Ndërlidhjet

Grupet e armatosura pakistaneze marrin armët e SHBA-së që mbetën në Afganistan


Dy ushtarë duke gjujtur me mitralozë M-249 në një lokacion të panjohur.
Dy ushtarë duke gjujtur me mitralozë M-249 në një lokacion të panjohur.

Kur Shtetet e Bashkuara tërhoqën forcat e tyre nga Afganistani më 2021, pas vetes lanë pajisje ushtarake dhe armë në vlerë prej rreth 7 miliardë dollarësh, përfshirë edhe armë zjarri, pajisje komunikimi dhe autoblinda.

Talibanët i morën këto armë pas rënies së Qeverisë afgane, që mbështetej nga Perëndimi, e cila u rrëzua pas tërheqjes kaotike të SHBA-së, duke i mundësuar grupit islamik të linjës së ashpër të ketë rezerva të mëdha të pajisjeve të luftës.

Që nga marrja e kontrollit të Afganistanit nga talibanët, disa pajisje ushtarake dhe armë amerikane janë parë në Pakistanin fqinj, shtet në të cilin, sipas ekspertëve dhe zyrtarëve të sigurisë, janë përdorur nga grupet e armatosura.

Vëzhguesit kanë thënë se armët amerikane kanë rritur aftësitë ushtarake të grupit militant, Tehrik-e Taliban të Pakistanit (TTP) dhe të grupeve separatiste të baluçëve etnikë, që po kryejnë kryengritje kundër Qeverisë në Pakistan. Ky shtet është përballur me rritje të dhunës gjatë dy vjetëve të fundit.

“Këto armë kanë rritur aftësinë vdekjeprurëse të këtyre grupeve”, tha Asfandyar Mir, analist i lartë në Institutin për Paqe të SHBA-së. Ai shtoi se tregu i zi me armët amerikane po lulëzon në Pakistan.

Ekspertët kanë thënë se grupet e armatosura kanë marrë nën posedim armë dhe pajisje të avancuara amerikane sikurse mitralozë M16, pushkë sulmuese M4, syze për shikim gjatë natës dhe pajisje ushtarake për komunikim.

Ndikimi “i tmerrshëm”

Abdul Sayed, një hulumtues që punon në Suedi dhe gjurmon TTP-në, tha se qasja e këtij grupi militant në armë të sofistikuara të luftës ka pasur ndikim “të tmerrshëm” , veçmas krahasuar me forcat policore pakistaneze që nuk janë të pajisura me armë të avancuara.

Një zyrtar policor nga provinca veriperëndimore e Kiber Paktunkvas – rajon që ka përjetuar sulmet më të rënda të kryera nga TTP – tha për Radion Evropa e Lirë se zyrtarët policorë janë shënjestër e lehtë për militantët.

“Faktin qëndron në atë se ata mund të na shohin ne në errësirë dhe ne nuk mund t’i shohim. Kjo u jep terroristëve një përparësi shumë të madhe”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar që të fliste për mediat.

Një ushtar me syze për shikim gjatë natës, të cilat mundësojnë vëzhgimin dhe manovrimin e ushtarëve në të gjitha kushtet atmosferike.
Një ushtar me syze për shikim gjatë natës, të cilat mundësojnë vëzhgimin dhe manovrimin e ushtarëve në të gjitha kushtet atmosferike.

Moazzam Jah Ansari, ish-shef i policisë në Kiber Paktunkva, u tha gazetarëve nëntorin e vitit të kaluar se militantët “kanë marrë armët e sofistikuara që u lanë pas nga amerikanët dhe kanë nisur luftën kundër policisë [së kësaj province]”.

Sulmet e TTP-së në Pakistan janë rritur që kur talibanët morën pushtetin në Afganistan. Dy grupet militante janë aleate në aspektin ideologjik dhe organizativ.

Sipas Institutit për Studime të Paqes në Pakistan (PIPS), me seli në Islamabad, numri i sulmeve terroriste në këtë shtet është rritur për 27 për qind vitin e kaluar krahasuar me vitin 2021. Të paktën 419 persona janë vrarë, ndërkaq 734 janë plagosur në 262 sulmet terroriste që ndodhën vitin e kaluar.

Ka pak sinjale se numri i sulmeve do të bjerë. Më 15 janar, zyrtari i lartë policor, Sardar Hussain Khan, dhe dy policë u vranë në qytetin veriperëndimor të Peshavarit, me snajper, që ishte i pajisur me rreze termike, thanë autoritetet.

TTP-ja ka publikuar një sërë videos të sulmeve të kryera me snajperë ndaj postblloqeve policore përgjatë kufirit perëndimor të Pakistanit me Afganistanin gjatë dy vjetëve të fundit.

“Nuk ka mundësi reale për t'i tërhequr armët”

Në marsin e vitit të kaluar, Pentagoni raportoi para Kongresit se në Afganistan ishin lënë avionë luftarakë, armë, makina, municion, pajisje të specializuara sikurse syzet për shikim gjatë natës dhe pajisje biometrike. Pentagoni tha se vlera e këtyre armëve që janë lënë pas është pothuajse 7.2 miliardë dollarë.

Një zyrtar taliban i tha Al Jazeera-s se grupi ka konfiskuar mbi 300.000 armë të lehta, 26.000 armë të rënda dhe rreth 61.000 automjete ushtarake.

Pentagoni i tha agjencisë mbikëqyrëse të Qeverisë amerikane, SIGAR, se aktualisht “nuk ka mundësi reale për tërheqjen e materialeve të mbetura në Afganistan, marrë parasysh fatin se SHBA-ja nuk njeh Qeverinë e krijuar nga talibanët”.

Pentagoni nuk u është përgjigjur kërkesave të REL-it për të komentuar për këtë çështje.

Talibanët kanë hedhur poshtë pretendimet se kanë furnizuar luftëtarët e TTP-së me armë dhe pajisje amerikane. Grupi, po ashtu, ka minimizuar sugjerimet se i ka shitur këto armë në tregun e zi.

“Nëse disa prej këtyre armëve janë kontrabanduar, ato janë shumë pak dhe nuk paraqesin shqetësim të madh”, tha për Radion Azadi të REL-it zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid.

Mujahid pretendoi se disa ish-anëtarë të forcave të sigurisë të Afganistanit i kanë shitur armët e tyre pas rënies së Qeverisë në Kabul, që njihej ndërkombëtarisht.

“Jashtëzakonisht i cenueshëm”

Pronarët pakistanezë të armëve kanë thënë se tregu i zi është vërshuar nga armët amerikane që kur talibanët morën kontrollin e Afganistanit.

“Është sikurse në vitet ’80, por kësaj here shumë armë perëndimore janë të qasshme”, tha Gohar Bacha, pronar i armëve nga Kiber Paktunkva.

Gjatë asaj kohe, shtetet perëndimore kishin dërguar armë në vlerë prej miliona dollarësh te muxhahedinët afganë, që ishin në Pakistan. Ky grup islamik, i mbështetur nga SHBA-ja, atëbotë luftonte kundër forcave sovjetike që kishin pushtuar Afganistanin më 1979. Muxhahedinët ishin të armatosur kryesisht me armë kineze dhe me armë sovjetike, që kishin arritur t’i merrnin nga armiku.

Bacha tha se armët e reja amerikane, që gjenden në tregun e zi, “janë të një kualiteti të mirë dhe shumë vdekjeprurëse”. Ai tha se pushkët e prodhimit amerikan, M4, që janë në gjendje të mirë, mund të blihen me rreth 1.400 dollarë. Pajisjet amerikane të komunikimit ushtarak, sikurse radiot Harris Engineering Falcon, mund të blihen me rreth 3.500 dollarë.

Militantët nuk janë të vetmit që po blejnë armë perëndimore në tregun e zi pakistanez.

Një burokrat i Qeverisë në provincën jugperëndimore të Baluçistanit, i tha Radios Evropa e Lirë se ai së fundmi bleu një pistoletë Glock, të prodhuar në Austri, për 1.500 dollarë.

“U ndjeva shumë i cenueshëm, prandaj dëshiroja të kisha një armë të sigurt”, tha ky burokrat që foli në kushte anonimiteti. Ai tregoi se ka pranuar kërcënime përmes telefonit nga grupet e armatosura.

“Siguria dhe qeverisja po bien me shpejtësi, prandaj njerëzit janë të detyruar që ta mbrojnë veten”, tha ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG