Qeveria e Kosoves mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, deklaroi të martën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës, ku deputetë të pozitës dhe opozitës kërkuan vëmendjen e Qeverisë sa i përket situatës në Ukrainë, Kurti tha se Kosova do të jetë "përherë e bashkërenduar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n".
Më 21 shkurt, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i njohu rajonet separatiste në lindje të Ukrainës, Luhansk dhe Donjeck, si entitete të pavarura.
Putin urdhëroi edhe vendosjen e trupave ruse atje.
Vendet e Perëndimit dhe të tjera i dënuan këto veprime dhe paralajmëruan sanksione kundër Rusisë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë reagoi në Twitter, duke thënë se Putin ka bërë dhe po bën luftëra kundër demokracisë në Evropë.
“Kosova qëndron me Ukrainën kundër agresionit të Rusisë. Putin, edhe një herë, po bën luftë kundër një demokracie paqësore. Ai ka bërë luftëra hibride kundër demokracive nëpër Evropë për vite me radhë. Bota e lirë duhet t’i përgjigjet Putinit dhe përfaqësuesve të tij me vendosmëri”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, tha se kriza me Ukrainën mund ta afektojë shumë shpejt edhe rajonin e Ballkanit.
Ai tha se është urgjente që institucionet kosovare të sigurisë të mblidhen dhe “të shqyrtojnë e monitorojnë me kujdes situatën, me të cilën bota është duke u ballafaquar”.
“Kërkesa ime është që në këtë situatë delikate të jemi të bashkuar përballë një krize që mund - në mënyrë direkte apo indirekte - të na prekë të gjithë neve dhe rajonin”, tha Abazi.
Deputeti opozitar nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se Kosova duhet të ndjekë veprimet e SHBA-së.
"Qeveria duhet të mbledhë Këshillin Kombëtar të Sigurisë. Nëse SHBA-ja vendos sanksione, sot Qeveria e Kosovës duhet të vendosë sanksione”, tha ai.
Rusia është nën sanksione nga Perëndimi qëkur ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë, në vitin 2014. Në atë kohë, Moska ka nisur mbështetjen edhe për lëvizjen separatiste në lindje të Ukrainës.
Kriza e fundit ka nisur në fund të vitit të kaluar, kur Rusia ka nisur grumbullimin e trupave të saj në kufi me Ukrainën.
Rusia ka kërkuar garanci nga NATO-ja se nuk do ta pranojë kurrë Ukrainën në radhët e saj, por aleanca ushtarake perëndimore e ka hedhur poshtë kërkesën e tillë, duke thënë se Ukraina, si shtet i pavarur, ka të drejtë t'i zgjedhë aleancat e veta.
Presidenti rus, Putin, ka thënë se Ukraina në NATO do të paraqiste kërcënim për sigurinë ruse.
Ukraina ndan kufij me Rusinë dhe BE-në. Si ish-republikë sovjetike, ajo ka lidhje të thella sociale dhe kulturore me Rusinë.