“Festat po vijnë, njerëzit vizitojnë dyqanet gjysmë bosh. Është torturë psikologjike”.
Kështu e shpjegon Dushan Gashiq, një nga biznesmenët nga veriu i Kosovës se përse në protestën e 25 dhjetorit në veri të Mitrovicës është nisur një peticion, ku kërkohet shfuqizimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia.
Qeveria e Kosovës këtë vendim e mori në mesin e korrikut për arsye “sigurie”, kur tre policë të Kosovës u arrestuan nga policia serbe.
Ndërkohë, policët janë liruar për t'u mbrojtur, por vendimi për ndalimin e importit të mallrave serbe ka mbetur në fuqi.
“Është koha që të anulohet dekreti i Qeverisë së Kosovës”, vlerëson Dushan Gashiq, ndërsa shton se nënshkrimet e biznesmenëve dhe qytetarëve do të mblidhen deri të premten, kur peticioni do t'u dorëzohet institucioneve kompetente të Kosovës, si dhe komunitetit ndërkombëtar.
“Jemi vënë në një situatë që nuk funksionojmë dot, nuk ka mall, raftet janë bosh. Është shumë e vështirë të jetosh në këto kushte”, thekson ky biznesmen.
Qeveria e Kosovës pa përgjigje
Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse do t'i shqyrtojnë kërkesat e biznesmenëve serbë për anulimin e vendimit për import të mallrave nga Serbia, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka mori përgjigje.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, i tha REL-it në gusht se kjo masë ndaj Serbisë “duhet të shfuqizohet”, por se pret gjithashtu që Bashkimi Evropian t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Prishtinës.
Kur u pyet përsëri nga REL-i në dhjetor, Rashiq komentoi shkurt se "asgjë nuk ka ndryshuar".
Në fund të qershorit, Bashkimi Evropian (BE) prezantoi masa ndëshkuese për Kosovën për shkak se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.
Burimet diplomatike të REL-it në BE më pas thanë se anulimi i këtyre masave do të varet nga zbatimi i marrëveshjeve dhe obligimeve që ka marrë Prishtina.
Importi i mallrave – “në të zezën”
Biznesmeni Dushan Gashiq thotë për Radion Evropa e Lirë se pronarët e dyqaneve “e gjejnë rrugën në çdo mënyrë të mundshme” për të importuar një sasi të caktuar mallrash nga Serbia dhe se janë “të detyruar” ta bëjnë atë “në të zezën”.
“Nuk i shkon askujt kjo situatë. Ato mallra konfiskohen, është një kaos total. Pse? Kjo për shkak se një vendim është në fuqi prej shtatë muajsh”, thotë ai.
Sipas tij, “nuk është normale” që konsumatorëve t'u mohohet mundësia për të blerë produkte që janë mësuar dhe i blejnë prej dekadash.
"Plazma (biskota) për shembull. Është një biskotë e zakonshme, nuk mund ta dëmtojë askënd. Po, prodhohet në Serbi, por atyre që nuk e pëlqejnë, le të mos e blejnë”, thotë Gashiq.
Së fundmi, Policia e Kosovës ka kryer disa aksione për sekuestrimin e mallrave serbe në depo në veri të Kosovës.
Aksioni i fundit i tillë ka ndodhur më 26 dhjetor, konfirmon për REL-in zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Në anën tjetër, biznesmeni Gashiq thotë se policia “vetëm po bën punën e vet” dhe se është Qeveria e Kosovës ajo që duhet ta anulojë vendimin për ndalimin e importit të mallrave serbe.
Ai, po ashtu, beson se ky ndalim nuk i kontribuon qetësimit të tensioneve në veri të Kosovës dhe as normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
*Video me pamje nga kufiri, ku dhjetëra kamionë, me targa të Serbisë dhe me të Kosovës, të parkuar në anën serbe të kufirit në Merdare, nuk u lanë të futen në Kosovë
Çfarë thonë nga BE-ja?
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje me shkrim për REL-in thotë se BE-ja është në dijeni të faktit se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia në Kosovë është ende në fuqi dhe nënvizon se një vendim i tillë bie ndesh me marrëveshjen e CEFTA-s (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore).
“Masa është gjithashtu në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (Kosova me BE-në) dhe marrëveshjet nga dialogu (për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit)”, thotë Stano.
Edhe në raportin e Komisionit Evropian për progresin e Kosovës për vitin 2023, bëhet e ditur se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia nuk është në përputhje me obligimet që dalin nga CEFTA.
Më herët, ambasada amerikane në Kosovë i tha Radios Evropa e Lirë se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa për të promovuar qarkullimin e lirë ndërkufitar të mallrave dhe jo të ndërmarrin veprime që do ta pengonin atë.
Çfarë thonë odat ekonomike?
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, nuk deshi të komentojë çështjen e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia, duke shpjeguar se është një “vendim politik”.
Në anën tjetër, nga Oda Ekonomike e Serbisë thonë për Radion Evropa e Lirë se ky vendim i Qeverisë së Kosovës po u shkakton dëm, si kompanive serbe, ashtu edhe atyre kosovare dhe i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë për heqjen e “bllokadave të dëmshme”.
“Dëmi i vlerësuar për kompanitë serbe deri më 1 nëntor të këtij viti shkon në mbi 120 milionë euro, prandaj edhe plasimi i produkteve serbe është 54 për qind më i ulët në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Humbjet janë matur vetëm me eksporte të parealizuara, pa kostot që kanë pasur prodhuesit për shkak të devijimit të mallrave në tregjet e tjera në rajon apo në botë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Aleksandar Radovanoviq, kryetar i Qendrës për Bashkëpunim Rajonal të Odës Ekonomike të Serbisë.
Ai, po ashtu, pohon se bashkëpunimi ndërmjet kompanive serbe dhe kosovare i mundësoi ekonomisë kosovare “të rrisë prodhimin e produkteve finale, që bazohet në blerjen e lëndëve të para, makinerive dhe teknologjisë”.
“Prandaj, mund të konstatohet se ndalimi i vendosur dëmton edhe biznesmenët tanë edhe ata kosovarë që merren me aktivitet prodhues, por edhe qytetarët, sepse kanë ndikuar në rritjen e çmimeve me pakicë në Kosovë”, vlerëson Radovanoviq dhe konstaton se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia ka krijuar një “atmosferë që bashkëpunimi i biznesmenëve serbë dhe kosovarë nuk është i dëshirueshëm”.
Në bazë të të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, Serbia në periudhën janar-shtator të këtij viti ka eksportuar mallra në Kosovë në vlerë prej 165 milionë euro. Vitin e kaluar, në vitin 2022, vlera totale e eksporteve të mallrave nga Serbia në Kosovë ishte 372 milionë, ndërsa në vitin 2021, 306 milionë.