Ndërlidhjet

Berisha: Duke mos i ndëshkuar, ushtruesit e dhunës po i shndërrojmë në vrasës


"Po i vrisni gratë" - mesazh i shkruar në ndërtesën e stacionit policor në Prishtinë. 7 gusht 2024.
"Po i vrisni gratë" - mesazh i shkruar në ndërtesën e stacionit policor në Prishtinë. 7 gusht 2024.

Menaxherja e programit kundër dhunës me bazë gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, Adelina Berisha, thotë në një bashkëbisedim me Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë për mbrojtjen e grave nga dhuna me bazë gjinore, pasi, thekson ajo, të gjitha rastet që kanë ndodhur sivjet janë raste të raportuara në Polici.

Ajo konsideron se secili rast duhet të dënohet edhe me burgim, edhe me gjobë.

"Kur dënohesh vetëm me gjobë, je i lirë dhe mesazhi po të jepet që nuk ka ndonjë pasojë më të rëndë për ty, edhe pse ke ushtruar dhunë. Prandaj, po kemi raste recidive. Po kemi raste të përsëritura. Dhe, në anën tjetër, nga ushtrues dhune, ne këta persona po i shndërrojmë në vrasës apo persona që tentojnë të vrasin, sepse nuk po punohet me ta", thotë ajo.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Berisha, brenda pak ditësh një grua u vra dhe një tjetër u plagos nga partnerët e tyre. Njëri prej këtyre sulmuesve u tha se ishte recidivist. Pse po ndodhin kaq shpesh raste të tilla?

Adelina Berisha: Fatkeqësisht, ndoshta njëra prej përgjigjeve është edhe në vetë parashtrimin e pyetjes. Përmendëm që njëri rast është edhe rast recidivist dhe kjo na lë të kuptojmë që, fatkeqësisht shpesh këto raste po ndodhin edhe si pasojë e mosefikasitetit të institucioneve që ta trajtojnë me seriozitet dhunën me bazë gjinore, dhunën ndaj grave, e cila pastaj shpesh çon edhe deri te vrasjet, tentim-vrasja e këtyre grave.

Në njërën anë i kemi burrat, të cilët po mendojnë se kanë të drejtë dhe kanë pushtet të vendosin për jetën e grave, po në anën tjetër e kemi edhe dështimin e institucioneve që t'i mbrojnë gratë dhe t'i ndëshkojnë ushtruesit e dhunës me dënime të merituara, ashtu qysh e kërkon edhe legjislacioni ynë vendor.

Është tragjedi e madhe kur e kupton që një person, i cili ka për shkak të dhunës familje, i ka kaluar vetëm 48 orë në paraburgim dhe ai, dy ditë pasi lirohet, tenton ta vrasë një grua.

Pra, besoj që këto raste do të duhej të ishin edhe një thirrje dhe një reflektim për të gjitha institucionet - në këtë rast, policët, prokurorët, mbrojtësit e viktimave, qendrat për punë sociale - të jenë më vigjilente në trajtimin e rasteve të dhunës.

Sidomos policia dhe prokuroria, kur bëhet fjalë për vlerësimin e rrezikut, të jenë shumë syçelë dhe ta kuptojnë që një person, i cili për vite me radhë është duke e kërcënuar, duke ushtruar dhunë ndaj një personi, ta kuptojnë që ai person një ditë ka për të menduar që ka të drejtë edhe ta vrasë atë grua siç po na ndodh pothuajse te të gjitha rastet. Është një fatkeqësi shumë e madhe...

Pothuajse për të gjitha rastet, të cilat sivjet përfunduan me femicid - po edhe ky tentim për vrasje, që shumë thjesht ka mundur të përfundojë me vdekje, e me një epilog tragjik, me vdekjen e viktimës – janë raste që kanë qenë të raportuara në Policinë e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Përmendët disa institucione, po cilat institucione bartin përgjegjësinë për parandalimin e këtyre rasteve? Te kush qëndron faji (përgjegjësia)?

Adelina Berisha: Në përgjithësi do të thotë tash ne duhet të jemi fer, mirëpo ne e dimë që rasti së pari duhet të paraqitet në polici. Shpesh - nëse prokurori dhe polici nuk e bëjnë një hetim të duhur, sepse policët veprojnë me urdhër të prokurorit. Në qoftë se nuk bëhet një hetim i mirë, një vlerësim i mirë i rrezikut, nëse tolerohet dhuna - ne fatkeqësisht kemi ende tendencë për fajësim të viktimës, ende është prezent mungesa e konfindencialitetit - të gjitha këto ndikojnë, mirëpo ne e dimë që mbrojtja është në duart e policisë dhe të prokurorëve.

Gjithmonë një mendim i një punëtori social nga Qendra për Punë Sociale mund të shtojë informata për rastin dhe ta bëjë edhe më të lehtë vendimin për prokurorët dhe policinë se si ta trajtojnë një rast. Pra, është një bashkëpunim mes tyre. Por, në anën tjetër ne i kemi shumicën e viktimave - përfaqësohen nga mbrojtësit e viktimave - është mirë edhe mbrojtësit e viktimave t'i vetëdijësojnë gratë për të drejtat e tyre që u takojnë dhe të insistojnë që vepra e dhunës në familje të mos mbetet si rast si lëndë civile, por të trajtohet si vepër penale, sepse ne dhunën në familje tashmë e kemi vepër penale, e cila dënohet me burgim, pra është gjobë dhe burgim.

Pra, secili rast duhet të dënohet edhe me burgim, edhe me gjobë. Ne shpesh e kemi parë që gjykatat nuk e kanë interpretuar siç duhet këtë nen, dhe ushtruesit e dhunës i kanë dënuar me gjobë. Kur dënohesh me gjobë, je i lirë. Mesazhi po të jepet që nuk ka ndonjë pasojë më të rëndë për ty, edhe pse ke ushtruar dhunë. Prandaj, po kemi raste recidive. Po kemi raste të përsëritura.

Dhe, në anën tjetër, nga ushtrues dhune, ne këta persona po i shndërrojmë në vrasës apo persona që tentojnë të vrasin, sepse nuk po punohet me ta.

Prandaj është kjo thirrje që të gjitha institucionet të jenë vigjilente. Mirëpo, kur ndodh rasti, prapë barra më së shumti bie te policia, te prokuroria për mënyrën se si e hetojnë rastin. Pastaj pasi të lëshohet urdhri mbrojtës ose masa, e cila ia ndalon ushtruesit të dhunës që t'i afrohet viktimës, prapë policia e ka përgjegjësinë ta monitorojë se a po e zbaton ai këtë urdhër mbrojtës.

Ne ende nuk kemi byzylykë elektronikë, të cilët ua kishin lehtësuar pak punën policisë që t'i përcjellin ku janë ushtruesit e dhunës në mënyrë që në raste rreziku potencial, këta të jenë të alarmuar dhe menjëherë të veprojnë. Kjo sepse ne kemi pasur raste kur edhe pse kanë qenë me urdhër mbrojtjeje, burrat e kanë shkelur atë urdhër mbrojtjeje, apo kemi pasur raste kur nuk i është besuar viktimës dhe nuk është lëshuar fare urdhri mbrojtës. Me këtë rast, ushtruesi e ka shfrytëzuar këtë lëshim nga gjykatat dhe ka shkuar e ka kryer vrasjen.

Pra, janë disa problematika, të cilat i ka identifikuar edhe Gjykata, në disa raste edhe hulumtimet e rrjetit, hulumtimet e organizatave tjera. Po fatkeqësisht, me gjithë këto të dhëna të disponueshme për shkelje procedurale dhe institucionale po shohim pak veprime konkrete nga institucionet që ta luftojnë dhe ta parandalojnë (dhunën dhe vrasjen me bazë gjinore). Është e kotë që pasi ndodhin rastet, ne të dalim me disa deklarata dhe të shprehim ngushëllime e të tregojmë solidaritet në qoftë se ne nuk e kemi synim ditor luftimin e dhunës me baza gjinore.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët këtë çështjen e byzylykut. Pse po vonon ky proces? A keni informacione?

Adelina Berisha: Me aq sa kemi informacione, është çështje tenderësh, do të thotë në prokurim diçka ka ngecur, nuk e di... Ne shpresojmë që Ministria e Punëve të Brendshme sa më shpejt të marrë hapa dhe ta përfundojë këtë proces, sepse është një kërkesë që vjen edhe prej strategjisë kombëtare po edhe nga nevoja që po e shohim.

Ne jemi një vend mjaft i vogël, mirëpo prapë se prapë duhet t'i kemi të gjitha masat të cilat parandalojnë që një ushtrues i dhunës ta bëjë planin e vet realitet dhe ta ushtrojë prapë dhunën apo ta bëjë edhe më të rëndë atë vepër ndaj viktimave.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Berisha, edhe pse ne po flasim për numër të madh të rasteve, aktivistët vazhdimisht thonë se numri real i viktimave të dhunës në familje është shumë i madh. Pse nuk raportohet dhuna në familjen në Kosovë? A keni ndonjë hulumtim të ri?

Adelina Berisha: Ne nuk kemi bërë prej 2015-tës hulumtim. Hulumtimi i fundit i OSBE-së është i vitit 2019 dhe aty diku mbi 46 për qind, nëse më kujtohet, ose 48 për qind e grave janë deklaruar që gjatë jetës së tyre kanë qenë viktima të dhunës.

Unë e di që pa pasur të dhëna gjithëpopullore është pak problem edhe të trajtohet rasti. Ne kemi pritur që Agjencia e Statistikave e Kosovës ta fillojë një hulumtim gjithëpopullor mbi shpeshtësinë e dhunës në Kosovë dhe mbi qëndrimet e qytetarëve, sepse vetëm kështu ne mund të avokojmë dhe të bëjmë ndryshime.

Mirëpo, duke qenë se si rrjet punojmë shumë gjatë në luftimin e dhunës, parandalimin e dhunës, ne kemi parë një ndryshim, do të thotë nëse e krahasojmë me vitet 2008 -2009 menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, ne i kemi pasur diku 500-600 raste në vit të raportuara të dhunës, tash këto raste po na mbërrijnë rreth tre mijë, pra që i bie se gratë tona janë duke u vetëdijesuar. Ato i njohin më shumë të drejtat e veta, janë më pak tolerante ndaj dhunës dhe u drejtohen institucioneve.

Mirëpo, në anën tjetër, prapë e themi që kjo është vetëm maja e akullnajës, sepse shumë raste të tjera janë të fshehura. Pse janë të fshehura?

Ka të bëjë edhe me do të thotë këtë frikën që ushtruesit e dhunës non stop ia ushtrojnë grave.

Ne këtu kemi raste që i asistojmë dhe deri te momenti kur gratë e marrin guximin që ta raportojnë dhunën, kalon një kohë shumë e gjatë, do të thotë derisa bëhet rrezik më shumë edhe jeta e fëmijëve të tyre, vetëm atëherë gratë fillojnë të veprojnë, sepse për një periudhë të gjatë ato tentojnë ta sanojnë marrëdhënien, ta ruajnë familjen, sepse fatkeqësisht shoqëria jonë u vë një barrë shumë më të madhe grave që ta ruajnë nderin e familjes, sesa burrave.

Prandaj, edhe ato shpesh edhe për shkak të këtij presioni që e ka nga shoqëria, e sakrifikojnë veten në njëfarë forme, dhe nuk e raportojnë dhunën. Mirëpo, në anën tjetër, po i shohim edhe kur e raportojnë gratë dhunën, prapëseprapë institucionet po dështojnë t'i mbrojnë ato dhe ky mund të jetë po ashtu një faktor që i bllokon gratë t'u drejtohen institucioneve, nëse ato e shohin këtë raportim si diçka e pashpresë.

Mendësia patriarkale që po i kthen viktimat te dhunuesit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:25:16 0:00

Në anën tjetër, ne kemi bërë hulumtime më 2015-tën dhe aty ka dalë që mbi shtatëdhjetë për qind e kosovarëve besojnë se dhuna në familje është problem familjar, duhet të mbetet brenda mureve të shtëpisë.

E, këta faktorë tregojnë që fatkeqësisht ne ende nuk e kemi vetëdijen për luftimin e dhunës, nuk e kemi vetëdijen, qoftë si familjarë, qoftë si fqinjë, të bëhemi zëri i viktimave dhe të raportojmë për to në rastet kur ato e kanë të pamundur.

Në anën tjetër, gratë tona jetojnë në varfëri. Qasjen në telefona, në komunikim me institucione mund ta kenë shumë minimizuar në krahasim me burrat dhe kjo është një pengesë në rastet kur janë viktima të dhunës. Abuzuesi në një farë forme - kemi pasur raste kur ia merr të gjitha dokumentet, ia merr telefonin, ia bllokon të gjitha mundësitë që ato gra të kërkojnë mbështetje. Pra, asnjë grua nuk rri në një marrëdhënie të dhunshme pse ajo ka dëshirë.

Është presioni që u bëhet prej ushtruesve të dhunës, kërcënimi se do t'ia vrasë anëtarët e familjes, do t'ia marrë fëmijët, e përcjellë edhe me këto dështime nga institucionet që i bëjnë gratë të hezitojnë ta raportojnë dhunën.

Mirëpo, nuk e besoj që ndonjëra prej tyre dëshiron të jetojë në ato marrëdhënie apo në një familje ku ato janë të shtypura, janë të dhunuara në baza ditore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG