Ndërlidhjet

Amnesty: Përgjigjja e Perëndimit ndaj Ukrainës shpërfaq “standarde të dyfishta”


Këpucët që simbolizojnë krimet e luftës të kryera kundër civilëve ukrainas janë ekspozuar në sheshin e qytetit të vjetër në Pragë në një instalacion që shënonte njëvjetorin e pushtimit rus.
Këpucët që simbolizojnë krimet e luftës të kryera kundër civilëve ukrainas janë ekspozuar në sheshin e qytetit të vjetër në Pragë në një instalacion që shënonte njëvjetorin e pushtimit rus.

Zemërimi global për luftën e Rusisë në Ukrainë, vitin e kaluar, vetëm sa i ka shpërfaqur “standardet e dyfishta” të Perëndimit ndaj abuzimeve në fushën e të drejtave të njeriut në botë, ka thënë organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Amnesty International.

Në raportin vjetor për vitin 2022, Amnesty është përqendruar tek ajo që e ka përshkruar si heshtje të Perëndimit ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite, shtypjes në Egjipt dhe trajtimit të palestinezëve në Izrael.

“Përgjigjja e Perëndimit ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, ka vënë në pah standardet e dyfishta, duke ekspozuar se sa të parëndësishme kanë qenë reagimet e këtyre vendeve për shkeljet tjera të Kartës së OKB-së”, ka thënë Sekretarja e Përgjithshme e Amnestyt, Agnes Callmard, teksa e ka prezantuar raportin vjetor në Paris.

Sulmet e Rusisë, që kanë nisur më 24 shkurt 2022, “na kanë ofruar një pamje të rrallë të asaj që është e mundshme kur ka vullnet politik” marrë parasysh mbështetjen e Perëndimit ndaj Ukrainës, ka shtuar ajo.

Shumë shtete e kanë sanksionuar Moskën dhe i kanë hapur kufijtë për refugjatët ukrainas, pas nisjes së luftës, derisa Gjykata Ndërkombëtare Penale ka nisur hetime për krime të luftës në Ukrainë.

Mirëpo, Amnesty ka thënë se konflikti ka vënë dritë rreth reagimeve që janë bërë për abuzimet në pjesët tjera të globit.

Në veçanti janë përmendur shkeljet e të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite, mosveprimi në Egjipt dhe refuzimi i përballjes me sistemin e Izraelit “për aparteidin kundër palestinezëve”.

Amnesty, organizata tjetër për të drejta të njeriut, Human Rights Watch dhe raportuesi special i OKB-së, kanë ardhur në përfundim që trajtimi i Izraelit ndaj palestinezëve përbën aparteid, akuzë të cilën e mohon Izraeli.

Aparteidi ka qenë sistem i ndasive me baza racore, që ka ekzistuar në disa rajone afrikane nga viti 1948 deri më 1990

Vitin e kaluar “Qeveritë izraelite kanë marrë masa duke detyruar largimin e më shumë palestinezëve nga shtëpitë e tyre, zgjerimin e territoreve të pushtuara dhe legalizimin e më shumë vendbanimeve në Bregun e pushtuar Perëndimor”, ka thënë Amnesty.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, kombet e Perëndimit kanë dështuar t’i japin fund atij “sistemi shtypës”.

“Pa plan konkret”

Në Arabinë Saudite, aktivistët për të drejta të njeriut vazhdojnë të jenë nëpër burgje, njerëzit janë burgosur për qëndrimet e tyre, 81 burra janë dënuar me vdekje brenda një dite, si dhe migrantët kanë vdekur sa kanë qenë në mbajtje.

Amensty ka thënë se në Egjipt mijëra mbrojtës të të drejtave të njeriut, gazetarë, protestues dhe disidentë të dyshuar, vazhdojnë të jenë nëpër burgje dhe “tortura është e vazhdueshme”.

Ndonëse disa shtete evropiane mirëpresin refugjatët ukrainas, ato nuk e kanë treguar shenjën e njëjtë të mirësisë ndaj njerëzve që u kanë ikur luftërave në Siri, Afganistan dhe Libi, ka thënë Amnesty.

Callamard ka thënë se në Iran, “gratë kanë vdekur pse kanë kërcyer, pse kanë vallëzuar, dhe pse nuk kanë vendosur mbulesën në kokë”, teksa janë mbajtur protesta kundër sistemit islamik të shtetit.

Amnesty e ka përmendur edhe atë që e ka konsideruar dështim të institucioneve globale për t’u përgjigjur në mënyrë adekuate ndaj konflikteve, duke lënë të vdekur mijëra njerëz, përfshirë ata në Etiopi, Mianmar dhe Jemen”.

Sipas organizatës, lufta në Ukrainë “ka tërhequr vëmendjen dhe burimet nga kriza klimatike dhe konfliktet tjera afatgjate”.

“Më 2022, ne nuk kemi gjetur dëshmi që përgjigjja ndërkombëtare ndaj krizës në Ukrainë do të jetë plan veprimi për konfliktet dhe krizat tjera”, ka thënë ndër tjerash Callamard.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG