Ndërlidhjet

Armëpushimi ndal luftimet në Rripin e Gazës


Rripi i Gazës, 30 mars, 2019.
Rripi i Gazës, 30 mars, 2019.

Liderët palestinezë në Gaza janë pajtuar për arritjen e armëpushimit me Izraelin të hënën, në mënyrë që t’i japin fund përshkallëzimit dyditor të situatës, që ka kërcënuar me zgjerim të luftës, kanë thënë disa zyrtarë që kanë qenë në dijeni për marrëveshjen, transmeton agjencia e lajmeve AFP.

Një zëdhënëse e ushtrisë izraelite ka mohuar të komentojë për këtë marrëveshje, derisa nuk është raportuar të ketë pasur ndonjë nisje të raketave izraelite, pasi armëpushimi ka nisur së zbatuari, ka thënë një korrespodent i kësaj agjencie në Gaza.

Egjipti ka ndërmjetësuar marrëveshjen për të ulur armiqësitë, ka thënë një zyrtar i Hamasit dhe një tjetër nga grupi Xhihadi Islamik, në kushte anonimiteti.

Një zyrtar nga Egjipti po ashtu ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes.

Pajtueshmëria për këtë dokument ka ardhur pas dhunës më serioze që ka shpërthyer në Gaza në mes të militantëve të Izraelit dhe palestinezëve nga lufta e vitit 2014.

Situata është përshkallëzuar të shtunën, me nisjen e raketave masive nga Gaza, duke nxitur nisjen e një morie të raketave nga Izraeli edhe në ditën e diel.

Sulmet ajrore në qytetin e Gazës, 25 mars, 2019.
Sulmet ajrore në qytetin e Gazës, 25 mars, 2019.

Të paktën 23 palestinezë, duke përfshirë nëntë militantë, është raportuar se janë vrarë.

Përveç tyre janë vrarë edhe katër civilë në Izrael, tre prej të cilëve kanë qenë banorë të këtij vendi.

Tensionet janë rritur në këtë zonë, pasi Hamasi ka kërkuar hapa shtesë nga Izraeli me qëllim të lehtësimit të bllokadave ekzistuese, sipas një armëpushimi të mëparshëm të ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Kombet e Bashkuara.

Andaj Izraeli është përballur me presion për qetësim të situatës dhe për ndalim të nisjes së raketave në jug të shtetit.

Ky vend pritet të shënojë ditën e pavarësisë më vonë gjatë javës si dhe do të jetë nikoqir i garës së Eurovison-it në Tel Aviv nga 14-18 maj.

Sa i përket anës tjetër, Gaza ka shënuar nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Zyrtarët palestinezë në Gaza kanë akuzuar Izraelin për mosmarrje të masave, ashtu që të largohet bllokada e premtuar sipas marrëveshjeve paraprake për armëpushim.

Në prag të luftës

Militantët izraelitë dhe ata palestinezë në Gaza kanë luftuar tre luftëra nga viti 2008 dhe përshkallëzimi i fundit i ka sjellur ata në prag të një konflikti të ri.

Dita e diel është konsideruar e përgjakshme, pasi 19 palestinezë dhe katër civilë në Izrael kanë vdekur.

Në mesin e palestinezëve të vrarë është përfshirë një komandant i krahut të armatosur të Hamasit, të cilin Izraeli ka thënë ta ketë shënjestruar për shkak të rolit të tij në transferimin e të hollave nga Irani të grupet militante në Rripin e Gazës.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë të dielën se ai ka udhëzuar ushtrinë që të “vazhdojë sulmet masive ku ka elemente të terrorit në Rripin e Gazës”.

Lideri i Hamasit, Ismail Haniya ka thënë përmes një deklarate të dielën se “kthimi i qetësisë do të jetë i mundshëm vetëm nëse Izraeli është i përkushtuar për armëpushim të plotë”.

Pa të, “kjo zonë mund të përballet me një varg konfliktesh”, ka thënë ai.

Izraeli ka thënë se sulmet e tij kanë qenë në përgjigje të sulmeve të Hamasit dhe Xhihadit Islamik, të cilat është thënë të kenë nisur 69 raketa apo mortaja rreth kufirit nga dita e shtunë, shumica e të cilave janë ndalur nga sistemet izraelite për mbrojtje.

Përveç kësaj, raketat janë rezultuar edhe me nisje të alarmeve për bastisje në jug të Izraelit, duke larguar banorët nga shtëpitë e tyre.

Thirrje për qetësi

Zyrtarët e Egjiptit dhe ata të Kombeve të Bashkuara kanë zhvilluar takime për të arritur armëpushim, ashtu sikurse në të kaluarën, derisa janë rritur thirrjet ndërkombëtare për stabilizim të situatës.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump ka siguruar Izraelin të dielën se ka mbështetjen e plotë të Uashingtonit kundër “këtyre akteve terroriste”.

Një armëpushim në mes të Izraelit dhe Hamasit, i ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Kombet e Bashkuara pati rezultuar me një situatë të qetë gjatë mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Izrael më 9 prill.

Sipas atij dokumenti, Izraeli ishte pajtuar për të lejuar Katarin që t’i ofrojë ndihmë Gazës në vlerë të miliona dollarëve.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG