Ndërlidhjet

Aeroporti i Gjakovës, me gjithë infrastrukturë, mbeti jashtë funksionit


Aeroporti i Gjakovës.
Aeroporti i Gjakovës.

Me gjithë deklaratat e krerëve të institucioneve të Kosovës për vite me radhë se Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet, duke u përdorur për shërbime komerciale, ushtarake apo edhe shërbime tjera, ky aeroport vazhdon të mbetet jashtë funksionit.

Aeroporti i Gjakovës ishte rindërtuar nga KFOR-i italian dhe që nga paslufta, më 1999, deri në vitin 2013 ishte përdorur me qëllim të përkrahjes së aktiviteteve ushtarake për aeroplanët e operacioneve të misionit të NATO-s.

Në dhjetor të vitit 2013, pas një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Italisë dhe Qeverisë së Kosovës, ishte bërë transferimin i Aeroportit të Gjakovës tek autoritetet e Kosovës, përfshirë edhe të gjitha mjetet për operime.

Vlera e mjeteve, të cilat ishin investuar në këtë aeroport nga KFOR-i italian kapte shumën e miliona eurove.

Pas transferimit që ishte bërë nga KFOR-i italian, në vitin 2014, Qeveria e Kosovës pati krijuar ndërmarrjen publike Aeroporti i Gjakovës.

Në atë kohë, Qeveria e Kosovës drejtohej nga kryeministri Hashim Thaçi.

Më 18 prill 2014 kryeministrit Thaçi pati paralajmëruar hapjen e një “akademie të rëndësishme të fluturimit, që do të fillojë të operojë këtu në Aeroportin e Gjakovës”.

Kjo akademi nuk u hap asnjëherë.

E njëjta deklaratë, duke i shtuar edhe atë se ky aeroport do të funksinalizohet për t’u përdorur për udhëtarë, mallra ose edhe si shkollë e pilotimit, ishte përsëritur në vitin 2017 nga ish-kryeministri Isa Mustafa, i cili kishte ndarë nga buxheti i shtetit edhe 200 mijë euro për nevoja të Aeroportit të Gjakovës.

Institucionet e Kosovës në atë kohë, nuk e kishin hedhur poshtë si mundësi që Aeroporti i Gjakovës t’i jepet në shfrytëzim kompanisë turke “Limak”, e cila menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Por, të gjitha këto deklarata e premtime të dhëna vit pas viti, nuk u realizuan dhe Aeroporti i Gjakovës mbeti jashtë funksionit.

Aeroporti i Gjakovës i kalon Ministrisë së Mbrojtjes

Në vitin 2019 Aeroporti i Gjakovës, me vendim të Qeverisë së Kosovës, me kryeministër Ramush Haradinaj, i është dorëzuar Ministrisë së Mbrojtjes, e cila edhe tani e ka në shfrytëzim.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës parasheh marrjen në shfrytëzim në kohë të pacaktuar të Aeroportit Civil të Gjakovës, për nevojat strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Por, zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë kanë treguar se Aeroporti i Gjakovës aktualisht është në gjendje jofunksionale, dhe se vetëm është siguruar roja fizike e aeroportit.

Në planet e Ministrisë së Mbrojtjes, thuhet në përgjigje, Aeroporti i Gjakovës do të shfrytëzohet për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në funksion të njësive të saj për përmbushjen e detyrave të tyre ligjore.

Në Ministri të Mbrojtjes vlerësojnë se Aeroporti i Gjakovës ka nevojë për investime, të cilat do të realizohen në përputhje me planet paraprake të qeverisë dhe ministrisë, porse nuk jepen detaje se çfarë dhe kur mund të hyjë në funksion ky aset i cili konsiderohet i rëndësishëm në Kosovë.

Gjendja e Aeroportit të Gjakovës sipas ACC-së

Në vitin 2016, Autoriteti i Aviacionit Civil (ACC) i Kosovës, i cili është përgjegjës për rregullimin e sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe shërbimeve të navigacionit ajror në Kosovë, kishte bërë një auditim në Aeroportin e Gjakovës.

Ky raport tregon se në atë kohë, Aeroporti i Gjakovës ishte i mbyllur për operime.

Aeroporti i Gjakovës
Aeroporti i Gjakovës

Ndërkohë, auditimi gjithëpërfshirës në Aeroportin e Gjakovës, kishte vlerësuar infrastrukturën dhe pajisjet ekzistuese.

Në këtë raport, përveç tjerash, thuhet se në Aeroportin e Gjakovës është e instaluar një kullë mobile e kontrollit të trafikut ajror, plotësisht e pajisur me sistemet e nevojshme të komunikimit tokë-ajër.

Aeroporti i Gjakovës ka në dispozicion sistemin për aterrim instrumental dhe sistemin navigues NDB (Non-directional Beacon) që përdoret si ndihmë për navigim nga ana e pilotëve. Shtohet se aeroporti ka edhe infrastrukturën e furnizimit me rrymë dhe ujë dhe, po ashtu, ekziston sistemi i ndriçimit aeronautik në tokë dhe i ndihmesave vizuale dhe atyre të radio-navigimit.

Po ashtu, në këtë aeroport ekziston edhe infrastruktura dhe mjetet për shërbimin e shpëtimit, zjarrfikjes dhe për furnizimin me karburante të aeroplanëve.

Aeroporti i Gjakovës gjendet rreth 5 km në veri të qytetit të Gjakovës. Është i vendosur në një hapësirë relativisht të rrafshët rreth 400m mbi nivelin e detit.

Aeroporti ka një sistem të vetëm piste me një rrugë paralele për taksim. Pista është 1,799 metra e gjatë, 30 metra e gjerë dhe e orientuar në drejtimet 17-35. Sipërfaqja e pistës është asfalt, anët e pistës janë të gjëra 7.5 metra të përbëra nga zhavori.

Hapësira e terminalit të aeroportit përbëhet nga hapësirat e terminalit të udhëtarëve dhe mallrave, parkingu i aeroplanëve, hapësirat për ngarkimin, shkarkimin dhe hapësirat për shërbime të udhëtarëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG