Ndërlidhjet

A po hyn Kosova në krizë buxhetore?


Ilustrim
Ilustrim

Përfaqësues të shoqërisë civile i kanë bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të miratojë brenda afateve kohore Projektligjin për buxhetin e vitit 2019, i cili pas miratimit në parim më 21 dhjetor, ka mbetur ende pa u shqyrtuar dhe votuar për miratimin përfundimtar.

Agnesa Haxhiu, monitoruese e punës së Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se Kuvendi i Kosovës është duke neglizhuar shqyrtimin e Projektligjit për buxhetin për vitin 2019.

Sipas saj, Kuvendi ka dy muaj afat të rregullt kohor në dispozicion që t’i japë miratimin final këtij projektligji që nga data kur Qeveria e ka proceduar atë në Kuvend. Në të kundërtën, thekson ajo, rrezikohen pagat e punëtorëve në sektorin publik, por edhe shpenzimet nga organizatat buxhetore.

Ndryshe, në bazë të procedurave ligjore, nëse buxheti nuk është miratuar, Kuvendi me anë të një vendimi, mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal. Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.

Viti fiskal, do të thotë periudha prej 01 janarit të një viti deri më 31 dhjetor të të njëjtit vit.

“Mungesa e një vendimi të tillë nga ana e Kuvendit, e bën të kundërligjshme çdo pagesë dhe shpenzim nga çdo organizatë buxhetore gjatë muajit janar, bazuar në Ligjin për menaxhimin e financave publike”.

“Kjo nënkupton që asnjë shërbyes civil ose kompani kontraktuese nga cilado organizatë buxhetore nuk mund të paguhet dhe as të kryhet asnjë shpenzim nga organizatat buxhetore, përderisa nuk ka një vendim nga Kuvendi që autorizon zgjatjen e Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit paraprak për muajin janar”, thotë Haxhiu.

Por, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se mbi bazën ligjore, çdo organizatë buxhetore për muajin janar dhe muajin shkurt do të marrë 1/12 e mjeteve të tërësishme që i ka pasur buxheti i vitit të kaluar.

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me këto mjete do të bëhet pagesa e të ardhurave edhe për punëtorët e sektorit publik, si dhe një pjesë e shpenzimeve të ndryshme materiale për nevojat e organizatave buxhetore.

Probleme më të theksuara, sipas tij, mund të paraqiten në muajin mars, nëse deri në atë periudhë nuk miratohet buxheti i vitit, pasi nuk mund të bëhet ekzekutimi i pagave dhe shpenzimeve të tjera pa një vendim të Kuvendit.

“Edhe pagat e muajit shkurt mund të realizohen, sepse për dy muajt e parë të vitit fiskal, Ligji për menaxhimin e financave publike e parasheh të njëjtën procedurë më 1/ 12 e buxhetit të vitit paraprak”, thotë Shatri.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës e ka proceduar në Kuvend Projektligjin për buxhetin më 31 tetor të vitit 2018, mirëpo projektligji ka arritur që të miratohet në parim me datë 21 dhjetor 2018.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar që më 31 janar ky projektligj të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, në shumë raste kanë përsëritur qëndrimet e tyre se nuk do ta votojnë për miratim projektligjin për vitin 2019.

Kurse, subjekti tjetër opozitar, Partia Socialdemokrate, e ka kushtëzuar votën me plotësimin e pesë kërkesave që i ka vënë Qeverisë së Kosovës. Ndër tjera ka kërkuar që krahas Projektbuxhetit, të miratohet edhe Ligji për pagat dhe të shkarkohet nga detyra ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo.

Haki Shatri shpreson se deri në periudhën e caktuar do të plotësohen kërkesat e Partisë Socialdemokrate që nënkupton edhe miratim të buxhetit për këtë vit.

"Është shumë afër që kërkesat e tyre (PSD-së), të realizohen. Këto kanë hyrë në rend dite me të njëjtën pako”, bën të ditur Shatri.

Kosova ka filluar vitin 2019 pa buxhetin e miratuar nga Kuvendi. Nga 2.3 miliardë euro sa parashihet buxheti i Kosovës, sipas projektimit aktual, shpenzimet për kategorinë paga dhe mëditje janë paraparë të jenë 616 milionë euro, kurse rreth 770 milionë euro për investime kapitale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG