale të Qeverisë ndaj atyre kërkesave.

Formimi i Asociacionit të komunave serbe nga Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, shihet si çështja kyçe në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG