Ndërlidhjet

SHBA-ja e vendosur të përfundojë evakuimin nga Afganistani më 31 gusht


Qytetarët afganë hipin në një aeroplan amerikan gjatë evakuimit të Afganistani më 22 gusht 2021.
Qytetarët afganë hipin në një aeroplan amerikan gjatë evakuimit të Afganistani më 22 gusht 2021.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se përpjekjet e evakuimit nga Afganistani janë sipas ritmit të paraparë për të përfunduar më 31 gusht.

"Sa më shpejt të përfundojmë aq më mirë", tha Biden, gjatë një paraqitjeje nga Shtëpia e Bardhë më 24 gusht.

Më herët u raportua se presidenti amerikan i ka kërkuar Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit të SHBA-së që të zhvillojnë plane emergjente nëse paraqitet nevoja e shtyerjes së afatit të 31 gushtit.

Biden ka biseduar të martën me udhëheqësit e vendeve më të industrializuara që bëjnë pjesë në G7-ën.

Ai u ka thënë udhëheqësve të Britanisë së Madhe, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë, se përfundimi i evakuimeve deri më 31 gusht varet nga bashkëpunimi i vazhdueshëm me talibanët, duke përfshirë edhe qasjen e të evakuuarve në aeroporti në Kabul.

Talibanët kanë ngritur pika kontrolli në afërsi të aeroportit të Kabulit.

Më herë Shtëpia e Bardhë tha se ishte e vendosur për të përfunduar përpjekjet deri në afatin e 31 gushtit, duke paralajmëruar se mbajtja e trupave atje më gjatë i vë trupat amerikane në rrezik sulmi nga militantët e Shtetit Islamik (IS).

Disa aleatë amerikanë kanë bërë presion që SHBA -ja të zgjasë afatin e saj për tërheqjen e trupave, por Biden është duke iu përmbajtur 31 gushtit.

Evakuimi i shtetasve te huaj dhe afganëve që kanë punuar me forcat e huaja ka hasur në vështirësi pasi në Aeroportin e Kabulit është shkaktuar kaos nga mijëra afganë që kanë tentuar të ikin nga vendi.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid tha të martën, më 24 gusht, se talibanët nuk do të lejojnë më që shtetasit afganë të shkojnë në aeroportin e Kabulit, për shkak të situatës kaotike në aeroport.

Gjatë një konference për media, ai tha se njerëzit e mbledhur në aeroport duhet të shkojnë në shtëpi, duke shtuar se siguria e tyre do të garantohet.

Por, Mujahid tha se Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë që të ftojnë njerëzit në aeroport, në mënyrë që të evakuohen me aeroplanë.

“Ne kërkojmë nga amerikanët”, tha ai “që të mos inkurajojnë afganët që të largohen... ne na duhet talenti i tyre”.

Po ashtu, Mujahid tha se nuk mendon se afati për evakuimin nga Kabuli do të shtyhet.

Shtëpia e Bardhë ka thënë më 24 gusht se rreth 21.600 njerëz u larguan nga Afganistani në periudhën 24-orëshe, krahasuar me rreth 16,000 një ditë më parë.

Rreth 60 mijë njerëz janë evakuuar gjatë 10 ditëve të fundit.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se ushtrisë do t'i duhen "të paktën disa ditë" për të tërhequr plotësisht disa mijëra trupat e saj dhe pajisjet e tyre nga Kabuli.

Sipas tij, ka kohë të mjaftueshme për të nxjerrë të gjithë amerikanët nga ai vend, por sa i takon afganëve që janë në rrezik ai ishte më pak specifik.

"Ne besojmë se kemi aftësinë për ta bërë atë deri në fund të muajit", tha ai.

Mediat amerikane më 24 gusht raportuan se drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës në SHBA, CIA, William Burns ishte takuar me udhëheqësin taliban, Abdul Ghani Baradar në Kabul për të diskutuar procesin e evakuimit.

Nëse konfirmohet, ky do të ishte takimi i nivelit më të lartë që kur grupi militant mori nën kontroll Kabulin.

As CIA dhe as Shtëpia e Bardhë nuk kanë komentuar ende informacionin.

Ndërkohë përmes një deklaratë të përbashkët të lëshuar pas një takimi virtual urgjent më 24 gusht, udhëheqësit e G7-ë bënë thirrje për "qetësi dhe përmbajtje për të garantuar sigurinë e afganëve dhe personelit ndërkombëtarë që janë nën rrezik”.

Talibanët morën kontrollin e Afganistanit, pas vendimit të presidentit Biden për të tërhequr të gjitha trupat amerikane nga Afganistani.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kishin rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet terroriste të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG