Ndërlidhjet

Çfarë u arrit në takimin e parë të Bashkësisë Politike Evropiane?


Presidenti i Turqisë duke biseduar me liderët armenë, azerbajxhanas dhe hungarez në një samit të BE-së në Pragë.
Presidenti i Turqisë duke biseduar me liderët armenë, azerbajxhanas dhe hungarez në një samit të BE-së në Pragë.

Liderët e pothuajse të gjitha vendeve evropiane u mblodhën në kryeqytetin çek, në Pragë, më 6 tetor për takimin inaugurues të Bashkësisë Politike Evropiane. A është kjo vetëm një platformë tjetër diskutimesh? Apo një forum i dobishëm për arritjen e objektivave?

Radio Evropa e Lirë analizon pikat kryesore nga një ditë e karakterizuar me takime të shumta.

Cili është qëllimi i Bashkësisë Politike Evropiane?

Shumë njerëz, përfshirë disa zyrtarë nga vende të ndryshme evropiane, pyetën paraprakisht veten se cili ishte qëllimi i këtij takimi. Ishte diçka e panjohur ose siç u shpreh një diplomat, "një kanavacë bosh". Përveç kësaj, a nuk ka mjaft samite, institucione dhe organizata që bëjnë bashkë politikanët e kontinentit? Me sa duket jo.

Duke gjykuar nga udhëzimet dhe deklaratat zyrtare, gjatë dhe në fund të një dite plot me seanca plenare, takime dypalëshe dhe tryeza të rrumbullakëta, konkluzioni duket se tregon që Bashkësisë Politike Evropiane ishte me të vërtetë diçka pozitive dhe se liderëve u pëlqente formati "më i lirë", në të cilin të gjithë dukej sikur haseshin me njëri-tjetrin në labirintin e korridoreve në Kështjellën e Pragës. Askush nuk e vuri në dyshim dobinë e tij -- të paktën nga jashtë.

Pra, çfarë është Bashkësisë Politike Evropiane, atëherë? Nuk kishte asnjë deklaratë përfundimtare; ende nuk ka një strukturë të vërtetë, as buxhet, as sekretariat, apo për sa i përket kësaj çështjeje as flamur dhe logo. "Një platformë joformale" është mënyra se si nikoqiri i këtij organizimi, kryeministri çek, Petr Fiala, e përshkroi duke vënë në dukje se ky komunitet politik ofronte një hapësirë për të diskutuar të gjitha llojet e çështjeve aktuale midis vendeve që rrallë herë takohen me njëri tjetrin. Presidenti francez, Emanuel Macron, iniciatori i kësaj nisme, e quajti këtë komunitet, "një mundësi për të ndërtuar një intimitet strategjik në Evropë".

A u arrit, vërtet, diçka?

Në vija të trasha, tri gjëra. Së pari, që ka kuptim të vazhdojë kjo nismë.

Së dyti, tri vendtakimet e ardhshme: kryeqyteti moldav i Kishinauit në maj 2023, ndjekur nga Spanja më vonë po atë vit, dhe më pas në Mbretërinë e Bashkuar në gjysmën e parë të vitit 2024. Vendet nikoqire do të jenë me rotacion midis 27 vendeve anëtare të BE-së dhe 17 vendet jashtë BE-së.

Por, arritja e tretë dhe më e rëndësishmja ishte ndoshta vetë takimi, ose të paktën vlera simbolike e tij. Mes luftës në Ukrainë, më e madhja në kontinent në dekadat e fundit, të gjithë të ftuarit u paraqitën, edhe pse mund të mos binin dakord për shumë çështje. Kur historianët shikojnë foton e përbashkët të bërë në Pragë, bien në sy dy përjashtime të bujshme: Bjellorusia dhe Rusia. Vetëm ky imazh tregon shumë.

Të pranishmit duke pozuar për një fotografi gjatë Samitit të mbajtur në Kështjellën e Pragës.
Të pranishmit duke pozuar për një fotografi gjatë Samitit të mbajtur në Kështjellën e Pragës.

Për sa i përket atyre vendimeve që u morën në të vërtetë, gjithçka ishte mjaft e paqartë. Për samitin e ardhshëm në Moldavi, liderët do të punojnë në "projekte të përbashkëta".

Ndërsa nuk kishte asgjë konkrete, Macron vuri në dukje disa fusha ku ai mendonte se është mundur të ketë më shumë bashkëpunim: të sigurohet infrastruktura kyçe si tubacionet, kabllot dhe satelitët; rritja e kapaciteteve ndaj sulmeve kibernetike; krijimi i një fondi mbështetës për Ukrainën; hartimi i një politike të përbashkët energjetike pan-evropiane; dhe të shqyrtohet mundësia për të pasur më shumë shkëmbime universitare dhe studentore.

Të gjithë të buzëqeshur...Apo?

Duke marrë parasysh që kaq shumë politikanë ishin të pranishëm, ishte një ngjarje mjaft e qetë. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, shumë shpesh polemizues në këto lloj takimesh, dukej në humor të mirë dhe kryeministrja britanike Liz Truss, e cila politikisht nuk po kalon javën më të mirë në shtëpi, dukej se po kënaqej. Madje, ajo deklaroi se Macron ishte "një mik" pasi dyshoi publikisht gjatë verës, në marrëdhënien e saj me presidentin francez gjatë fushatës së kryesisë së Partisë Konservatore Britanike.

Por, nëse gërvisht pak nën sipërfaqe dhe mund të shihej qartë se ekzistonte pak tension. Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, përdori pjesën më të madhe të fjalimit të tij për të kritikuar Gjermaninë, duke thënë se Berlini nuk mund të diktojë politikën evropiane mbi energjinë -- duke krijuar kështu tension për atë që mund të ndodhë gjatë një samiti jozyrtar i liderëve të BE-së më 7 tetor. Gjithçka në atë takim, nga kufizimet e çmimit të gazit dhe ndërhyrjet në tregun e energjisë do të tregojnë përçarjet reale brenda BE-së.

Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, gjithashtu pati rezervat e tij për Kroacinë, duke akuzuar Zagrebin për heqjen e një paragrafi nga paketa më e fundit e sanksioneve të BE-së, në të cilën Serbia dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që nuk kanë dalje në det do të përfitonin nga një përjashtim, që do t’i lejonte ato të importonin ende naftën ruse (bruto) në det.

Charles Michel (nga e majta në të djathtë), Nikol Pashinian, Emmanuel Macron dhe Ilham Aliyev u takuan disa herë në Pragë, më 6 tetor.
Charles Michel (nga e majta në të djathtë), Nikol Pashinian, Emmanuel Macron dhe Ilham Aliyev u takuan disa herë në Pragë, më 6 tetor.

Edhe presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, nuk e humbi rastin për ta trazuar disi atmosferën, duke e përdorur kohën që kishte në dispozicion gjatë darkës së përbashkët, për të akuzuar Greqinë për përshkallëzimin e tensioneve – komente të cilave kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, iu kundërpërgjigj duke thënë se Ankaraja duhet të ndalojë së sfiduari sovranitetin e ishujve grekë.

Vazhdojnë bisedimet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

Gjithçka nisi me një foto të hershme që doli nga samiti ku shfaqeshin lideri i Armenisë dhe ai i Azerbajxhanit, Nikol Pashinian dhe Ilham Aliyev, së bashku me Macronin, Erdoganin dhe kryeministrin hungarez, Victor Orban. Më tutje pasoi një takim i organizuar zyrtarisht midis dyshes, Macronit, dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili është përfshirë gjithnjë e më shumë në përpjekjet për të ulur tensionet midis Bakut dhe Jerevanit pas përleshjeve të fundit kufitare.

Ky takim zgjati më shumë se një orë dhe sipas raportimeve ata u takuan përsëri më vonë në të njëjtin format. Dhe, pas konferencave të fundit për shtyp në mbrëmjen e 6 tetorit, kur shumica e liderëve të tjerë ishin larguar prej kohësh, i njëjti kuartet u kthye në sallën e mbledhjeve për një raund tjetër bisedimesh.

Një burim që kishte njohuri për këtë çështje, e që deshi të mbetej anonim, më tha se çifti i Kaukazit jugor në fakt biseduan me njëri-tjetrin shumë herë në prag të samitit.

Pas një nate të gjatë, ata arritën në një marrëveshje, sipas së cilës Armenia do të mundësojë një mision civil të BE-së për dy muaj përgjatë kufirit të saj me Azerbajxhanin, duke filluar që nga mesi i tetorit -- një mision me të cilin Baku ra dakord të bashkëpunonte.

Mbetet për t’u parë se çfarë ndryshimi do të sjellë kjo marrëveshje në marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve, por vlen të përmendet se, si Armenia, ashtu edhe Azerbajxhani duket se e njohin ndikimin në rënie të Rusisë në rajon dhe nevojën për të kërkuar gjetkë për ndërmjetës.

Përgatiti: Besmir Nenaj

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG