Javën e kaluar, forcat ruse depërtuan nëpër vijat ukrainase në fshatin Oçeretnje, duke e shfrytëzuar vrullin që kishin marrë në shkurt nga pushtimi i qytetit industrial, Avdivka, rreth 25 kilometra në juglindje. Komandantët i zëvendësuan shpejt trupat ushtarake, të rraskapitura nga lodhja, me një brigadë tjetër që kishte luftuar në zonë për më shumë se një vit.
Rreth një orë udhëtim me makinë në veri, trupat ruse, duke përfshirë njësitë elitare të parashutistëve, me vështirësi kanë depërtuar në një kanal të rëndësishëm në Çasiv Jar, vendbanim ky që ofron pamje më të mirë për artilerinë që ka cak një linjë hekurudhore kritike të furnizimit për forcat e Ukrainës.
Ndërkohë, qindra kilometra në jugperëndim, këmbësoria ruse depërtoi në një pjesë të fshatit Robotnje, fshat të cilin trupat ukrainase e rimorën në një kundërofensivë të shumëpërfolur të vitit të kaluar, e cila ishte shumë larg objektivave të saj.
Komandanti i përgjithshëm i Ukrainës nuk i ka kursyer fjalët.
"Situata në front është përkeqësuar", tha gjeneralkoloneli Oleksandr Syrskiy në një postim në Telegram më 28 prill. Forcat ruse, sipas tij, "po sulmonin në mënyrë aktive përgjatë gjithë vijës së frontit me suksese taktike në disa zona".
Të rrethuar dhe pa armatim, forcat ukrainase morën një mbështetje që ua ngriti moralin e luftës javën e kaluar, kur ligjvënësit amerikanë më në fund miratuan një paketë ndihme prej 60 miliardë dollarësh të dominuar nga armët: raketa kundërajrore; municion për armë të vogla; sisteme obusësh 105 milimetërshe dhe 155 milimetërshe; predha për sistemet e artilerisë HIMARS me precizitet të lartë, automjete luftarake të këmbësorisë Bradley etj.
Kjo paketë u miratua disa muaj që nga donacionet e fundit thelbësore.
Por, pozicioni i Ukrainës në fushën e betejës është i zymtë.
Forcat e saj janë të pakta në numër. Pavarësisht se qeveria më në fund miratoi një ligj të ri për mobilizim, që synon përfshirjen e më shumë burrave në luftë, do të duhen javë, nëse jo muaj, përpara se trupat e reja të stërviten, pajisen dhe të jenë në gjendje të bëjnë ndonjë ndryshim thelbësor në front.
Në këtë situatë, komandantët rusë duket se kanë marrë një vendim për të rritur ritmin e operacioneve, duke synuar fitore të mëdha për t'u mburrur përpara festimeve kombëtare të Ditës së Fitores më 9 Maj.
"Në përgjithësi, ne po humbasim ngadalë territor", tha Ivan Stupak, një analist me Institutin Ukrainas për të Ardhmen, një institut kërkimi në Kiev, duke shtuar se Rusia po fokuson përparimin e saj të vazhdueshëm në një front të ngushtë të fushëbetejës në rajonin e Donjeckut.
“Shtabi i Përgjithshëm i Rusisë ka vendosur më shumë fuqi punëtore dhe pajisje në Donjeck nga drejtime të tjera”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
"Kështu që tani Rusia po i thyen ngadalë vijat tona të mbrojtjes".
"Ne kemi arritur në pikën ku situata në vijën e parë është më e keqja që nga marsi i vitit 2022", tha Konrad Muzyka, një analist i mbrojtjes me bazë në Poloni, i cili udhëton rregullisht në Ukrainë.
“Epërsia numerike e rusëve vazhdon të rritet e me të, edhe numri i sulmeve”, tha ai në një postim për X, dikur Twitter. "Ukraina ende nuk e ka pasur orën më të errët. Ajo nuk ka filluar ende".
"Ukraina nuk ka mundësi të mira edhe me pakon e fundit të ndihmës. Shumë analistë ushtarakë kanë arritur tashmë në këtë përfundim, privatisht, por nuk janë të gatshëm ta shprehin atë", tha Eugene Rumer, një ish-analist i lartë i Rusisë në Këshillin Kombëtar të Inteligjencës së SHBA-së.
Gjendje e vështirë
Iniciativa në fushën e betejës është zhvendosur disa herë që kur Rusia nisi pushtimin e saj masiv në shkurt të vitit 2022. Ukraina pengoi avancimin e Rusisë në kryeqytetin, Kiev, por forcat pushtuese kapën pjesë të territorit në rajonet jugore Herson, Zaporizhja, Donjeck, Luhansk, dhe rajonin e Harkivit në lindje.
Ukraina befasoi trupat ruse me dy kundërofensiva të lokalizuara në vjeshtën e vitit 2022, duke rimarrë sasi të konsiderueshme toke në rajonet Harkiv dhe Herson.
Ukraina më pas, pjesën më të madhe të muajve në vijim i kaloi duke përgatitur, trajnuar dhe pajisur nëntë brigada të reja të blinduara, me armatim perëndimor dhe ndihmën e NATO-s.
Katër brigada të tjera morën gjithashtu armatim perëndimor dhe në qershor të vitit 2023 Kievi nisi një kundërofensivë në tri drejtime.
Megjithatë, ajo u lëkund, e penguar nga linjat e gjera mbrojtëse ruse.
Në anën tjetër, forcat ruse u rritën edhe më shumë, të përforcuara nga brigada të të burgosurve dhe një mobilizim i madh i urdhëruar nga presidenti Vladimir Putin.
Infrastruktura industriale e Rusisë u mobilizua për të furnizuar vazhdimisht ushtrinë me artileri, municion dhe automjete.
Në shkurt të vitit 2024, trupat ukrainase u detyruan të tërhiqen nga Avdivka, një qytet industrial që i kishte dhënë Ukrainës një pikë të favorshme mbi kryeqytetin rajonal të Donjeckut.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkarkoi komandantin e famshëm të vendit, gjeneralin Valeriy Zaluzhniy, pasi publikisht dha një vlerësim pesimist për trajektoren e luftës.
Baticat, që atëherë janë kthyer më shumë kundër Ukrainës, pjesërisht për shkak se fluksi i ndihmës i SHBA-së dhe armatimeve të tjera perëndimore u ngadalësua në një rrjedhë mospajtimesh të brendshme politike në Uashington.
Rusia ka përfituar nga mungesa e mbrojtjes kundërajrore, duke përdorur bomba me eksplozivë të rëndë të pajisura me krahë dhe navigacion satelitor me efekt shkatërrues.
"Na pret një situatë e vështirë në të ardhmen e afërt. Por, nuk do të jetë katastrofike, le të jemi të qartë", tha për BBC Kyrylo Budanov, shef i Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës. "Nuk do të ketë Armagedon, siç thonë shumë... por do të jetë një periudhë e vështirë. Mesi i majit, fillimi i qershorit".
Por, kritikët thonë se Qeveria Zelensky ishte gjithashtu e ngadaltë për t'i dhënë përparësi ndërtimit të vijave të saj mbrojtëse përgjatë vijës së frontit prej 1200 kilometrash, pasi u bë e qartë se fuqia taktike e Rusisë po rritej. Qeverisë iu deshën muaj për të miratuar legjislacionin e ri që synonte të angazhonte më shumë burra në front.
Mungesa e luftëtarëve të rinj ishte "urgjencë" për Ukrainën, problem ky që u "përkeqësua nga mungesa e armëve dhe municionit", tha Rob Lee, një ish-marins amerikan dhe bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme.
"Situata relative e fuqisë punëtore është ndoshta faktori më i rëndësishëm që do të përcaktojë trajektoren e luftës, veçanërisht nëse Rusia mund të mbajë rekrutimin e 20-30 mijë vetave në muaj", tha ai në një postim në X.
Sipas vlerësimeve perëndimore, numri i viktimave nga ana e Rusisë - të vrarë dhe të plagosur - është rreth 450.000, megjithëse një gjeneral i lartë i ushtrisë amerikane muajin e kaluar dha një shifër më të ulët – rreth 315.000.
Numri i viktimave nga e Ukrainës është gjithashtu i madh. Zelensky, në shkurt, për herë të parë bëri publike humbjet luftarake, duke thënë se 31.000 trupa janë vrarë në dy vjetët e mëparshëm. Ky numër u vlerësua gjerësisht si numër i madh.
Brigadat e Ukrainës, aktualisht, po operojnë me vetëm 40 për qind të kapacitetit të tyre fillestar, për sa i përket personelit dhe automjeteve, sipas Frontelligence Insight, një organizatë kërkimore e të dhënave e drejtuar nga një oficer rezervë ukrainas.
"Situata në vijën e frontit pritet të stabilizohet me ardhjen e municioneve të reja, armatimit dhe rekrutëve të sapomobilizuar, por të trajnuar", tha grupi. "Megjithatë, stabilizimi nuk pritet menjëherë, pasi do të duhet kohë për të armatosur, trajnuar dhe përgatitur rekrutët e rinj".
"Putini nuk ka gatishmëri për t'u dorëzuar"
Analistë ukrainas dhe perëndimorë thonë se Rusia ka vendosur rreth 25.000 mijë trupa, duke përfshirë disa brigada elitare parashutistësh dhe pushkësh automatike, në përpjekjen e saj për të pushtuar Çasiv Jar. Pushtimi i tij do të lejonte artilerinë ruse të kërcënonte qytetin e kryqëzimit hekurudhor të Kostijantnivka, në jug, dhe disa nga linjat e furnizimit ku mbështeten njësitë e Ukrainës.
Kjo, nga ana tjetër, mund t’i rrezikojë qytetet më të mëdha si Kramatorsku dhe Slovijansku, rreth 30 kilometra në veri, në të cilat janë disa fabrika industriale, kanë popullsi më të madhe dhe janë më të fortifikuara.
Ushtria ukrainase dhe analistët hapur thonë se forcat ruse kaluan shkurtimisht kanalin në anën lindore të Çasiv Jarit në fillim të kësaj jave, por nuk ishin në gjendje ta mbanin atë.
Analistët ukrainas thonë, gjithashtu, se Rusia po mbështetet në taktikën e përdorur gjatë marrjes së Bahmutit vitin e kaluar: sulmi me valë këmbësorie i stilit të Luftës së Parë Botërore, me njësi të përbëra nga ish të burgosur dhe të burgosur të trajnuar dobët, të ndjekur nga njësi më elitare.
Forcat ruse kanë përparësi, tha Mick Ryan, gjeneral në pension i ushtrisë australiane, dhe ata "do të shtyjnë fort për të shfrytëzuar sa më shumë mundësinë e tyre përpara se ndihma ushtarake e SHBA-së të arrijë në javët e ardhshme".
Ndërkohë, në Oçeretnje raportime të pakonfirmuara thonë se përparimi rus mund të ketë qenë pjesërisht për shkak të një tërheqjeje, ndoshta të paautorizuar ose të parakohshme, nga Brigada 115 Mekanike.
Një tjetër njësi e stërvitur dhe e pajisur nga NATO-ja, e cila kishte luftuar prej muajsh në rajon, Brigada e 47-të e Mekanizuar, u urdhërua të kthehej në rrethin e fshatit, për t’i përforcuar linjat mbrojtëse.
Komandantët ushtarakë, tani, thuhet se po hetojnë komandën e njësisë dhe forcave ukrainase që u është dashur të tërhiqen drejt perëndimit nga tri fshatra në skajet jugore të Oçeretnjes.
"Armiku ka depërtuar dhe ka fituar një terren në një pjesë të Oçeretnjes”, tha në një paraqitje televizive nënkoloneli dhe zëdhënësi ushtarak Nazar Voloshyn duke shtuar se, “po merren të gjitha masat për të rrëzuar armikun nga aty”.
"Ukraina po zhvillon një luftë kundër një armiku që nuk tregon prirje për ta ndalur agresionin e tij dhe as për të negociuar", tha Rumer.
Rumer, i cili tani është drejtor i Programit të Rusisë dhe Euroazisë në Carnegie Endowment for International Peace, shkroi një koment më 25 prill.
"Duke vënë bast të gjithë presidencën e tij për këtë luftë, Putini nuk tregon gatishmëri të heqë dorë. Nevoja e Ukrainës për ndihmë, edhe me zbatimin e një strategjie mbrojtëse për një afat të gjatë, është e pafund. A janë Uashingtoni dhe Brukseli gati për të?".