Ndërlidhjet

Lëvizja Vetëvendosje: Vuçiqi nuk është në pozitë që t’i komentojë simbolet


Albin Kurti gjatë një interviste dhënë për Radion Evropa e Lirë.
Albin Kurti gjatë një interviste dhënë për Radion Evropa e Lirë.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një deklarate, e ka porositur presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që duhet ta dijë se “Kosova është demokraci, në të cilën askush askujt nuk ia imponon identitetin ose simbolet, e aq më pak mund të censurohet vullneti politik i një subjekti”.

“Aleksandar Vuçiqi i cili para pak muajve në Mitrovicë mbajti fjalim lavdërues për (Sllobodan) Milosheviqin, nuk është as në pozitën morale e as politike të ankohet për simbolet tona kombëtare, me të cilat kurrë nuk kemi pushtuar e nuk kemi dëmtuar asnjë fqinj”, ka thënë Liburn Aliu, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.

Në këtë mënyrë, ky subjekt politik i është përgjigjur një shkrimi të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në rrjetin social Twitter pas një takimi që Kurti kishte zhvilluar në zyrat e Vetëvendosjes në Prishtinë me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

Aty, në fotografi nga takimi ndërmjet liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ambasadorit Nicholas Abbott shihej në prapaskenë flamuri kombëtar shqiptar.

Kjo fotografi ishte bërë shkas për shkëmbimin e pyetjeve dhe përgjigjeve përmes rrjetit social Twitter, ndërmjet presidentit të Serbisë, Alekasandar Vuçiq dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë.

Kjo pamje, e ka cytur presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që përmes llogarisë së tij në rrjetin social Twitter, t’i drejtohet me pyetje ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

“Pyetje për ambasadorin e BM në Prishtinë: Në zgjedhjet e kujt ka fituar Kurti dhe partia e tij dhe flamuri i cilit shtet është ai para të cilit, ekselenca e juaj, jeni fotografuar me krenari me Kurtin? Do t’ju pyes për këtë derisa të marrë një përgjigje”, ka shkruar Vuçiq, duke aluduar se flamuri kombëtar shqiptar, i cili njëkohësisht është edhe flamur shtetëror i Shqipërisë, nuk është flamur i Kosovës.

Por, në një përgjigje ndaj pyetjes së Vuçiqit, po ashtu përmes rrjetit social Twitter, të cilën e ka publikuar Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, thuhet që kjo ambasadë nuk ka zgjedhur se si bashkëbiseduesi e ka rregulluar dhomën, ku u mbajt takimi i Kurtit me ambasadorin Abbott.

“Një foto e ambasadorit në takim me një nga udhëheqësit politik në Kosovë ka marrë vëmendje në rajon. Është punë e ambasadës që të punojë me aktorë udhëheqës politikë në Kosovë. Ne nuk kemi zgjedhur se si bashkëbiseduesi ynë, në kapacitetin e tij partiak, ka rregulluar dhomën”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë.

Pas kësaj përgjigje ka ardhur edhe reagimi i sërishëm i presidentit Vuçiq, i cili është falënderuar “për përgjigjen e qartë” dhe ka shtuar se “të gjithë ne kemi kuptuar gjithçka”.

Liburn Aliu, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar që Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në zgjedhjet që u mbajtën më 6 tetor në Kosovë dhe që ajo, në bashkëpunim me komunitetet pakicë, do të udhëheqë me qeverinë “duke i çliruar ato prej shantazheve dhe instrumentalizimeve”.

“Synim i yni është thellimi i demokracisë, lufta ndaj pabarazive, zhvillimi ekonomik dhe paqja. Këtë të fundit e kërcënon procesi intensiv i armatimit të Serbisë, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës dhe mospërballja e Serbisë me të shkuarën e saj kriminale e spastruese”, ka thënë Aliu.

Cilin flamur kërkon Vuçiqi?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:03:26 0:00

Agron Bajrami, kryeredaktor i Kohës Ditore, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që Vuçiq me reagimin e tij dhe shkrimet në Twitter “ shkon në kornizën e asaj që ai e bën pandërprerë, që ta prezantojë veten, pushtetin e tij dhe serbët e Listës Serbe, si viktima të një konspiracioni ndërmjet shqiptarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, madje edhe të opozitarëve në Serbi, kundër tij dhe njerëzve të tij”.

“Mendoj që është bizare, në qoftë se jo edhe mjaft qesharake, fakti që ai merret me gjëra të tilla. Në anën tjetër, për shumë njerëz ka qenë e çuditshme për shkak se, në qoftë se atij i pengon flamuri shqiptar, a do të thotë kjo që ai do të dëshironte që ta shihte flamurin e Kosovës aty, të cilën ai vazhdimisht thotë se nuk e njeh. Pason pyetja logjike: në rast se ambasadori britanik apo cilido qoftë tjetër do të insistonte te partitë e Kosovës që kur të kenë takime me ta, të mos ketë flamuj të shteteve tjera, sikurse në këtë rast ai i shqiptarëve, a do të thotë kjo që kur të shkojnë te Lista Serbe duhet hequr flamuri i Serbisë? Mendoj që në këtë rrëfim, pak a shumë është shndërruar gjithçka në qesharake sesa që është serioze për një diskurs të tillë dhe në një nivel të tillë”, tha Bajrami.

Duke folur lidhur me përdorimin e flamurit shqiptar nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, Bajrami thekson që të gjithë ata që merren me punë politike në Kosovë, në momentin që hyjnë në institucione, duhet të sillen ashtu siç thotë Kushtetuta e vendit. Siç ka thënë ai, dilema të tilla nuk ka pasur as te Kurti, të cilit, si deputet opozitar, nuk i ka penguar flamuri i Kosovës gjatë punës ose përfaqësimit të Kosovës jashtë vendit.

Flamuri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë.
Flamuri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë.

Ndërkaq, Boshko Jakshiq, komentues i politikës së jashtme, thotë për Radion Evropa e Lirë, se e gjithë kjo situatë është një incident i vogël diplomatik që nuk meriton vëmendje.

“Natyrisht që ekzistojnë arsye formale, në rast se gjendeni diku dhe aty është flamuri i një shteti tjetër, ndërkaq që është i pranishëm ambasadori i shtetit të tretë. Por, ky është një incident i vogël diplomatik, i cili nuk meriton vëmendje të këtillë në opinion. Ne e dimë se kujt dhe pse i është e domosdoshme që në këtë mënyrë ta zmadhojë këtë. Nevojitet të tregohet qëndrimi, qëndrueshmëria, gatishmëria që të ketë përgjigje për gjithkënd, në çdo rast, në rast se shkelet diçka. Padyshim që është shkelur mirësjellja diplomatike, por që nuk meriton shumë vëmendje”, tha Jakshiq.

Albin Kurti, si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, pas zgjedhjeve, ka thënë në një intervistë, që flamuri i Kosovës do të jetë i pranishëm në zyrën e tij.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG