Ndërlidhjet

Regjistrim me gabime elementare


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Mospërfshirja e veriut, defektet në regjistrimin e diasporës dhe shtyrja e regjistrimit në disa komuna deri të martën, sipas përfaqësuesve të opozitës, tregojnë se institucionet nuk u përgatitën si duhet për procesin e regjistrimit. Kjo vë në dyshim faktin nëse pas këtij regjistrimi do të ketë një pasqyrë të saktë për popullsinë e Kosovës.


Regjistrimi i parë pas tridhjetë vjetësh nuk garanton se do të prodhojë statistika të sakta për numrin e banorëve të Kosovës.

Autoritetet e Kosovës nuk janë të sigurta se serbët e veriut do të përfshihen në këtë proces, edhe pse për ta tashmë është shtyrë afati i regjistrimit.

Ndërkohë, njohësit e këtij procesi flasin edhe për defekte tjera që nuk lidhen me veriun. Ish-ministrja e Shërbimeve Publike, Melihate Tërmkolli, që ka qenë e përfshirë më herët në përgatitjet për regjistrimin, thotë se institucionet nuk u përgatitën si duhet.

“Fakti i shtyrjes për disa ditë të regjistrimit do të thotë se nuk po shkon gjithçka sipas rregullave. Mund ta quaj regjistrim të pasuksesshëm. Sa i përket veriut, është e qartë, që janë çështje politike, por aty po bëhen shkelje të mëdha të ligjeve. Pastaj ka pasur një mospërgatitje të regjistruesve”.


“Kemi parë probleme te regjistrimi i të rriturve - në shumë raste, një person i ka regjistruar të gjithë, madje me të dhëna të gabueshme. Mandej problemi qëndron te regjistrimi i qytetarëve jashtë. Edhe pse janë qytetarë jorezidentë, ata madje nuk janë regjistruar as si jorezidentë, e në veçanti fëmijët që kanë lindur jashtë Kosovës”
, thotë për Radion Evropa e Lirë, Melihate Tërmkolli, tani anëtare e Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kosovarët që jetojnë jashtë shtetit, në bazë të Ligjit për regjistrimin e popullsisë, mund të regjistrohen vetëm si banorë jo të përhershëm. Megjithatë, vetë drejtori i Entit të Statistikave, Ibrahim Shabani, thotë se mund të ketë pasur raste kur nuk janë regjistruar as si të tillë.
Prishtinë

“Familjarët që kanë dhënë informata i kanë regjistruar të gjithë ata që jetojnë në botën e jashtme, në listën suplementare, që ka qenë listë plotësuese. Përndryshe, ku nuk kemi pasur të dhëna, që kanë qenë shtëpitë e zbrazëta, aty nuk janë regjistruar, sepse nuk ka pasur kush të japë të dhëna. Sa kemi mundur të arrijmë atë mundësi që t’i regjistrojmë të gjithë, tash kjo do të shihet nga rezultatet preliminare
”, deklaron për Radion Evropa e Lirë, Ibrahim Shabani.

Një gjë e tillë, për Melihate Tërmkollin nënkupton anashkalim të diasporës kosovare, e cila edhe para këtij regjistrimi, është ankuar se nuk po përfillet nga institucionet e Kosovës.

“Ju lutem shumë, pavarësisht se a kanë qenë apo jo prezentë, shtëpia duhet të regjistrohet, ajo duhet të bëhet përmes të afërmve, por edhe nëse nuk kanë të afërm, nëse është shtëpia, duhet të regjistrohet. Prandaj po them që janë bërë gabime elementare. Diaspora është lënë anash. Është e qartë që me rregulla ndërkombëtare nuk trajtohet si popullatë rezidente. Por, ne kemi bërë përpjekje që ta regjistrojmë si popullatë jorezidente, në këtë rast nuk është bërë regjistrimi as si i tillë”
, thekson Tërmkolli.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 1981. Të gjitha vlerësimet që janë bërë për popullsinë nuk janë bazuar në të dhëna statistikore, por vetëm në vlerësime.

Për shkak të refuzimit të serbëve të veriut që të regjistrohen, ekziston rreziku, që edhe pas këtij regjistrimi, të mos ketë pasqyrë të saktë si për banorët, ashtu edhe për ekonomitë familjare e banesat në Kosovë.

Megjithatë, ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, mendon se EUROSTAT-i do të certifikojë rezultatin, edhe pa veriun.

“Për këtë kemi biseduar me EUROSTAT-in dhe Komisionin Evropian. Ne në çdo mënyrë duam ta regjistrojmë popullatën. Por, nëse nuk pranojnë të regjistrohen, prapë do të bisedojmë me EUROSTAT-in dhe KE-në se si do t’i bëjmë rezultatet e pranueshme për Kosovën, duke bërë vlerësime. Në statistika nganjëherë mund të shkohet edhe me vlerësime”,
shpjegon Jagxhillar.

Por, Ibrahim Shabani nga Enti i Statistikave, vlerëson se pa veriun, rezultati do të jetë i mangët.

“Nëse dalim pa ndonjë pjesë të Kosovës, rezultatet do të jenë të mangëta. Megjithatë, regjistrimi nuk mund të cilësohet si i dështuar, përderisa kemi diskutime me EUROSTAT-in dhe me organizatat ndërkombëtare të përfshira në proces. EUROSTAT-i në fund është ai që certifikon”, shprehet Shabani.

Regjistrimi në disa komuna të Kosovës vazhdon deri të martën më 19 prill, ndërsa për veriun, është dhënë afat shtesë i papërcaktuar.

Edhe pse herë pas here kanë dalë shifra për numrin e deritashëm të të regjistruarve, Enti i Statistikave dhe Ministria e Administratës Publike, nuk jep shifra zyrtare para rezultateve preliminare. Këto rezultate duhet të bëhen publike jo më larg se më 30 qershor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG