Ndërlidhjet

Përfundon protesta në veri pas lirimit të dy politikanëve serbë


Alleksandar Arsenijeviq nga partia Demokracia Serbe mbrapa flamurit serb (në mes), pasi u lirua disa orë pasi ishte arrestuar në Mitrovicë të Veriut, për pengim të zyrtarëve që po lyenin murin afër urës kryesore mbi Ibër, 8 gusht 2024.
Alleksandar Arsenijeviq nga partia Demokracia Serbe mbrapa flamurit serb (në mes), pasi u lirua disa orë pasi ishte arrestuar në Mitrovicë të Veriut, për pengim të zyrtarëve që po lyenin murin afër urës kryesore mbi Ibër, 8 gusht 2024.

Protestuesit e mbledhur para stacionit policor të Mitrovicës së Veriut u shpërndanë pasi autoritetet liruan dy politikanët serbë, që u arrestuan më herët gjatë 8 gushtit.

Alleksandar Arsenijeviq dhe Stefan Vellkoviq nga partia Demokracia Serbe, u arrestuan në Mitrovicë të Veriut, për pengim të zyrtarëve që po lyenin murin afër urës kryesore mbi Ibër.

Kjo shtyri serbët e punësuar në institucionet publike serbe në Mitrovicë të Veriut që të protestonin. Në mesin e protestuesve kishte edhe udhëheqës të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit.

“Arsenijeviq u arrestua për pengim të një zyrtari gjatë kryerjes së detyrës dhe për mosdëgjimin e urdhrave të policisë.Ne kemi marrë informacionin në jug, prokurori është aty dhe thotë se do të marrë deklaratën e tyre, do të ndiqet procedura normale dhe ata do të lirohen deri në orën 18:00”, tha më herët zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, për gazetarët në Mitrovicë të Veriut.

Mitrovicë e Veriut: Testohet ura e Ibrit dhe zhvillohet debat me qytetarë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:01 0:00

Lidhur me arrestimin e politikanëve serbë kishte reaguar Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe. Kjo zyrë deklaroi se ata u arrestuan pasi nuk lejuan që të "përdhoseshin simbolet serbe".

“Arrestimi i tyre brutal dëshmon se serbët kanë të drejtë të jenë shumë të shqetësuar për sigurinë dhe ekzistencën e tyre në Kosovë, veçmas në dritë të synimit të hapjes së urës mbi Ibër që sot u tregua me arrestimin brutal dhe hakmarrjen, pikërisht pranë urës”, u tha në reagim.

Arrestimi i Arsenijeviqit dhe Vellkoviqit u bë në ditën kur në Mitrovicë të Veriut u mbajt një debat për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Para nisjes së debatit, në komunën e Mitrovicës së Veriut shkuan anëtarë të partisë së Arsenijeviqit, që kërkuan nga Elshani të shpejgojë pse ishin arrestuar dy anëtarët e kësaj partie.

Në debat morën pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, të komunës së Mitrovicës së Veriut, teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u kishte bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në të për “shprehur shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.

Qeveria e Kurtit, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafik.

Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky mision ka përsëritur se nuk do të ngurrojë të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Ushtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t'i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG