Ndërlidhjet

Asnjë i vdekur këtë vit nga ethet hemorragjike


QKUK
QKUK

Gjatë këtij viti asnjë person nuk ka vdekur si pasojë e etheve hemorragjike, krime kongo. Ndryshe, kanë qenë mbi 1 mijë qytetarë në gjithë Kosovën, që kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga pickimi i rriqrave.

Infektologu Sali Ahmeti, i tha Radios Evropa e Lirë se sivjet me gjithë rastet e evidentuara si të dyshuara, nuk ka pasur sëmundje të etheve hemorragjike, krime kongo.

Ka pasur pickime nga zonat endemike, por pas hospitalizimeve të disa rasteve të dyshimta, asnjë rast nuk ka rezultuar me sëmundje të etheve hemorragjike, krime kongo”, ka thënë Ahmeti.

Ajo që i ka shqetësuar këtë vit infektologët, kanë qenë ethet e minjve, ku tashmë një person ka vdekur në Kosovë.

Kanë qenë pesë raste me ethe të minjve, prej të cilëve një rast ka vdekur dhe të tjerët janë shëruar”, ka thënë Ahmeti.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, bashkë me grupin ndërministror, ku hyn edhe Ministria e Bujqësisë, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Mjedisit, ka disa vite që po zbatojnë planin operacional për parandalimin e sëmundjes së etheve hemorragjike.

Nga ethet hemorragjike, vetëm gjatë vitit 2013, kanë vdekur 11 persona, ndërkohë që shifrat tregojnë se të pickuar nga rriqrat ishin 5,200 persona.

Zonat e identifikuara endemike me rriqra janë Malisheva, Rahoveci, Suhareka dhe Klina.

Vetëm në Komunën e Malishevës, gjatë këtij viti, nga rriqrat janë pickuar mbi 800 qytetarë. Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, Nuhi Morina bën të ditur se prej këtij numri, nëntë pacientë janë transferuar në spitalin e Prishtinës, në Klinikën Infektive.

Kanë qenë mbi 800 raste të pickuara, por asnjë rast nuk ka qenë i diagnostikuar me ethe hemorragjike. Krahasuar me vitet e kaluara, situata ka qenë shumë e mirë dhe ka ndikuar repelimi i kafshëve, ligjëratat nëpër shkolla se si të mbrohen nga rriqrat, e shumë fushata që janë bërë për parandalim të etheve hemorragjike”, tha Morina.

Sidoqoftë, edhe kafshimi i gjarpërinjve ka qenë problem gjatë këtij viti. Kafshimi nga gjarpri mund të kalojë në sëmundje, që njihet si mjaft serioze, kanë thënë profesionistë shëndetësorë.

Infektologu Sali Ahmeti tha se gjatë këtij viti ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive kanë kërkuar disa qytetarë, kryesisht gjatë muajve maj dhe qershor, e më pas është stabilizuar situata dhe pacientët nuk kanë qenë në rrezik për jetë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG