Thirrjet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për riintegrimin e serbëve në veri të Kosovës, u mirëpritën nga Bashkimi Evropian si një lëvizje pozitive, por nuk u komentuan fare nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Përkundër pyetjeve të përsëritura të Radios Evropa e Lirë, zyrtarët e Qeverisë së tij nuk treguan nëse do të pranojnë kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili vjen nga partia e Kurtit, tha para gazetarëve se një veprim i tillë do të ishte antikushtetues.
Anëtarja e kabinetit të Kurtit, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, tha se Vuçiq, me kërkesat e tij, synon të vazhdojë “instrumentalizimin e serbëve” të Kosovës.
Për ekspertë të çështjeve ligjore, kthimi i serbëve në gjykata dhe prokurori mund të bëhet, por jo edhe i atyre në polici.
Pse serbët i braktisën institucionet dhe çka kërkoi Vuçiq?
Qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022.
Kjo pasoi indinjatën e tyre me një vendim të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.
Nga ajo kohë, kryetarët e komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, u zëvendësuan me udhëheqës shqiptarë, pasi komuniteti shumicë serb në zonë i bojkotoi zgjedhjet.
Në gjykata, prokurori dhe polici, punonjësit serbë nuk u kthyen.
Në një adresim më 13 shtator në Beograd, presidenti i Serbisë, Vuçiq, parashtroi disa kërkesa për Kosovën - mes tjerash: kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun, kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre, si dhe shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale, të lira dhe demokratike” në veri.
“Nuk i komentojmë deklaratat politike”
Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës se a mund të rekrutohen policët serbë që dhanë dorëheqje dhe si, por ajo kërkoi që pyetjet t’i dërgohen Policisë së Kosovës.
Kjo e fundit tha shkurtimisht në përgjigjen me shkrim se “nuk i komenton deklaratat e asnjë personi/subjekti politik”.
Ndërsa, sa i përket rekrutimit të kadetëve policorë, tha se konkursi bëhet publik, bashkë me kriteret e kërkuara.
A do ta konsiderojnë kthimin e serbëve Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor i Kosovës?
Nëse ka kërkesa për kthim, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) tha se do t’i shqyrtojë ato.
Por, thuhet në përgjigjen dërguar REL-it, KPK-ja, deri më tash, “nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga prokurorët serbë për kthimin e tyre në sistemin prokurorial”.
Pa specifikuar shumë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se çështja e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe të administratës së komunitetit serb, “do të shqyrtohet në momentin që KGJK-ja e vlerëson se është koha e duhur” dhe “sipas procedurës së përcaktuar për situata të tilla”.
Çfarë thonë ekspertët?
Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë për Radion Evropa e Lirë se riintegrimi i serbëve në institucionet e Kosovës do të ishte i mundur, por jo me automatizëm.
Sipas tij, zgjedhjet lokale në komunat veriore mund të shpallen sivjet, por vetëm nëse ka një vendim politik nga Qeveria, i cili do t’i dërgohej presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
“Më pas, varet prej diskrecionit të presidentes. Nëse ajo e sheh të arsyeshme politikisht dhe në aspektin e sigurisë, mund t’i shpallë zgjedhjet [lokale në komunat e veriut]”, thotë Kryeziu.
Për kthimin e mundshëm të policëve serbë në funksionet e tyre, ai thotë se nuk mund të bëhet me automatizëm, pasi dorëheqjet e tyre janë miratuar nga institucioni përkatës.
“Ata që japin dorëheqje nga policia, nuk mund të kthehen. Vetëm në rastet kur dikush është i sëmurë, apo ka probleme të natyrës familjare... përndryshe nuk mund të kthehet më”, sqaron Kryeziu.
Por, situata qëndron ndryshe me gjyqtarët dhe prokurorët, sipas tij, pasi dorëheqjet e tyre nuk janë formalizuar dhe institucionet përkatëse mund ta konsiderojnë kthimin e tyre.
Astrit Kolaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë po ashtu se prokurorët dhe gjyqtarët serbë do të mund të ktheheshin në pozitat e tyre përmes një kërkese që do ta bënin në Këshillin Prokurorial dhe atë Gjyqësor të Kosovës.
“Të dy këshillat duhet të mblidhen dhe t’i marrin vendimet për kthimin e tyre”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
“Ky do të ishte një lloj gjesti i mirë, një lloj vullneti, i cili do të dëshmonte se Republika e Kosovës është e drejtë dhe e barabartë për të gjithë qytetarët e saj”, shton Kolaj.
Për policët, edhe ai thotë se nuk mund të kthehen me automatizëm, por se “kanë të drejtë të konkurrojnë për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës, në rast të hapjes së konkursit nga ky institucion”.
Integrimi i serbëve
Popullata serbe në veri të Kosovës - e dirigjuar nga Serbia dhe strukturat e saj paralele në vend - vështirë u bindet vendimeve të institucioneve të Kosovës.
Për pasojë, zona shndërrohet shpesh në vatër tensionesh.
Integrimi i pjesëtarëve të komunitetit serb në institucionet e Kosovës ka qenë pjesë e disa marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia kanë arritur në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Duke komentuar kërkesat e Vuçiqit, Konjufca tha se ai po tenton të ruajë në Kosovë “atë që nuk e ka më”.
“Ai, faktikisht, po e kërcënon Republikën e Kosovës përmes konferencës së tij për shtyp, mirëpo ky është një kërcenim, i cili, ta them të drejtën, nuk na bën shumë përshtypje. Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi, sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, janë institucionet politike, janë komunat që funksionojnë... Është shans i humbur i qytetarëve që kanë mendime të tjera për të marrë pjesë në procesin politik edhe për të qenë bashkëpjesëmarrës në procesin politik. Pas kësaj që ka ndodhur, vendi e ka marrë një drejtim të ri”, tha Konjufca.
Këtë vit, Qeveria e Kosovës ndërmori disa hapa - si heqja e dinarit serb nga përdorimi dhe mbyllja e strukturave paralele serbe - në përpjekje për të shtrirë sa më shumë autoritetin e saj në veri.
Vendimet hasën në kritikat e aleatëve perëndimorë, të cilët i cilësuan si hapa të pakoordinuar dhe me rrezik për rritjen e tensioneve.
Kërkesat e fundit të Vuçiqit, BE-ja tha se janë pozitive dhe i bëri thirrje edhe Prishtinës, edhe Beogradit që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
“Ne e mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për REL-in.
Derisa kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, e konfirmuan shkuarjen në Bruksel më 17 shtator, për një takim të mundshëm të përbashkët, një rund i ri i bisedimeve mes Kurtit dhe Vuçiqit nuk duket në horizont.
Për herë të fundit ata u takuan më 14 shtator, 2023.
Lexoni edhe këtë: Një vit pa biseduar