Ndërlidhjet

BE-ja vendos sanksione ndaj Rusisë


Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe minsitri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe minsitri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në mënyrë unanime kanë miratuar vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve rusë lidhur me veprimet e tyre në Ukrainë, tha ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian.

Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha se pakoja e sanksioneve e miratuar të martën “do ta dëmtojë Rusinë dhe do ta dëmtojë shumë”.

Sipas tij, sanksionet do të prekin anëtarët e Dhomës së Ulët të Parlamentit rus dhe të individëve të përfshirë në miratimin e dislokimit të trupave ruse në rajonet separatiste në lindje të Ukrainës.

Borrell tha se sanksionet po ashtu do të afektojnë politikat financiare të Rusisë të lidhura me Ukrainën, duke kufizuar qasjen në tregjet financiare të BE-së.

“Kjo punë nuk ka përfunduar”, tha Borrell duke iu referuar veprimeve ruse në Ukrainë.

Më herët gjatë të martës, krerët e Këshillit dhe Komisionit Evropian thanë se sanksionet e bllokut 27 anëtarësh do të përfshinin:

Ata thanë se sanksionet, që pritet të miratohen në përgjigje të vendimit të Rusisë për të njohur dy rajonet lindore të Ukrainës, janë:

  • Shënjestrimi i të përfshirëve në këtë vendim joligjor
  • Shënjestrimi i bankave që financojnë ushtrinë ruse dhe operacionet e tjera në këto territore
  • Shënjestrimi i aftësisë së shtetit rus dhe Qeverisë në qasjen në kapitalin e BE-së, tregjet financiare dhe shërbimet, për të kufizuar financimin e politikave shkallëzuese dhe agresive.
  • Shënjestrimi i tregtisë nga dy rajonet lindore me BE-në, që të sigurohet që personat përgjegjës të kenë pasoja ekonomike për veprimet e tyre joligjore dhe agresive.

Po ashtu, Gjermania dhe Britania kanë ndërmarrë veprime ndaj Rusisë në përgjigje të vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin për të njohur dy rajone në lindje të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se shteti i tij do të pezullojë procesin e certifikimit të gazsjellësit kontrovers, Rrjedha Veriore 2, pas veprimeve të fundit të Moskës në Ukrainë.

Ky projekt synon dërgimin e gazit rus në Gjermani.

Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur këtë vendim të Berlinit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se Uashingtoni "ka pasur konsultime gjatë natës me Gjermaninë dhe mirëpret njoftimin".

Ndërkaq, kryeministri i Britanisë, Boris Johnson tha më 22 shkurt se do të sanksionojë pesë banka ruse dhe tre individë të pasur, përfshirë edhe Gennady Timchenko, pas vendimit të Putinit për rajonet lindore të Ukrainës.

"Sot, Mbretëria e Bashkuar po sanksionon pesë bankat ruse: Rossiya, IS Bank, General Bank, Promsvyazbank dhe Black Sea Bank. Ne po ashtu po sanksionojmë tre individë me të ardhura të larta", tha Johnson para Parlamentit britanik.

Kombet e Perëndimit dhe vende tjera kanë dënuar vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin për të njohur pavarësinë e separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonet lindore ukrainase, Donjeck dhe Luhansk.

Dy dhomat e Parlamentit rus më 22 shkurt ratifikuan traktatet e miqësisë që Putin nënshkroi me këto dy territore në lindje të Ukrainsë, që kontrollohen nga separatistët.

Shtëpia e Bardhë më 22 shkurt iu referua dislokimeve të trupave ruse në lindje të Ukrainës si "pushtim", duke lënë të kuptohet se është kaluar vija e kuqe që do të çojnë në sanksione të ashpra ndaj Moskës.

"Ne mendojmë se kjo është nisja e pushtimit, pushtimi i fundit i Rusisë në Ukrainë", tha Jon Finer, këshilltar në Shtëpinë e Bardhë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë zotuar se do të vendosin sanksione të reja kundër Moskës.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë më 21 shkurt se Uashingtoni është duke u koordinuar me aleatët dhe më 22 shkurt do të bëjë të ditura sanksionet e reja kundër Moskës.

Tregjet globale të aksioneve kanë rënë ndërsa çmimi i naftës është rritur pas vendimit të Putinit për të njohur pavarësinë e këtyre rajoneve dhe vendimit për të dërguar trupat ruse në to, çka ka rritur shqetësimet për luftë të plotë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka mbajtur një takim me pjesëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe ka zhvilluar biseda telefonike me disa liderë botërorë në përpjekje për të rritur mbështetjen për shtetin e tij.

“Ne presim hapa të qartë dhe mbështetje efektive nga partnerët tanë”, ka thënë ai më 21 shkurt në një fjalim televiziv.

“Është shumë e rëndësishme të shohim kush është miku dhe partneri ynë i vërtetë, dhe kush do të vazhdojë të frikësojë Federatën ruse me fjalë”, ka thënë ai.

“Ne jemi në tokën tonë”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë më 21 shkurt se vendimi i Putinit kërkon “përgjigje të shpejtë dhe të ashpër, dhe ne do të marrim hapat e duhur në koordinim me partnerët”.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, u ka thënë të hënën gazetarëve në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se “nesër SHBA-ja do të vendosë sanksione ndaj Rusisë për këtë shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit e integritetit të Ukrainës”.

“Ne mundemi dhe do të qëndrojmë të bashkuar në thirrjet tona për Rusinë që të tërheqë forcat dhe të kthehet në tavolinën e negociatave e të punojë drejt paqes”.

Megjithatë, zyrtarë të administratës amerikane kanë thënë se veprimi i Putinit nuk ka aktivizuar paketën e madhe me sanksione që Uashingtoni dhe aleatët do të prezantonin nëse Moska do të pushtonte Ukrainën, duke thënë se tani do të vendosen masa më pak të ashpra, pasi Rusia veçse ka pasur trupa në ato rajone.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se masat e reja do të “ndalojnë investimet e reja, tregtinë dhe financimin e shtetasve amerikanë nga dhe drejt rajoneve të ashtuquajtura DNR dhe LNR të Ukrainës”, duke iu referuar atyre që separatistët i quajnë Republika Popullore e Donjeckut dhe Republika Popullore e Luhanskut.

Putin ka sfiduar më 21 shkurt liderët e Perëndimit dhe ata të Ukrainës, duke bërë të ditur vendimin për të njohur pavarësinë e separatistëve të mbështetur nga Rusia.

Më 2014, Rusia ka pushtuar Ukrainën dhe ka fituar kontrollin e rajonit të Krimesë.

Prej atëherë separatistët në lindje të Ukrainës kanë zhvilluar një konflikt të përgjakshëm me Qeverinë e Kievit.

Rusia ka mbledhur më shumë se 150,000 trupa afër kufirit të Ukrainës në muajt e fundit, duke rritur shqetësimet për pushtim të shpejtë të fqinjës së saj.

Moska ka hedhur poshtë planet për pushtim të Ukrainës, para vendimit të Putinit më 21 shkurt, duke thënë se duhet të mbahet paqja dhe të mbrohen civilët.

Thomas-Greenfield ka thënë se pretendimet e Putinit se është duke dërguar forca “paqeruajtëse” kanë qenë “pakuptim” dhe ka thënë se ky vendim ka qenë “qartazi bazë për Rusinë që të krijojë pretekst për pushtim të mëtejmë të Ukrainës”.

Liderët e Francës, Gjermanisë, Britanisë, Australisë, Japonisë dhe vendeve tjera, u janë bashkuar Shteteve të Bashkuara për të dënuar veprimet e Putinit.

Zyra e kancelarit gjerman ka thënë pas diskutimit të kancelarit Olaf Scholz me presidentin francez, Emmanual Macron dhe presidentin amerikan, Joe Biden se liderët janë pajtuar që “ky hap nuk do të mbetet pa përgjigje”.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka thënë se Moska është duke shkelur marrëveshjet e Minskut që ka nënshkruar më 2014, të cilat shtronin rrugën për zgjidhje paqësore.

“Me këtë vendim Rusia është duke shkelur të gjitha premtimet që i ka bërë komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë ajo.

Marrëveshjet e Minskut janë nënshkruar më 2014 dhe 2015 me qëllim të ndaljes së luftimeve në lindje të Ukrainës, mirëpo nuk kanë arritur t’i ndalin ato plotësisht.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka dënuar vendimin e Putinit, duke e konsideruar “shkelje flagrante të sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka dënuar po ashtu vendimin e Putinit.

“Kjo gjë gërryen përpjekjet për të zgjidhur konfliktin dhe shkel marrëveshjet e Minskut. NATO-ja mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ne i bëjmë thirrje Moskës që të ndalë nxitjen e konfliktit dhe të zgjedhë diplomacinë”, ka thënë ai në Twitter.

Më herët, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se njohja e dy rajoneve separatiste në Ukrainë nga ana e Rusisë, përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar, integritetit territorial të Ukrainës dhe marrëveshjeve të Minskut, duke iu referuar marrëveshjeve për paqe që lidhen me lindjen e Ukrainës.

“Bashkimi Evropian dhe partnerët do të reagojnë me unitet dhe vendosmëri në solidaritet me Ukrainën”.

Japonia ka thënë se është e gatshme t’i bashkohet SHBA-së dhe aleatëve të tjerë për të vendosur sanksionet ndaj Rusisë nëse nis pushtim të Ukrainës.

Kryeministri japonez, Fumio Kishida ka thënë se veprimet e Moskës nuk duhet toleruar.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres beson se Rusia ka shkelur integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës me vendimin e saj për të njohur lindjen e Ukrainës në entitete të pavarura, ka thënë një zëdhënës i tij.

Kina, aleate e Rusisë, ka mbajtur reagim neutral në fjalimin e parë.

Ambasadori kinez në Kombet e Bashkuara, Zhang Jun, ka thënë para Këshillit të Sigurimit se situata në Ukrainë “është rezultat i shumë faktorëve kompleks”.

Përgatitën: Krenare Cubolli & Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG