Ndërlidhjet

Rreth 100 mijë raste në vit të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë


QKUK
QKUK

Në Kosovë, gjatë vitit, sipas të dhënave aktuale, infektohen me sëmundje ngjitëse rreth 100 mijë njerëz. Sipas zyrtarëve shëndetësorë, numri i rasteve të reja që infektohen me sëmundje ngjitëse, është rreth 6 mijë në 100 mijë banorë.

Këto shifra i ka dhënë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë.

Infektologët në vend thonë se stina e verës është ajo që zakonisht sjell shpërthime epidemike të sëmundjeve të caktuara.

Sali Ahmeti infektolog, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se janë ethet e minjve si dhe ethet hemorragjike krime-kongo, që shfaqen nga pickimi i rriqrave, sëmundjet me të cilat janë duke u përballur këto ditë.

Tashmë një person ka vdekur nga ethet e minjve, derisa dy persona janë të shtrirë në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare si të dyshuar për ethe hemorragjike, krime-kongo.

“Kosova është vend endemik, me mundësinë e shpërthimeve epidemike nga ethet hemorragjike. Me shpërthime epidemike të herë pas hershme lajmërohen këto shpërthime, zakonisht çdo tre katër vite”, thotë Ahmeti.

“Në raport me vitet e kaluara, këtë vit kemi filluar të kemi raste më të shpeshta me ethet e minjve apo sindromin veshkor. Janë katër raste që janë prekur, derisa një ka përfunduar me vdekje”, thekson ai.

“Me ethe hemorragjike, krime kongo, kemi raste të dyshura ku po trajtohen, por fatmirësisht nuk ka të vdekur këtë vit. Këto janë sëmundje me mundësi shpërthimi epidemik”, nënvizon Ahmeti.

Ndërkaq tek fëmijët, sëmundja më e shpeshtë ndër vite, që ka shënuar edhe shpërthim epidemik, është diarreja. Kështu thotë Muharrem Avdiu, pediatër, njëherësh drejtor i Klinikës Pediatrie në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas tij, vetëm gjatë natës mes 20 dhe 21 qershorit, janë shënuar 5 raste të cilat janë hospitalizuar nga diarreja. Kjo sipas Avdiut është shënjë se kjo sëmundje po avancon.

“Sindromën akute diareale e kemi të pranishme. Në fillim të stinës së verës, kjo sëmundje lajmërohet dhe situata ka ndryshuar për të keq. Konsiderojmë se deri kah mesi i korrikut sëmundja do të jetë shumë e pranishme. Ditëve të fundit ne e kemi repartin plot”, thekson Avdiu.

Sëmundja e diarresë po e përcjell Kosovën çdo vit, thotë ai.

“Diarreja është problem i përsëritshëm akoma në Kosovë, përkundër përmirësimit të kushteve jetësore. Nuk është situata e vrazhdë si viteve paraprake, por që është evidente”, ka thënë Avdiu.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, epidemiologia Pranvera Kaçaniku Gunga, thotë se sëmundjet ngjitëse raportohen në këtë institucion dhe ky i fundit ka mundësi menaxhimi, pasi laboratorët, sipas saj, i identifikojnë sëmundjet brenda 24 orësh.

“Çdo sëmundje e cila raportohet brenda 24 orëve bashkë me mostrën e sëmundjes, i menaxhojmë dhe ofrojmë rezultatin brenda 24 orëve. Çdo vit ne regjistrojmë rreth 100 mijë raste të sëmundjeve ngjitëse. Institucionet shëndetësore janë të obliguara me ligj t’i raportojnë sëmundjet në institucionin tonë. Andaj, mund të them se viteve të fundit nuk kemi pasur shpërthime të mëdha epidemike të ndonjë sëmundjeje të caktuar”, thotë Gunga.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka theksuar ajo, është në gjendje që brenda 24 orëve të sigurojnë konfirmimin laboratorik, pas mostrave të marra për rastet e dyshuara.

“Për këtë verë janë raportuar ethet hemorragjike, diarreja, e që janë karakteristike për sezonin e verës”, ka thënë Gunga.

Sido që të jetë, Kosova në vitet e fundit ka raportuar si shpërthim epidemik edhe tulareminë. Sëmundja ngjitëse përhapet nga ndotja e ujit dhe kafshët e infektuara kryesisht brejtësit, të cilat kontaminojnë ushqimin dhe ujin e pijshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG