Në Kuvendin e Kosovës, një grup deputetësh ka marrë nismën, që përmes mbledhjes së nënshkrime, të kërkohet amnistimi i të gjithë deputetëve të cilët kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës gjatë viteve 2015 dhe 2016.
Janë 15 zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë deputetë dhe ministra, ndaj të cilëve ka procedura gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës gjatë mandatit të kaluar të Kuvendit. Aktualisht procesi gjyqësor po zhvillohet vetëm ndaj katër deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, por në listën e atyre që kanë hedhur gaz lotsjellës ka edhe deputetë apo zyrtarë të lartë qeveritarë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, iniciativa është në proces dhe pritet të përfundojë gjatë janarit, kur pritet të rinisë punën Kuvendi i Kosovës.
"Iniciativa për amnistimin e deputetëve është marrë në Kuvend është protokolluar në Sekretarinë e Kuvendit, në mënyrë që të vazhdojmë më tutje dhe të kryhet ky proces sepse kemi të bëjmë me veprime krejtësisht politike, prandaj është e pakuptimtë që deputetët e Parlamentit të Kosovës të trajtohen në mënyrën e tillë çfarë ka ndodhur deri tani", tha Isufi.
Isufi shpreh bindjen se amnistimi i deputetëve është i mundur, pasi që, siç thotë ai, veprimet e deputetëve kanë qenë për të ndaluar marrëveshjet të cilat e kanë dëmtuar interesin e vendit, si ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi.
"Deputetët janë të vetëdijshëm për rolin e tyre, prandaj trajtimi me burgosje, me gjykime dhe veprime të tilla, e ulë imazhin e Kuvendit të Kosovës dhe po ashtu jep një imazh të keq Kosovës para bashkësisë ndërkombëtare, duke pasur parasysh se është shkelje e demokracisë në vend", tha Isufi.
Ndërkohë, avokati Arianit Koci, mendon se amnistimi i deputetëve të cilët kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvend është i mundur, në rast se bëhet ndonjë ndryshim ligjor në legjislacionin aktual.
"Është evidente se deputetët e kanë përdorur gazin si mjet për realizimin e qëllimeve politike. Është kompetencë e gjykatës që të vendosë se a ka apo jo elemente të veprës penale. Unë e kam kuptuar se disa deputetë e kanë ndërmarrë një iniciativë për krijimin e një ligji për amnistimin e këtyre deputetëve. Nëse arrihen votat për këtë ligj, sigurisht që do të amnistohen", tha Koci.
Pikërisht në lidhje me rastet që ndërlidhen me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, kanë nisur edhe proceset e para gjyqësore ndaj katër deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Dy prej tyre, Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi janë mbajtur edhe në paraburgim. Por, ata janë liruar të premten, pasi që trupi gjykues ka vlerësuar se kanë pushuar të gjitha shkaqet ligjore për të cilat është caktuar kjo masë.
Aktgjykimi për katër deputetët e Vetëvendosjes do të shpallet më 3 janar 2018. Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupim, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli akuzohen për përdorim të armës, ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.
Në dhjetor të vitit 2015, por edhe gjatë seancave të tjera pasuese plenare, deputetët e opozitës, që në atë kohë u takonin subjekteve politike Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, duke kundërshtuar marrëveshjet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, kanë hedhur gaz lotsjellës brenda sallës së Kuvendit, duke pamundësuar kështu disa herë radhazi mbajtjen e seancave të rregullta të Kuvendit të Kosovës.