Ndërlidhjet

Ukraina: Situata në lindje është përkeqësuar në mënyrë në konsiderueshme


Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrsky.
Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrsky.

“Situata në frontin lindor është përkeqësuar në mënyrë të konsiderueshme ditëve të fundit” pas intensifikimit të ofensivës ruse, ka thënë komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrsky.

Syrsky, i cili e ka marrë këtë pozitë në shkurt, pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka shkarkuar paraardhësin e tij, Valery Zaluzhny, ka thënë se rusët kanë armë superiore.

Ai ka folur të shtunën për “intensifikim të madh të ofensivës së armikut pas zgjedhjeve presidenciale në Rusi”, në mesin e marsit, dhe ka shtuar se vendimet po merren “për forcim të mbrojtjes në zonat më problematike, përmes luftës elektronike dhe mbrojtjes ajrore”.

“Armiku është duke sulmuar vazhdimisht pozicionet tona në Liman dhe Bahmut përmes sulmeve grupore, të mbështetura prej pajisjeve të armatosura. Në sektorin në Pokrovsk, ata po tenton të thyejnë mbrojtjen tonë, duke përdorur dhjetëra tanke dhe bartëse të armatosura të personelit”.

Ai ka thënë se Rusia “po shton përpjekjet në luftë, duke angazhuar njësite të reja të armatosura, të arrijnë sukses taktik”.

“Çështja e arritjes së superioritet teknik ndaj armëve të teknologjisë së lartë të armikut, është ngritur sërish. Vetëm kjo do të na mundësojë të mposhtim një armik të madh dhe të krijojmë kushte për një iniciativë strategjike”, ka thënë ai.

“Problemi i dytë serioz është që të përmirësojmë kualitetin e trajnimeve të personelit ushtarak, në mënyrë që të përdoren sa më mirë pajisjet dhe armët perëndimore”.

Gjenerali i lartë amerikan, Christopher Cavoli, ka paralajmëruar ditë më parë se Ukraina nuk do të mund ta përballojë e vetme luftën kundër Rusisë, teksa një paketë masive e ndihmës amerikane vazhdon të jetë e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara.

Ndihma është bllokuar prej disa republikanëve konservatorë, të cilët besojnë se çështjet e brendshme në SHBA duhet të kenë prioritet.

Edhe presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky, ka paralajmëruar se pozicioni ushtarak i Ukrainës është duke u dobësuar për shkak të mungesës së municionit dhe armëve, sidomos ato për mbrojtje ajrore, për shkak të bllokimit të ndihmës amerikane.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG