Ndërlidhjet

AKP-ja rimerr disa asete në Mal të Zi


Lokali afarist i ish-kompanisë KIB Kosova në qendër të Podgoricës, në rrugën Moskovska.
Lokali afarist i ish-kompanisë KIB Kosova në qendër të Podgoricës, në rrugën Moskovska.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) tha se ka arritur të kthejë tetë asete në Mal të Zi të një ndërmarrjeje nga Kosova.

Sipas një njoftimi, AKP-ja tha se fitoi rastin gjyqësor, në shkallë të dytë, për asetet në Mal të Zi të KBI Kosova Export – Industria e Mishit nga Fushë Kosova.

Në fillim të këtij viti, AKP-ja kishte thënë se e kishte kuptuar që tetë asete të kësaj ndërmarrjeje ishin shitur nga Agjencia për Likuidimin e Personave Juridikë Privatë të Serbisë dhe ishin regjistruar në emër të personave fizikë në Drejtorinë për Kadastër në kryeqytetin e Malit të Zi, Pogdoricë.

“Më 29 nëntor 2023, AKP-ja ka pranuar aktvendimin e shkallës së dytë administrative në Podgoricë, me të cilin është aprovuar ankesa e AKP-së, duke anuluar aktvendimin e Drejtorisë për Kadastër në Podgoricë, me të cilin këto asete ishin regjistruar në emër të personave fizikë në Podgoricë, pasi që ishin shitur nga Agjencia për Likuidimin e Personave Juridikë Privatë të Republikës së Serbisë në mënyrë të paligjshme”, u tha në njoftim.

Pronat e KBI Kosova Export – Industria e Mishit ndodhen në Podgoricë, Tivar dhe Budvë.

Më herët gjatë nëntorit, AKP-ja i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pas vitit 1999, pronat e kësaj ndërmarrjeje ishin përvetësuar ilegalisht nga kompania “Klanica” në Kralevë, e cila më pas ishin shitur.

KBI Kosova Export - Industria e Mishit ka gati 1.000 metra katrorë hapësira biznesi në lokacione prestigjioze në Mal të Zi.

Në qendër të Podgoricës janë shtatë të tilla me një sipërfaqe totale prej 700 metrash katrorë - prej të cilave 500 janë në katet përdhes të objekteve të banimit dhe 200 në bodrumet e tyre.

Në qendër të Budvës është një hapësirë prej 60 metrash katrorë, ndërsa në Tivar prej 137 metrash katrorë, plus 47 metra katrorë bodrum.

Përveç pronave të kësaj ndërmarrjeje, sipas autoriteteve në Kosovë, shteti ka mbi 160 prona në shtetet fqinje – përfshirë në Serbi, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, Maqedoni të Veriut, Kroaci dhe Slloveni – të cilat ishin formuar pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Shumica e këtyre pronave janë në Serbi dhe AKP-ja ka kërkuar nga shtetet fqinje që të ndalojnë ndryshimin e pronësive të këtyre pronave dhe ka thënë se ato janë përvetësuar paligjshëm.

APK-ja menaxhon të gjitha ish-ndërmarrjet shoqërore të Kosovës dhe pretendon se është pronarja e vetme e atyre pronave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG