Ndërlidhjet

Aeroporti i Gjakovës në listën e premtimeve të papërmbushura


Aeroporti i Gjakovës, pamje nga ajri.
Aeroporti i Gjakovës, pamje nga ajri.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është ndër më të ngarkuarit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve në Evropë (ACI), Aeroporti “Adem Jashari”, në vitin 2021, u ka shërbyer mbi 2.1 milionë pasagjerëve.

Nga vendet e rajonit, vetëm Aeroporti i Beogradit ka pasur më shumë: mbi 3.2 milionë pasagjerë.

Me shifrat e regjistruara, Aeroporti i Prishtinës ka hyrë për herë të parë në mesin e 100 aeroporteve më të ngarkuara në Evropë, sipas ACI-së.

Sipas zyrave statistikore në Ballkan, Kosova, në vitin 2021, ka shënuar po ashtu rënien më të vogël të trafikut të pasagjerëve ajrorë, krahasuar me periudhën para pandemisë: vetëm 8 për qind.

Rënien më të madhe e kanë pësuar Kroacia (59%) dhe Mali i Zi (50%).

Aeroporti “Adem Jashari” është i vetmi që shfrytëzohet në Kosovë për qëllime civile, edhe pse vendi ka edhe Aeroportin e Gjakovës, i cili ndodhet rreth 90 kilometra larg Prishtinës.

Jashtë programit të Qeverisë

Premtimet e dhëna nga partia tani në pushtet - Lëvizja Vetëvendosje - se ky aeroport do të shërbejë për udhëtime me kosto më të lirë, nuk duket se janë duke u materializuar.

“Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet me dy shërbime bazë: kargo [bartje e mallrave] dhe udhëtime me kosto të ulët”, është thënë në programin zgjedhor të Vetëvendosjes, në fillim të vitit 2021.

Por, në programin katërvjeçar të Qeverisë së formuar nga kjo parti, në mars të vitit të kaluar, nuk përmendet asnjë plan për Aeroportin e Gjakovës.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje.

Aeroporti i Gjakovës, pas luftës së viteve 1998/99, është rindërtuar nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, përkatësisht nga paqeruajtësit italianë.

Deri në vitin 2013, ai është përdorur për mbështetjen e aktiviteteve ushtarake të misionit të NATO-s.

Në dhjetor të atij viti, pas një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet qeverive të atëhershme të Italisë dhe Kosovës, Aeroporti i Gjakovës me të gjitha mjetet për operim është transferuar tek autoritetet e Kosovës.

Gjashtë vjet më vonë, me një vendim të Qeverisë së Kosovës, aeroporti i është dhënë në shërbim Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Nga Ministria e Mbrojtjes konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë se “hapësirat e Aeroportit të Gjakovës përdoren për nevojat e FSK-së” dhe thonë se investimet e fundit, të bëra atje, lidhen me “ngritjen e rrethojave të aeroportit” dhe “sigurimin e hapësirave të aeroportit”.

Sa u përket premtimeve të Lëvizjes Vetëvendosje për funksionalizimin e aeroportit për shërbime civile, në Ministrinë e Mbrojtjes nuk japin detaje, por thonë se kjo “varet nga strategjia dhe planet zhvillimore të Qeverisë së Kosovës”.

Që Aeroporti i Gjakovës t’iu vihet në dispozicion shërbimeve civile, Qeveria e Kosovës duhet të shfuqizojë fillimisht vendimin e vitit 2019, thotë ish-ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Rrustem Berisha, duke iu referuar vitit kur aeroporti i është dhënë në shfrytëzim FSK-së.

“Duhet të bëhet një analizë për të parë nëse është më i nevojshëm për shërbime ushtarake - pasi ne synojmë të jemi pjesë e NATO-s - apo të bëhet aeroport për shërbime civile”, thotë Berisha, duke theksuar se aeroporti mund të shërbejë për të dyja qëllimet.

Deri më 2013, Aeroporti i Gjakovës është përdorur për mbështetjen e aktiviteteve ushtarake të misionit të NATO-s.
Deri më 2013, Aeroporti i Gjakovës është përdorur për mbështetjen e aktiviteteve ushtarake të misionit të NATO-s.

A mund të hapet aeroporti i dytë në Kosovë?

Megjithatë, hapja e një aeroporti të dytë civil në Kosovë mund të jetë vështirë e realizueshme - së paku edhe për një kohë.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, në vitin 2010, i është dhënë në shfrytëzim një konsorciumi turko-francez, për një periudhë 20-vjeçare.

Kontrata midis autoriteteve të Kosovës dhe konsorciumit “Limak & Aeroport de Lyon”, neni 13.6, e siguron këtë të fundit se nuk do t’i nënshtrohet konkurrencës së drejtpërdrejtë me hapjen e një aeroporti tjetër komercial në Kosovë.

Nëse një aeroport i tillë hapet, Qeveria e Kosovës obligohet ta sigurojë konsorciumin në fjalë se nuk do të ketë humbje nga një kompani ndërkombëtare, që potencialisht do të operonte në Kosovë.

I pyetur nëse Kosova ka nevojë për një aeroport tjetër civil, drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Bujar Ejupi, shprehet i rezervuar në përgjigje.

“Nëse vendoset të hapet, ne e kryejmë procesin e certifikimit”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ali Aliu, njohës i çështjeve të aviacionit civil, thotë se Kosovës, me 1.8 milion banorë dhe me diasporën e saj, i mjafton vetëm një aeroport ndërkombëtar.

Sipas tij, Aeroporti i Shkupit në Maqedoni të Veriut dhe ai i Kukësit në Shqipëri mund të jenë aeroporte alternative për udhëtarët.

Dy aeroportet ndodhen rreth 115 kilometra larg Prishtinës, edhe pse i Kukësit aktualisht është jashtë funksionit, për shkak të, siç është thënë, mungesës së pasagjerëve.

Aliu thotë se Aeroporti i Gjakovës mund të shërbejë për udhëtime turistike, biznesi apo edhe të bëhet akademi për shkollimin e kuadrove të reja për pilotim dhe shërbime të tjera të aviacionit.

“Me pak investime, Aeroporti i Gjakovës shumë lehtë funksionalizohet, pasi që pista është në rregull, është pak e ngushtë, por mund të zgjerohet dhe mund të shfrytëzohet. Është pothuajse i gatshëm nga investimet që ka bërë KFOR-i italian”, thotë Aliu për Radion Evropa e Lirë.

Në vitin 2012, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar hapjen e një “akademie të rëndësishme të fluturimit” që, sipas tij, do të operonte në Aeroportin e Gjakovës, por një gjë e tillë nuk është realizuar.

Në vitin 2017, ngjashëm ka premtuar edhe kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa, por as ai premtim nuk është përmbushur.

Fakte për Aeroportin e Gjakovës

Aeroporti i Gjakovës gjendet rreth 5 kilometra në veri të qytetit të Gjakovës. Është i vendosur në një hapësirë relativisht të rrafshët - rreth 400 metra mbi nivelin e detit.

Aeroporti i Gjakovës.
Aeroporti i Gjakovës.

Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës i ka bërë atij një auditim në vitin 2016.

Në mesin e përfundimeve të nxjerra është se në këtë aeroport është e instaluar kulla mobile e kontrollit të trafikut ajror, e pajisur me sistemet e nevojshme të komunikimit tokë-ajër; aeroporti ka edhe infrastrukturën e furnizimit me rrymë dhe ujë dhe mjetet për furnizimin e aeroplanëve me karburante.

Aeroporti ka një sistem të vetëm piste me një rrugë paralele për taksim. Pista është 1,799 metra e gjatë dhe 30 metra e gjerë.

Terminali i aeroportit përbëhet nga hapësirat e terminalit të udhëtarëve dhe mallrave, parkingu i aeroplanëve, hapësirat për ngarkim dhe shkarkim dhe hapësirat për shërbime të udhëtarëve.

Aeroporti i Gjakovës është formuar dhe funksionalizuar që pas Luftës së Dytë Botërore për nevoja të agro-kulturës. Në vitet ’90, ai ka pushuar së funksionuari deri në kohën kur është marrë nga KFOR-i.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG