Ndërlidhjet

Kurti thotë se në qeverinë e tij nuk do të ketë politika partiake


Me ceremoni shtetërore, Kurti merr detyrën e kryeministrit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:05 0:00

Pas një rrugëtimi prej 23 vjetëve, fillimisht si aktivist politik e më pas edhe si kryetar i subjektit opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka marrë edhe zyrtarisht pozitën e kryeministrit të Kosovës. Si lider i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila i fitoi zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, 2019, Kurti u nominua dhe më pas u zgjodh kryeministër i Kosovës, me mbështetjen e partisë partnere në koalicionin qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës, Albin Kurti, në hyrje të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës është pritur nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku është intonuar himni i Kosovës.

Albin Kurti dhe Behgjet Pacolli.
Albin Kurti dhe Behgjet Pacolli.

Në mungesë të kryeministrit të deritashëm, Ramush Haradinaj, i cili gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, detyrën atij ia dorëzoi ish-zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli.

Pacolli gjatë fjalimit me Kurtin, tha se “Kosovën e presin sfida të mëdha”.

Pas ceremonisë së pranimit të detyrës, Kurti ka mbajtur mbledhjen e parë të qeverisë së tij, ku iu drejtua ministrave me porosinë se "sytë e popullit janë të drejtuar te ky kabinet qeverisës”.

“Është mirë që secili ta mësojë përmendesh programin qeverisës sepse me të do të flemë e do të zgjohemi”, theksoi ai, duke u kërkuar ministrave që të mos udhëheqin nga karriget, por të dalin në terren dhe të ndikojnë në ndryshimet e nevojshme që kërkohen.

*Video: Kush është Albin Kurti?

Nga protestues në kryeministër
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:59 0:00

Ai kishte edhe disa porosi për ministrat e caktuar të kabinetit. Ministri i Bujqësisë, tha Kurti, "duhet të rrinë më shumë me fermerë e bujq sesa në zyre”. Po ashtu, vazhdoi ai, “ministri i Shëndetësie duhet të rrinë më shumë me doktorë e pacientë sesa në qeveri e ministri”.

Kurti tha se ky është një rast unik për secilin ministër për të treguar shkathtësi e përkushtim.

“Njëqind ditët e para do të jenë ditë të zëna me angazhim e përkushtim maksimal. Karriget i kemi, por jam i bindur që më shumë do të rrimë në këmbë për shkak të punëve të shumta që na presin. Programi ynë qeverisës është ambicioz aq sa janë edhe pritjet e qytetarëve”, tha Kurti.

Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës më 3 shkurt. Ai drejton qeverinë e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Qeveria Kurti ka 15 ministri, prej të cilave nga gjashtë (6) ministri udhëhiqen nga Vetëvendosje dhe LDK-ja, kurse tri (3) ministri nga komunitetet pakicë.

Kurti tha se në qeveri, nuk ka Vetëvendosje e LDK, por ka vetëm Qeveri të Republikës së Kosovës. Kurse në kuvend, tha ai, ka parti politike që flasin në emër të subjekteve që përfaqësojnë.

Pikërisht në Kuvendin e Kosovës, mbi bazën e koalicionit Vetëvendosje -LDK, kryetarja e sapozgjedhur, Vjosa Osmani, ka nisur punën duke pritur si mysafir të parë, ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

Pas këtij takimin nuk ka pasur ndonjë deklarim, por Vjosa Osmani në momentin e pritje se ambasadori tha se "është kënaqësi e madhe të nisi punën si kryetare e kuvendit në takimin e parë me ambasadorin amerikan".

“Miqësia dhe partneriteti me SHBA-të janë ekzistenciale për Kosovën”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ndërkaq, ambasadori amerikan, Kosnett ka thënë se me Osmanin ka biseduar për bashkëpunimin ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës.

“I kënaqur të takohem me kryetaren Osmani për ta uruar atë për postin e saj të ri dhe për të diskutuar mundësitë për bashkëpunimin e vazhdueshëm të SHBA-së me Kosovën”, ka shkruar Kosnett në një postim në Twitter.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, më herët, përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka uruar formimin e qeverisë dhe institucioneve të reja të Kosovës duke theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimi me institucionet e Kosovës dhe shoqërinë civile për të forcuar drejtësinë dhe prosperitetin si dhe për të ndihmuar ndërtimin e një marrëdhënie paqësore me fqinjët.

SHBA-ja e BE-ja kërkojnë rinisjen e dialogut

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, përshëndeti zgjedhjen e Qeverisë së re në Kosovë, duke thënë se mezi pret të intensifikojë diskutimet dhe bashkëpunimin midis BE-së dhe Kosovës.

Ai përsëriti detyrimin që kanë palët për dialogun e normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës-Serbisë, duke nënvizuar nevojën e vazhdimit sa më të shpejtë të këtij procesi.

"Status-quoja aktuale është e padurueshme. Nuk ka asnjë alternativë për një rifillim të shpejtë të bisedimeve për normalizimin e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës", paralajmëroi Josep Borrell përmes një deklarate.

Ndërkaq i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i bëri thirrje Qeverisë së re të Kosovës që të heqë taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia.

Grenell, i cili është edhe ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani, tha se pret që "taksa të hiqet menjëherë".

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, i cili është zgjedhur në këtë detyrë të hënën, ka thënë se është i gatshëm për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe ka paralajmëruar formimin e një ekipi gjithëpërfshirës për këtë proces.

Kurti po ashtu ka thënë se është i gatshëm të ndërmarrë masa reciproke tregtare, ekonomike dhe politike ndaj Serbisë.

Qytetarët presin ndryshime

Nga ana tjetër, qytetarët shprehen optimistë se me formimin e institucioneve të reja, do të ndodhin edhe ndryshimet, të cilat sipas tyre, është e pritshme të jenë pozitive.

Hazbije Kelmendi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se gjendja në përgjithësi do të duhej të përmirësohej.

"Unë jam shumë optimiste që gjendja do të shkojë kah e mira. Ndoshta përnjëherë nuk bëhet mirë sepse është vështirë që të ketë ndryshime menjëherë, por jam optimiste që do të ketë ndryshime të mira", tha Kelmendi.

Edhe Blerim Fetahu thotë se premtimet e dhëna nga politikanet, është e pritshme që të realizohen.

"Pritjet janë të mëdha, premtimet na i kanë dhënë që do të bëhet më mirë. Shpresoj që më në fund në këtë vend, këto forca të reja që kanë fituar, të bëjnë zhvillime të mëdha, ndryshime të mëdha", tha Fetahu.

Kuvendi i Kosovës votoi për qeverinë e re në seancën e 3 shkurtit. Qeveria e re është rezultat i koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG