Ndërlidhjet

Thaçi: Kosova lidere e aviacionit në rajon


Kosova po bëhet një qendër dhe lidere e rajonit për aviacionin civil ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi.

Këto komente, ai i ka bërë në ceremoninë e përurimit të terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ku kanë marrë pjesë edhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Turqisë, Edi Rama dhe Recep Tayyip Erdogan.

Të tre kryeministrat e janë angazhuar për thellimin e bashkëpunimit ndër shtetëror, si vende fqinjë dhe mike.

Kryeministri turk, Recep Erdogan tha se Kosova po bëhet me aeroportin më modern në rajon, përmes së cilit do të rritet interesimi për transportin ajror.

Popullin e Kosovës, ai e ka cilësuar si popull vëlla. Ai ka premtuar ndihmën e vendit të tij për anëtarësimin e Kosovës në mekanizma dhe organizata ndërkombëtare.

“Kosova është anëtarësuar në shumë institucione evropiane dhe botërore, çka në gëzon”, tha Erdogan.

Ai ka shprehur bindjen e tij se Kosova, e cila tashmë është njohur nga mbi 100 shtete, do të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s. Kurse dialogun që po zhvillojnë Kosova dhe Serbia, ai e ka parë në funksion të thellimit të paqes e stabilitetit në rajon.

Punimet në terminalin e ri i ka bërë konsorciumi turko-francez "Limak & Çalik".

Ky konsorcium ka privatizuar edhe distrubcionin e Koorporatës Energjetike të Kosovës. Bizneset turke, janë të pranishme në Kosovë edhe në fushën e mjekësisë dhe edukimit, si dhe marrin pjesë në një nga projektet më të mëdha atë të shtrimit të autostradave në Kosovë.

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se Kosova me zhvillimin e saj po bëhet një shembull admirues për gjithë rajonin.

Ai ka folur me admirim edhe për kryeministrin turk, Erdogan duke e cilësuar atë si një mik të vërtetë të gjithë shqiptarëve.

“Ashtu sikundër askush ata që e jetuan emocionin e jashtëzakonshëm të ditës së pavarësisë, nuk do ta harroj se bashkë me shqiptarët kudo që ishin, kryeministri Erdogan dhe qeveria e tij ishin mbledhur dhe ndiqnin drejtpërdrejtë përmes televizionit të gjitha momentet e jashtëzakonshme të asaj dite të shënuar në historinë e popullit shqiptar”, tha Rama.

Nikoqiri i këtij përurimi, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka falënderuar kryeministrat Erdogan dhe Rama, të cilët i ka quajtur vëllezër, që ishin udhëtarët e parë të Aeroportit të Prishtinës.

Me këtë rast, Thaçi i ka cilësuar si kolosale punimet në këtë Aeroport, duke besuar se Kosova çdo ditë e më tepër po bëhet gati për të qenë një vend konkurrent në botën moderne.

“Këtë infrastrukturë moderne, këtë investim publiko privat, që arrin vlerën në mbi 100 milion euro ta shndërrojmë në një mundësi të re të lidhjes së Kosovës me botën. Kosova është gati për botën por edhe bota i ka hapur dyert për Republikën e Kosovës në mënyrë meritore. Pra, ta shndërrojmë Kosovën në një pikë lidere dhe qendër rajonale të aviacionit dhe jo vetëm kaq”, tha Thaçi.

Ceremonia e përurimit të Aeroporti të Prishtinës “Adem Jashari” është përcjellë nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, atyre të qeverisë turke, si dhe ambasadoret amerikane dhe franceze në Prishtinë.

Ky Aeroport i është dhënë me koncesion konsorcumit turko-francez “Limak & Çalik”, në vitin 2010, për periudhën 20 vjeçare.

Terminali ka një sipërfaqe prej 42 mijë metrash katrorë ndërkaq kostoja e investimeve është thënë të jetë rreth 130 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG