Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi të mërkurën, më 28 prill, se nuk do të marrë pjesë në takimin e paralajmëruar për 11 maj nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Më herët, nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës deklaruan se ende nuk kanë marrë një ftesë dhe as njoftim zyrtar nga Bashkimi Evropian për një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 26 prill ka deklaruar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pritet të vazhdojë më 11 maj.
Njohësit e zhvillimeve politike, në Prishtinë dhe në Beograd, Jehona Lushaku-Sadriu dhe Dushan Janjiq, kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me vazhdimin eventual të dialogut dhe nëse do të ketë qasje serioze të të gjitha palëve dhe faktorëve të përfshirë në këtë proces.
Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht deklaratave nga zyrtarë të Bashkimit Evropian se më 11 maj do të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi, Zyra e kryeministrit të Kosovës nuk ka marrë një ftesë dhe as njoftim zyrtar për një takim të tillë.
Sipas tij, datat, vendet dhe agjendat e takimeve “kanë kuptim vetëm kur merren vesh të gjitha palët dhe jo kur ato imponohen njëanshëm”.
Kërkesat për dialog dhe dy “non-paper” të hedhur poshtë
Më 20 prill, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në letrën që i ka dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila “do të përqendrohej në njohjen reciproke”, por që “për arritjen e këtij qëllimi, kërkohet fleksibilitet dhe kompromise të vështira”.
Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, i cili më 22 prill ka vizituar Prishtinën, ndërkaq një ditë më vonë edhe Beogradin, ka theksuar që Gjermania ofron mbështetje për dialogun Kosovë-Serbi dhe se një nga elementet e marrëveshjes do të jetë njohja e shtetësisë së Kosovës. Megjithatë, ai ka kërkuar që “të ketë gatishmëri nga të dyja palët që të gjejnë rrugë për kompromise”.
Që nga mesi i muajit prill e deri më tash, në media janë publikuar dy të ashtuquajtur “non-paper”, si dokumente të pretenduara, në të cilat flitet për qasje të ndryshme për zgjidhjen e kontestit Kosovë-Serbi. “Non-paperi” i parë, i publikuar më 15 prill, pretendohet të jetë i kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, i dërguar për Këshillin e Evropës. Ai përmban propozimin e supozuar për ricaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, si një mënyrë për të zgjidhur problemin kronik ndërmjet gjashtë vendeve në rajon.
Këto pretendime janë hedhur poshtë nga Jansha, por edhe nga zyrtarë të Bashkimit Evropian.
- Gjermania hedh poshtë vërtetësinë e non-paperit
- Jansha refuzon të komentojë dokumentin ‘non-paper’ për Ballkanin Perëndimor
Më 27 prill, në disa media në Kosovë është publikuar një “non-paper” tjetër, i cili është pretenduar të jetë hartuar nga Gjermania dhe Franca dhe i cili flet për themelimin e të ashtuquajturit “distriktit autonom të Kosovës së Veriut” dhe për njohjen e integritetit dhe sovranitetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjermania e ka hedhur poshtë vërtetësinë e “non-paperit” që u tha se është hartuar nga ajo dhe Franca.
Edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka mohuar të martën se blloku evropian ndan qëndrimet e përmendura “non-paperin” e botuar nga mediat në Kosovë.
Lushaku-Sadriu: Nuk mund të ketë ikje nga dialogu
Jehona Lushaku-Sadriu, profesoreshë në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se zhvillimet e muajit prill, tregojnë se bashkësia ndërkombëtare, në krye me BE-në dhe SHBA-në, është duke kërkuar në mënyrë të qartë nga Kosova dhe Serbia që të vazhdojnë dialogun dhe që ai të thellohet në kuptimin politik.
“Mesazhi është i qartë, ikje nuk mund të ketë. Mund të ketë vetëm përgatitje nga të dyja palët për këtë dialog, që të adresojnë kërkesat e tyre se çka të diskutohet dhe cilat janë versionet më të pranueshme. Në anën tjetër, ajo çka po qarkullon si ‘non-paper’ është një lloj hapjeje e mundësive të diskutimit përtej asaj që është diskutuar deri më tani, me qëllim që të krijohet një atmosferë për atë se cila do të jetë zgjidhja finale dhe të jetë pak a shumë e pranueshme për qytetarët”, theksoi Lushaku-Sadriu.
Janjiq: Brukseli dhe Uashingtoni, pa zë të përbashkët
Por, Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, e sheh ndryshe situatën.
Siç thotë ai për Radion Evropa e Lirë, pas vitit 2014, dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është zhvilluar me ritëm të çuditshëm, ku ka pasur ndërprerje dhe rinisje të vazhdueshme.
Sipas tij, është mjaft legjitime të shtrohet pyetja se a duhet ringjallur dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve apo duhet nisur një proces të një forme tjetër. Por, zgjidhja e dytë sipas tij do të paraqiste humbje për Bashkimin Evropian. Aktualisht, siç thotë ai, ekziston faza kur po krijohet një lloj iluzioni se po punohet diçka lidhur me dialogun dhe një marrëveshje përfundimtare. Në funksion të kësaj, siç thekson Janjiq, janë edhe të dy dokumentet e pretenduara si “non-paper”, të cilat, siç vlerëson ai, vijnë nga qarqe tepër të kontrolluara dhe fundja, të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe që shërbejnë që të tregohet se kinse po punohet diçka. Por, sipas tij, dialog serioz nuk pritet të ketë së shpejti.
“Bindjen që ma forcojnë lidhur me këtë vlerësim, janë pikërisht çështjet më të rëndësishme, statusi dhe kufijtë, të cilat janë sforcuar përmes ‘non-paperave’ dhe ofertohen dy zgjidhje të ndryshme, por me bazë nga qarqet e ndërlidhura. Kështu që kjo është propagandë. ‘Non-paperi’ i dytë është i orientuar më afër idesë së normalizimit. Ndërkaq, ‘non-paperi’ i parë, i ashtuquajtur i Janshës, oferton braktisjen e kornizës për normalizimin e marrëdhënieve. Nga kjo ne vijmë në përfundim se ende nuk ekziston pajtimi as në Bashkimin Evropian dhe gjithashtu nuk ekziston një zë i përbashkët i Uashingtonit dhe Brukselit. Pa këtë, nuk ka dialog të suksesshëm”, theksoi Janjiq.
Ai ka shtuar se, aktualisht, është herët të shihet nëse Qeveria e Kosovës është e qëndrueshme dhe këtë do ta verifikojnë zgjedhjet lokale në Kosovë, në vjeshtën e këtij viti.
Ndërkaq, sipas tij, tashmë ekzistojnë sinjale që Beogradi është në përgatitje e sipër për referendumin për ndryshimin e Kushtetutës, si dhe për zgjedhje parlamentare. Në këtë situatë, sipas Janjiq, vështirë se mund të ketë dialog serioz ndërmjet palëve, para majit të vitit të ardhshëm.
Përpjekjet për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë janë intensifikuar. Të hënën, më 26 prill, në Bruksel ka qëndruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me dy zëvendëskryeministrat e tij, Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla, tashmë kanë udhëtuar për në Bruksel për të zhvilluar takime bilaterale me krerët e institucioneve të BE-së.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka deklaruar se pret që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë, sado e vështirë që të duket arritja e saj.
Facebook Forum